Cilësia përbën aspektin më thelbësor të programeve të studimit, prandaj dhe vëmendja e publikut, e grupeve të interesit dhe e vendimmarrësve përqendrohet në këtë aspekt. Sapo kryhet ndonjë procedurë vlerësimi i jashtëm, ka një ndjeshmëri mjaft të lartë për të bërë krahasimet se cili universitet apo program studimi është më cilësor se tjetri. Prandaj dhe ka një interes të shtuar për të mësuar se si qëndrojnë institucionet e arsimit të lartë, shkurt universitetet, në raport më njëri-tjetrin. Para pak javësh në media u trajtua me shumë bujë një renditje (rankim, sikurse po përdoret shpesh) e përvitshme për universitetet në nivel botëror, por që bazohet vetëm në aspektin pamor, në mënyrën se si perceptohet një universitet vetëm nga informacioni në Internet. Të dhënat e shfrytëzuara për këtë janë të diskutueshme, pasi kriteret dhe treguesit ku mbështeten janë të pashpallura. Kjo mënyrë renditjeje nuk dëshmon asgjë për cilësinë e programeve të studimit dhe debati se cili është universiteti më i mirë apo më i dobët në vendin tonë është pa vlerë, pasi nuk mbështetet në treguesit e cilësisë. Megjithatë, edhe kjo renditje duhet marrë në konsideratë, ndonëse me mjaft rezerva, me qëllimin e vetëm që t’i nxitë institucionet e arsimit të lartë që të sigurojnë më shumë informacion profesional, të besueshëm, të pasur dhe të vlefshëm për publikun e gjerë.
Në vijim të hartimit të procedurave për renditjen institucionale, me synimin për të ndërtuar një sistem kombëtar të sigurimit dhe garantimit të cilësisë, të brendshëm dhe të jashtëm, para dy vitesh filloi një projekt pilot nga kompania gjermane “CHE” (Qendra për Arsimin e Lartë), e cila i publikoi rezultatet në korrik të vitit të kaluar. Kjo renditje bëhej për herë të parë në vendin tonë dhe ishte një përvojë pozitive, e cila filloi në katër fusha kryesore, që kanë edhe numrin më të madh të studentëve; Drejtësi, Ekonomik, Shkenca Sociale dhe Infermieri. Procesi u përqendrua kryesisht në nëntë tregues me karakter informativ dhe cilësor: studentët, hulumtimi, punësimi, rezultatet e studimeve, mësimdhënia dhe të nxënit, vlerësimi i përgjithshëm, dimensioni ndërkombëtar, mjediset dhe vendndodhja. Më pas, njëri nga treguesit u klasifikua i pavlefshëm, pasi nuk përmbushi kriteret metodologjike. Ky projekt pilot, në vend që të bëhej nxitje për të vazhduar më tej punën edhe në fusha të tjera dhe të çonte në ngritjen apo konsolidimin e njësive të brendshme të cilësisë, u përdor për publicitet, ndonëse të dhënat e publikuara nuk bëjnë kategorizime, por treguesit i renditin në tri grupe: më të mirët 25% (të shënuar me ngjyrë të gjelbër në raport), ata mesatarë 50% (ngjyrë të verdhë) dhe më të dobët 25% (ngjyrë të kuqe). Brenda së njëjtës kategori, metodologjia e përdorur nga kompania gjermane “CHE” nuk bën klasifikim. Ky interpretim nuk mund të bëhet me klasifikime kategorike se cili është universiteti apo programi më i mirë. Të dhënat e renditura sipas tri kategorive kërkojnë një interpretim më kompleks se p.sh., një universitet që ka tregues të mirë të personelit me grada dhe tituj akademikë, mund të mos ketë tregues të mirë në hulumtim, apo një universitet me mjedise shumë të mira, pra tregues të lartë për infrastrukturën fizike, mund të ketë tregues të ulët të bashkëpunimit ndërkombëtar, e kështu me radhë. Që një institucion i arsimit të lartë apo program studimi t’i ketë të gjithë treguesit të të njëjtit nivel, është rast i rrallë të ndodhë, p.sh., të gjithë të gjelbër (që do të thotë se futet në kategorinë e 25% më të mirëve), apo të gjithë treguesit të kuq (që do të thotë se futet në kategorinë e 25% më të dobëtëve).
Dy shembujt e mësipërm i morëm për ilustrim, për të dëshmuar se që të arrijmë në një renditje, kombëtare apo globale, të institucioneve të arsimit të lartë dhe të programeve të studimit, është e domosdoshme të mbështetemi në tregues të matshëm, të besueshëm dhe më pas mbi këtë bazë të bëhen gjykimet, të merren vendimet, të zhvillohet procesi i akreditimit.
Por, që të arrihet deri në renditjen (ranking) dhe klasifikimin (rating) e universiteteve sipas cilësisë, si për aspektin institucional, ashtu dhe të programeve të studimit, ka një proces që kalon në dy faza: atë të vlerësimit të brendshëm dhe të vlerësimit të jashtëm. Sot, në vend të termave “kontrolli i cilësisë”, përdoret togfjalëshi sigurimi dhe garantimi i cilësisë, çka do të thotë se procesi ka si qëllim që t’i nxitë institucionet dhe personelin akademik që të përmirësojnë në mënyrë të vazhdueshme cilësinë.
Deklarata e Bolonjës përkrah bashkëpunimin institucional për garantimin e cilësisë në arsimin e lartë përmes zhvillimit të kritereve dhe metodologjive të përbashkëta ose të krahasueshme me njëra-tjetrën. Në këtë drejtim janë hartuar procedura, instrumente dhe janë përpunuar tregues të cilësisë. Gjatë kësaj periudhe më shumë se dhjetëvjeçare, procesi i Bolonjës ka shënuar arritje. Në vitin 2005, në takimin e Bergen-it, ministrat e vendeve pjesëmarrëse miratuan standardet dhe udhëzimet për sigurimin e cilësisë në hapësirën europiane të arsimit të lartë. Në vitin 2009, në Leuven Communiqué gjithashtu u theksua se garantimi i cilësisë do të mbetet prioritet në këtë hapësirë ku po ndërtohen mekanizma dhe po ndërmerren nisma të reja me qëllimin që të sigurohet informacion rreth institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të studimit që ata ofrojnë. Pikërisht është kjo arsyeja që, kur bëhen publike renditje apo klasifikime të ndryshme të universiteteve, gjëja e parë që duhet të kemi si referencë besueshmërie mbetet përdorimi i instrumenteve, mekanizmave dhe treguesve të përcaktuar në nivel kombëtar, të krahasueshëm me ato në nivel europian e global.
Le të merremi me thelbin e çështjes: sigurimin dhe garantimin e cilësisë, e cila përbën edhe temën e këtij shkrimi. Procesi fillon nga brenda institucioneve të arsimit të lartë, universitetet. Cilësia prodhohet në universitete dhe më mirë se organizmat e jashtëm, është personeli akademik dhe strukturat e tjera administrative, menaxhuese dhe drejtuese, që mund të jenë në gjendje të dëshmojnë për cilësinë. Por, që të dëshmohet kjo cilësi, duhet një strukturë e veçantë me kualifikimin dhe kapacitetin e duhur që të ndërmarrë procesin, dhe kjo strukturë është njësia e vlerësimit të brendshëm, e cila ushtron veprimtarinë për sigurimin dhe garantimin e cilësisë së institucionit dhe të programeve të studimit.
Modeli institucional i njësive të brendshme të sigurimit dhe garantimit të cilësisë përbën tërësinë e burimeve dhe informacionin e nevojshëm për të ngritur, mirëmbajtur dhe përmirësuar cilësinë e standardeve të mësimdhënies, përvojat e të nxënit të studentëve dhe shërbimet që sigurohen për komunitetin dhe shoqërinë në tërësi.
Modeli për sigurimin dhe garantimin e cilësisë së programeve të studimit, i cili përqendrohet në mësimdhënien dhe të nxënit, përbëhet nga këta komponentë: cilësia e kontributeve hyrëse (input), cilësia e procesit dhe cilësia e rezultateve përfundimtare (output).
Modeli i sigurimit dhe garantimit të cilësisë për programet e studimit fillon me rezultatet e pritshme të të nxënit, që dëshmojnë për zotërimin e kompetencave nga studentët, më pas vazhdon me cilësinë e procesit, i cili përfshin mbështetjen e personelit akademik, cilësinë e studentëve, ndihmën dhe mbështetjen që u jepet atyre si edhe cilësia e infrastrukturës kryesore dhe asaj ndihmëse.
Një përbërës i rëndësishëm për cilësinë janë rezultatet e procesit të të nxënit, përfshirë këtu edhe përqindjet e kalueshmërisë dhe të mbetjeve apo largimeve, koha mesatare e përfundimit të studimeve, niveli i punësueshmërisë dhe veprimtaritë studimore e hulumtuese. Në përfundim sigurohet informacioni t’i dhënë përgjigje pyetjes kryesore: A janë plotësuar pritshmëritë të palëve të interesuara dhe cilat janë veprimet konkrete që do të ndërmerren për përmirësimin e pandërprerë të sigurimit të cilësisë dhe përmbushjes së standardeve? Nëse ky informacion është i plotë, i matshëm, i besueshëm dhe transparent, atëherë palët e interesuara janë në gjendje të nxjerrin vetë përfundime për cilësinë e institucionit dhe të programeve të studimit që ata ofrojnë.
E gjithë çështja është të përdoren në nivel kombëtar në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik apo privat, tregues të njëjtë, të cilët tashmë ekzistojnë, që të bëjnë të mundur krahasimin e institucioneve dhe të programeve të studimit. Njësitë e vlerësimit të brendshëm të jenë funksionale si struktura të qëndrueshme, duke plotësuar kështu punën në kuadër të sigurimit dhe të garantimit të cilësisë në institucion e më pas procesi i vlerësimit të jashtëm kryhet më lehtë dhe e bën më të besueshme renditjen dhe klasifikimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe të programeve të studimit. Ky proces u shërben disa qëllimeve njëherazi: u përgjigjet kërkesave të konsumatorëve për një interpretim më kuptueshëm të informacionit për gjendjen e institucioneve të arsimit të lartë; nxit konkurrencën midis tyre; siguron informacion për përdorimin më të efektshëm të burimeve financiare dhe bën më të lehtë diferencimin midis tipave dhe llojeve të ndryshme të institucioneve dhe programeve të studimit që ata ofrojnë. Në vend të retorikës për cilësinë, të ndërtojmë sistemin e vlerësimit të brendshëm në çdo institucion të arsimit të lartë, të bëhet publike në faqet e tyre të Internetit i gjithë informacioni i nevojshëm, duke përmbushur misionin e tyre përpara shoqërisë se arsimi i lartë është një e mirë publike, atëherë dhe vetëm atëherë palët e interesuara do të jenë në gjendje të gjykojnë për cilësinë.
*Këshilltar i Kryeministrit për arsimin
© Panorama.al












