Sot, në ditën botërore të veshkës, të njëjtin slogan do të përdorin edhe bluzat e bardha në vendin tonë. Ata i bëjnë apel popullatës të mos neglizhojnë sidomos 3 parametra të matshëm, të cilët me anë të analizave të thjeshta mund t’u shpëtojnë jetën. “Shumica e të sëmurëve me veshka mbartin një risk të lartë prej vdekjes së parakohshme nga zemra. Për herë të parë këtë vit jepet një e dhënë e re, e cila lidh drejtpërdrejt sëmundjen e veshkave dhe ato të zemrës”, shprehet Nestor Thereska, shefi i shërbimit të nefrologjisë, në spitalin “Nënë Tereza”. Ai shton se ekspertët botërorë kanë arritur në përfundimin se kapja në kohë e disa shenjave treguese për sëmundjen e veshkave dhe trajtimi i tyre ul deri në masën 40% për qind sëmundjet kardiovaskulare. “Bëhet fjalë për 3 indikatorë, që janë: proteinuria, filtracioni glomerular dhe albuminurina. Të gjitha këto targete janë lehtësisht të matshëm me ekzaminime jo të shtrenjta. Ndaj, apeli që i bëjmë ne popullatës, është se zbulimi në kohë i tyre është i efektshëm për të krijuar masa të hershme parandaluese, të cilat shkojnë përtej trajtimeve tradicionale për sëmundjet e zemrës”, shprehet Thereska. Ai shtoi se tashmë ekzistojnë evidenca të detyrueshme, të cilat përfshijnë ekzaminime selektive për sëmundjet kronike të veshkave në programet globale të shëndetësisë, të planifikuara fillimisht për të ulur sëmundjet kronike të zemrës. Thereska sqaron se kjo lidhje mes dy sëmundjeve do të dominojë strategjitë e ardhshme të kujdesit shëndetësor. “Prania e sëmundjes kronike të veshkave rrit në mënyrë sinjifikative riskun për ngjarje kardiovaskulare në subjekte me diabet dhe hipertension, por deri tani ka qenë shumë pak e ditur dhe i vlerësuar fakti që vetë sëmundja kronike e veshkave është një faktor risku për sëmundjet kardiovaskulare, pavarësisht diabetit, hipertensionit, apo faktorëve të tjerë të riskut. Në vendin tonë, 10% e popullsisë vuan nga sëmundjet e veshkave. Çdo vit mesatarisht humbin jetën 300 persona me insuficiencë renale. Nga ana tjetër janë rreth 350 pacientë të rinj, të cilët kanë nevojë të trajtohen me dializë, pasi të dyja veshkat i kanë jashtë funksionit. Në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën sëmundjet e veshkave janë sëmundje me kosto shumë të lartë për vetë politik-bërësit, ndaj programet parandaluese janë të rëndësishme. Sipas të dhënave të OBSH-së, ka një rritje 20-30 fish të riskut të shfaqjes së sëmundjeve kardiovaskulare në pacientë me funksion renal të stadit të fundit.
ZIRINA LLAMBRO











