Të gjitha forcat politike në Shqipëri po përpiqen të gjejnë një President konsensual. Komuniteti ndërkombëtar është shprehur pro tij, duke e lidhur këtë proces me një mundësi më shumë në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Po pse kërkohet një President konsensual kur ligji themelor i shtetit parashikon konsensusin, por edhe gjen zgjidhje për të mënjanuar krizën? Kjo për disa arsye:
Së pari, siç tregon përvoja ndërkombëtare, konsensusi për një proces kushtetues si ky i zgjedhjes së Presidentit, kërkohet nga forcat politike dhe komuniteti ndërkombëtar kur vendi kalon një krizë politike dhe institucionale, siç ka qenë rasti i zgjidhjes së Presidentit konsensual në Liban. Në Shqipëri ekziston kriza e mosbesimit midis forcave politike, të cilat e shtrijnë aksionin e tyre politik përtej “rregullave të lojës” kushtetuese, duke e kthyer atë në një lojë force për pushtet. Në vitin 2008 dy partitë kryesore politike në Shqipëri, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, në mënyrë jo transparente ndryshuan Kushtetutën dhe mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, të motivuara nga qëllimi i mirë i stabilitetit të vendit, në mënyrë që zgjedhja e tij të mos krijonte premisa për një krizë institucionale artificiale dhe, për rrjedhojë, edhe zgjedhje të parakohshme. Pavarësisht qëllimit të mirë institucional, këto ndryshime, të shoqëruara me instalimin e partitokracisë që sollën ndryshimet në Kodin Zgjedhor, çuan në deformime të vetë përfaqësimit dhe reduktuan natyrën demokratike dhe gjithëpërfshirëse të sistemit: ato shprehnin në thelb marrëveshjen që fituesi i zgjedhjeve i merr të gjitha. D.m.th. zotërimi i një shumice të thjeshtë në Kuvend mundëson zotërimin “në rrugë demokratike” edhe të pushteteve të tjera që burojnë apo që lidhen me Kuvendin, duke zbehur dukshëm mundësitë kontribuuese, rolin politik korrigjues e konstruktiv të opozitës, deri edhe nevojën e konsultimit publik e politik të saj. Sot ky kompromis politik po kontestohet pikërisht nga inspiruesit më entuziastë të tij.
Së dyti, procesi përdoret në funksion të luftës politike. Procesi konsensual dhe mënyra e aplikimit të tij në Shqipëri, pavarësisht vlerave që sjell në ekuilibrat politikë të vendit, dëmton dhe ridimensionon rolin e institucionit të Presidentit. Duke parë kërkesat e aktorëve politikë për procesin e zgjedhjes konsensuale të Presidentit, vëmë re se ata më shumë janë të prirë të përdorin procesin për përfitime politike, sesa të gjejnë kandidaturën e përshtatshme. Është ofenduese për opinionin publik kur forca të caktuara politike kërkojnë të përcaktojnë dhe karakteristikat e Presidentit. Kjo prerogativë i takon votës popullore, dhe jo individëve partiakë, përfaqësuesve të zgjedhur dhe “common sens-it”. Pra, procesi konsensual kthehet në një lojë politike dhe zgjedhja e Presidentit në një produkt koniunkturash të liderëve të partive politike. Me të drejtë, duke ndjekur zhvillimet politike të ditëve të fundit, analistë dhe komentues të këtyre zhvillimeve kanë ngritur shqetësimin se përjashtimi apriori i figurave që vijnë nga nivelet më të larta të elitës politike të vendit cenon vetë rolin e politikës, duke sjellë në vëmendjen e debatit faktin se përkatësia politike në momentin e marrjes së detyrës nuk është pengesa kryesore për t’u ngritur në nivelin e figurës qendrore të unitetit të kombit, por pengesa reale janë çështjet që lidhen me reputacionin publik dhe mbështetjen që gëzon në radhët e qytetarëve individi që kandidon për kreun e shtetit, çështjet që lidhen me integritetin personal, njohjen dhe përvojën drejtuese e qeverisëse etj.
Së treti, procesi konsensual shikohet nga komuniteti ndërkombëtar si një mundësi më tepër për politikën shqiptare për të gjetur gjuhën e bashkëpunimit dhe debatit, uljen e toneve të forta akuzuese dhe retorikës ndërmjet palëve që në fakt vret besimin publik tek institucionet e shtetit të së drejtës dhe gjetjen e zgjidhjeve politike në dobi të vendit dhe jashtë interesave partiake. Kërkesa e komunitetit ndërkombëtar nuk duhet të perceptohet nga politika shqiptare si një detyrim me pasoja. Demokracia Perëndimore na mëson se bazë e funksionimit të shtetit demokratik është ligji themelor dhe demokracia funksionale. Veprimet konsensuale janë kompromise politike dhe mënyra sjellje që prevalojnë në vendet demokratike dhe Shqipëria nuk duhet të bëjë përjashtim, për më tepër që aspiratat e saj qëndrojnë fort në integrimin europian. Veprimi i komunitetit ndërkombëtar më shumë se thirrje për mosrespektim të ligjit themelor të shtetit kërkon të provojë maturinë dhe përgjegjësinë e klasës politike shqiptare. Klasa politike shqiptare e pranoi këtë sfidë – të pranojë proces konsensual për zgjedhjen e Presidentit të Republikës edhe kur kishte hapësirat ligjore për një proces institucional e kushtetues që nuk mund ta gjykojë. Por, me këtë përgjegjësi që është pranuar nga maxhoranca aktuale procesi konsensual, që nga zhvillimet e ditëve të para meriton vlerësime pozitive, e që duhet të reflektohet nga të gjithë aktorët politikë me një sens përgjegjësie kombëtare, serioziteti dhe solemniteti aq të nevojshëm për vetë procesin. Në definicion ky proces nënkupton sintezë dhe evolucion dhe jo kompeticion e konflikt, gjetje të rrugëve për kompromis, ngritje mbi interesat e partisë në favor të atyre të vendit, mbi interesat e çastit në favor të atyre perspektive, mbi unin e liderit në favor të besimit publik ndaj institucioneve të shtetit të së drejtës. Procesi është një mjet për arritjen e qëllimit dhe jo vetë qëllimi. Sot ndodhemi përpara faktit që maxhoranca ka paraqitur një emër individi, atë të Prof. Xhezair Zaganjorit, një personaliteti të mirënjohur në fushën e ligjit, një diplomati të talentuar dhe i një profesori të respektuar gjerësisht në rrethet akademike brenda dhe jashtë vendit. Zgjedhja e këtij emri nga maxhoranca është për t’u vlerësuar pa kushte dhe opozita duhet të reflektojë pozivitisht – të pranojë kandidatin që e ka votuar një dekadë më parë për të qenë anëtar i institucionit garant të Kushtetutës së vendit – Gjykatën Kushtetuese – ose të shtrojë për diskutim cilësitë që e bëjnë ta pamundur pranimin e kandidaturës së tij. Përpjekjet e përsëritura të opozitës për nxjerrjen e politikës jashtë institucioneve, për demonizimin e figurave përfaqësuese të maxhorancës së sotme dhe ndërtimin kështu të legjendave urbane që mendohet se do të motivojnë rritjen e përkrahjes në votimet e 2013-s, nuk bëjnë gjë tjetër veçse dobësojnë bazën mbështetëse të vetë opozitës – besimin publik ndaj institucioneve, duke e vënë kështu gjithë procesin në funksion të një axhende politike të ardhshme. Nëse kjo ndodh, d.m.th. që opozita pa argumente do të vazhdojë të mos mbështesë kandidaturën e z. Zaganjori, atëherë ajo vetë (opozita), opinioni publik dhe ndërkombëtaret duhet të njohin të drejtën e padiskutueshme të maxhorancës për të ecur në rrugë institucionale e kushtetuese drejt raundit të katërt, ndoshta edhe duke ju rikthyer përzgjedhjes së figurave politike të saj.
Lidhur me këtë proces konsensual është e rëndësishme të kuptojmë që:
Së pari, në bazë të Kushtetutës, maxhoranca ka të drejtë të bëjë propozimin dhe opozita të japë konsensusin. Konsensusi është një proces vendimmarrës që duhet të bazohet edhe në realitetin politik dhe ligjin themeltar të shtetit, dhe jo të nisë nga e para. Në qoftë se opozita do ta konsideronte këtë proces të shkëputur e kompromis politik, duke mos respektuar realitetin e një maxhorance qeverisëse dhe numrave në Parlament, ajo duhet ta kishte menduar këtë skenar që në momentin e ndryshimit të Kushtetutës në vitin 2008. Shteti i së drejtës nuk ndërtohet nga qëndrimet voluntariste të liderëve të radhës së partive politike.
Së dyti, procesi konsensual presupozon zgjidhje për problemin, dhe jo vazhdimësi të luftës politike me të gjitha mjetet dhe mënyrat. Opozita nuk duhet ta konceptojë procesin konsensual si një fitore ose humbje të betejës së saj politike. Në qoftë se maxhoranca përzgjedh një kandidat cilësor që përmbush cilësitë e Presidentit të Republikës, kjo duhet të konsiderohet si fitore për tërë vendin dhe vetë opozitën. Ajo mund të jetë aktive në këtë proces duke paraqitur kandidatura nga ana e saj po aq cilësore sa kandidati i maxhorancës, dhe jo të bllokojë procesin. Në këtë rast, d.m.th. kur opozita të hidhte në lojë figurat më përfaqësuese të saj, është e kuptueshme se presioni i opinionit publik dhe vlerësimet me dhe pa zë të ndërkombëtarëve do të merrnin vlerë dhe çfarëdo nxitimi, gabimi apo triumfalizmi i maxhorancës në injorimin e ballafaqimit të pashmangshëm të “krediteve” publike të kandidaturave dhe mbështetjes që ato gëzojnë në funksion të zgjedhjes së më të mirit, do të ishte një kosto e pashmangshme për të në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.
Procesi konsensual për zgjedhjen e Presidentit, sigurisht do të shkojë drejt një zgjidhjeje. E rëndësishme është se në ç’masë qytetarët shqiptarë dhe klasa politike shqiptare përfitojnë nga ky proces. D.m.th. si maksimizohen dobitë shoqërore të vetë procesit: qytetarët presin një President shërbëtor të Kushtetutës, të ligjit dhe të interesave themelore të përbashkëta të tyre, ndërsa elita politike të demonstrojë se po maturohet, se po e udhëheq shoqërinë e sotme shqiptare me dinjitet drejt vlerave të demokracisë liberale. Edhe pse procesi erdhi si rezultat i problemeve të demokracisë funksionale në Shqipëri, demokracisë së brendshme dhe funksionimit të partive politike, i mungesës së besimit dhe luftës së tejskajshme politike dhe mungesës së kulturës së konsensusit, janë të gjitha mundësitë për ta administruar atë në mënyrë të përshtatshme. D.m.th që nga ky proces shtetit t’i jepet një President që përfaqëson dhe mbron interesat themelore kushtetuese të tij, dhe jo një “eminencë gri” të një kryetari partie qoftë në pushtet apo në opozitë, ndërsa qytetarëve t’u rikthehet besimi i lëkundur ndaj institucioneve që dalin nga vota dhe vullneti i shprehur i tyre. Procesi konsensual për zgjidhjen e Presidentit është një mundësi tjetër që klasa politike të kuptojë se lufta për pushtet nuk mund të jetë elementi që çon përpara shoqërinë, por mirëkuptimi dhe zgjidhja transparente dhe e përbashkët në funksion të interesave aktuale dhe perspektive të vendit.
© Panorama.al












