PRIZREN- Sot në Prizren protestohet kundër Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit. Koalicioni ad-hoc i OJQ-ve ka bërë të ditur se protesta do të përcjellë porosinë se heshtjes qytetare po i vjen fundi në lidhje me këtë akt dhe se nëse nuk merret parasysh vullneti i tyre atëherë do të merren hapa të mëtutjeshëm për mos lejimin e zbatimit të tij në praktikë. Gjatë një konference për medie, përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë përsëritur qëndrimin se Prizreni nuk ka nevojë për një ligj diskriminues, i cili krijon favore të posaçme ndaj një grupi të caktuar fetar.
“Protesta e 29 janarit është protestë qytetare e organizuar nga shoqëria civile, gjatë së cilës, qytetarët pa marrë parasysh bindjet dhe orientimet e tyre politike, fetare, apo etnike do të protestojnë të bashkuar nën moton “Nuk e duam ligjin”. Nuk e duam ligjin sepse Kosova posedon me legjislacion të avancuar dhe institucione adekuate për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, derisa mangësia kryesore është mos-respektimi dhe mos-zbatimi i ligjit. Nëse nuk respektohen ligjet ekzistuese për trashëgiminë kulturore, çka na garanton që një ligj i ri do të respektohet?! Kjo është vetëm edhe një dëshmi që ligji për Qendrën Historike të Prizrenit nuk e ka për qëllim mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, por krijimin e situatave të reja favorizuese për një bashkësi të caktuar fetare, që paraqet diskriminim të qartë të qytetarëve të Prizrenit”, ka thënë Arben Shala, në emër të koalicionit të OJQ-ve.
Ai ka shprehur edhe një herë argumentet e shoqërisë civile se projekt-ligji për Qendrën Historike të Prizrenit është anti-kushtetues, diskriminues dhe se nxit konflikte mbi baza fetare e etnike dhe i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të përkrahin protestën e së dielës.
“Koalicioni i OJQ-ve të Prizrenit i fton të gjithë qytetarët e Prizrenit, pa marrë parasysh orientimet e tyre politike, fetare ose etnike, që të dielën të jenë të bashkuar në protestën qytetare për të kundërshtuar një ligj që do t’i dëmtojë interesat e të gjithë atyre që jetojnë në Prizren”, ka pohuar Shala.
Duke i prezantuar detajet e protestës në kundërshtim të Ligjit për Zonën Historike të Prizrenit, ai ka theksuar se protesta do të mbahet të dielën, me fillim në orën 13:00, në sheshin Shadërvan të Prizrenit, ku edhe do të jepen argumentet kundër ligjit nga organizatorët e protestës, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës. Ndërkohë që me simbolikën e heshtjes do t’i përcillet porosia kryesore autoriteteve shtetërore, që të dëgjojnë zërin kundërshtues të qytetarëve prizrenas. (Koha Ditore)
© Panorama.al











