Privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore nuk duhet konsideruar si një proces i thjeshtë shitjeje. Në thelbin e tij privatizimi nuk është një proces për sigurimin e disa të ardhurave në buxhet, por një proces kompleks që ka disa faza, nga parapërgatitjet për privatizim, në privatizim dhe postprivatizim.
Ky proces merr rendësi të veçantë kur kemi të bëjmë me sektorë që kanë një rëndësi të konsiderueshme në ekonominë e vendit.
Privatizimi i një kompanie publike nuk është një veprim pas të cilit qeveria mund të fshehë problemet që krijohen me punonjësit, me ambientin dhe pronarët. Ai duhet të jetë një proces i qartë dhe i kujdesshëm për të gjitha impaktet e tij, duke filluar nga ato sociale.
Objektivat kryesorë të procesit të privatizimit duhet të jenë modernizimi i këtyre sektorëve, rritja e produktivitetit të tyre, rritja e aftësisë eksportuese të vendit dhe përmirësimi rrënjësor i kushteve të punës dhe i ambientit.
Përcaktimi i qartë i objektivave ndikon ndjeshëm në cilësinë e përzgjedhjes së investitorëve potencialë (blerësve), të cilët duhet të kenë një kredibilitet sa më të mirë teknologjik dhe financiar. Kredibiliteti teknologjik rrit cilësinë e prodhimit, kredibiliteti financiar mbështet investimet e domosdoshme në kohën dhe cilësinë e duhur. Së bashku garantojnë realizimin e investimeve të parashikuara, garantojnë modernizimin e prodhimit dhe arritjen e objektivave socialë dhe ambientalistë.
Privatizimet mund të jenë të ndryshme si për nga forma, ashtu dhe për nga struktura e aksioneve në kompaninë e re. Kjo sidomos në sektorë ku disa të drejta të shfrytëzimit të pasurive natyrore jepen për periudha shumë të gjata, ndërsa zhvillimet e ardhshme në tregjet globale janë të paqarta, sidomos në tendencat rivlerësuese në rritjen e çmimeve të mineraleve në tregjet globale. Patjetër që modernizimi i ekonomisë sonë, shfrytëzimi i pasurive natyrore, rritja e aftësisë konkurruese, kërkojnë investime në teknologjitë e reja nga kapitali vendas dhe ai i huaj. Shqetësimi qëndron si të optimizojmë përfitimet e kompanive private dhe për ekonominë tonë në tërësi. Më konkretisht, në rastin e vendburimeve të naftës dhe gazit kemi të bëjmë me pasuri që rivlerësohen gjithnjë e më shumë. Çmimet e naftës vetëm pesë vitet e fundit janë rritur nga 30-35 dollarë për fuçi, në rreth 100-140 dollarë fuçi, ose rreth 300%. Për këta sektorë duhen analiza të detajuara dhe të thelluara për opsione alternative, siç mund të ishte dhënia me koncesion për periudha të caktuara, ose një privatizim pjesor 51 deri në 75%.
Mosfunksionimi i bursës pengon si kompanitë e reja për të rritur kapitalin e tyre duke shitur aksione, ashtu edhe investitorët shqiptarë që nuk kanë mundësi të investojnë kursimet e tyre në kompani fitimprurëse. Kompanitë private synojnë të maksimizojnë përfitimet e tyre, ndërsa qeveritë duhet të maksimizojnë të ardhurat direkte dhe indirekte nga përmirësimi i shfrytëzimit të pasurive kombëtare. Sot ka shumë vende me institucione të dobëta dhe me nivel të lartë korrupsioni që janë duke paguar pasojat e kontr-atave korruptive të koncesioneve të pasurive natyrore dhe shitjes së ndërmarrjeve publike. Privatizimet kanë rritur fitimet abuzive, por kanë penguar rritjen ekonomike të vendit, rritjen e punësimit dhe rritjen e të ardhurave në buxhet.
Një element i rëndësishëm i privatizimeve është përgatitja për privatizim, ku një vend të rëndësishëm zë analiza e pikave të forta dhe e pikave të dobëta të kompanive që nxirren në shitje. Qartësimi i detyrimeve ndaj pronarëve të tokës apo truallit të ndërtesave ku kompania ka aktivitetin, ka rëndësi në ecurinë e saj pas privatizimit, ndaj duhen qartë-suar paraprakisht. Borxhet e këqija që kanë kompanitë në prag privatizimi me kompani të tjera, me sigurimet shoqërore të punonjësve dhe me buxhetin, ndikojnë jo pak në vlerën reale të shitjes. Qeveria duhet të merrte të gjitha masat për të pastruar gjendjen e rënduar financiare të kompanive përpara privatizimit.
Procesi i privatizimit nuk duhet të anashkalojë problemet sociale. Kjo nuk nënkupton të mos privatizohet kompania, por nënkupton të mos braktisen punonjësit e prekur nga ristrukturimi pas privatizimit. Shpesh privatizimet e kompanive të mëdha publike janë keqpërdorur për të larguar nga puna ekspertët dhe për të punësuar militantë pa arsimin, kualifikimin dhe pa eksperiencën përkatëse. Kjo ka ndikuar shumë në dështimin e disa prej privatizimeve, të cilat kthehen në kosto për ekonominë dhe taksapaguesit.
Problemet sociale për një ndërmarrje me 40 – 50 punonjës nuk mund të anashkalohen, braktisja e tyre nën justifikimin se ndërmarrja u privatizua, braktisja e tyre në kushtet kur mundësitë për punësim janë shumë të vogla, kur shumë prej tyre vuajnë nga sëmundje profesionale për shkak të ndotjes së lartë në këtë industri, krijojnë pasoja shumë të rënda për ata dhe familjet e tyre. Qeveria duhet të paraqesë në Parlament strategjinë e saj të asistencës së menjëhershme dhe programin konkret të trajnimit dhe të ripunësimit të tyre në mundësi të tjera të tregut të punës.
Një problem konkret për privatizimet e mëdha është edhe destinacioni i përdorimit të të ardhurave nga privatizimi. Kur privatizimi ndodh në kushte normale të ekonomisë, është pranuar se raporti më i mirë është ai i përdorimit 50% për uljen/shlyerjen e borxhit dhe 50% për investime prioritare me efekt në rritjen ekonomike dhe punësim. Mungesa e transparencës publike rrit abuzimet në keqpërdorimin e të ardhurave nga privatizimi dhe ul mundësinë e kontrollit parlamentar mbi to.
Në shitjen e kompanive publike, një element i rëndësishëm është edhe transparenca e kontratës së shitjes, aq më tepër për raste kur kompanitë publike disponojnë të drejta specifike dhe afatgjata në shfrytëzimin e pasurive nëntokësore.
Kontrata e shitjes në këto raste duhet të miratohet në Parlament. Në kulmin e rritjes së kërkesës për minerale, po i shfrytëzojmë pasuritë tona minerale duke i nxjerrë dhe eksportuar të papërpunuara. Në këtë rast vlera e shtuar në ekonomi si punësim dhe të ardhura buxhetore është simbolike. Vetëm humbjet nga mospërpunimi në vend i naftës dhe importimi i naftës së përpunuar nga vendet e tjera, sipas ekspertëve, është rreth 40 milionë dollarë në vit.
Pas dhënies me koncesion të disa fushave naftëmbajtëse të vendit tonë, banorët e këtyre zonave ndiejnë një shtet të dobët, që nuk i kontrollon dot kompanitë private. Ndiejnë një shtet të dobët kur problemet jetike të ndotjes vazhdojnë të marrin jetë fëmijësh në këto zona, kur përdorimi agresiv i “teknologjive të reja” të shfrytëzimit barbar të pasurive të nëntokës u rrezikon deri shembjen e shtëpive, kur kompensimi për dëmet në pasuritë private të banorëve të këtyre zonave është gati zero. Të ardhurat nga privatizimet shkojnë kryesisht për investime elektorale.
Ndaj, në përzgjedhjen e investitorëve potencialë në privatizimin apo dhënien me koncesion të pasurive tona duhet të nxisim dhe mbështesim investitorët seriozë që kanë eksperiencë të drejtpërdrejtë dhe që garantojnë planin e investimeve teknologjike dhe ambientaliste, si edhe objektivat socialë pas privatizimit.
© Panorama.al












