Priste bombolën e gazit, vdes nga shpërthimi

Sep 22, 2011 | 11:36

LIBRAZHD – Një 24-vjeçar ka gjetur vdekjen paraditen e së mërkurës, në një varrezë makinash, në hyrje të qytetit të Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00, kur 24-vjeçari Besnik Bala me banim në Elbasan, por i punësuar tek i afërmi i tij në Librazhd, ishte duke mbledhur materialet për skrap të nxjerra nga makinat, kur edhe ka gjetur vdekjen. Paraprakisht u mësua se vdekja e 24-vjeçarit ndodhi si pasojë e shpërthimit të një predhe, por më pas policia dhe grupi hetimor zbardhi të plotë ngjarjen e vdekjes së 24-vjeçarit. Sipas kësaj të fundit, mësohet se 24-vjeçari Besnik Bala kishte më shumë se gjashtë muaj që ishte punësuar tek një pikë grumbullimi makinash apo thënë ndryshe varrezë makinash, dhe merrej me çmontimin e hekurave të mjeteve për skrap, si edhe shumë materialeve të tjera hekuri që mblidheshin në këtë pikë varrezash. Ndërkaq, mësohet se në momentin e shpërthimit, 24-vjeçari ishte duke punuar me një troko për të prerë një bombël gazi, kjo e fundit ka shpërthyer duke e hedhur disa metra larg Balën. Për pasojë të plagëve nga shpërthimi, i riu gjeti vdekjen e menjëhershme. Ka qenë e menjëhershme ndërhyrja e disa kalimtarëve të rastit në periferi të varrezës së makinave, të cilët janë përpjekur që t’i japin ndihmë të riut, por ky i fundit ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia, e cila nisi menjëherë hetimet, ndaloi pronarin e varrezës së makinave, shtetasin A. Bala, duke u arrestuar disa orë më vonë, për predhën që u gjet nga kontrolli në një magazinë në pronësi të tij. m.s

© Panorama.al

Te lidhura