Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, nuk do ta vizitojë Kosovën siç është përfolur gjatë këtyre ditëve, për shkak të axhendës së saj të ngjeshur të parazgjedhjeve presidenciale në SHBA. Lajmi i ardhjes së sekretares amerikane të Shtetit u hap nga gazeta “Lajm”, por edhe “Express”, bazuar në burime ndërkombëtare. Këto ditë është folur shpesh se zonja Klinton mund ta vizitojë Kosovën më 4 tetor për të marrë pjesë në samitin ndërkombëtar të gruas, i cili organizohet nga Presidentja Atifete Jahjaga, por zyrtarë të Presidencës kanë thënë se Klinton nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen. Parashikohet që vizita e saj nuk do të ndodhë, edhe për shkak të axhendës së ngjeshur politike gjatë fushatës presidenciale. Ndërkohë shumë gra të fuqishme nga shtete të ndryshme të botës, sipas informacioneve nga Presidenca në Prishtinë, e kanë konfirmuar ardhjen e tyre në Kosovë, shkruan “Indeksonline”. Samiti i organizuar nga Presidentja Jahjaga mban temën “Partneriteti për ndryshim-fuqizimi i gruas” dhe pritet të mbledhë rreth 300 apo 400 lidere të politikës, avokate, përfaqësuese të shoqërisë civile, të biznesit dhe mediave. Përmes këtij samiti synohet krijimi i një platforme të përbashkët të avancimit të çështjeve gjinore në të gjitha fushat e jetës, përtej kufijve/dallimeve etnike, racore apo fetare, ka informuar Presidenca e Kosovës. Në samit do të marrin pjesë rreth 200 pjesëmarrëse nga Kosova, rajoni, Europa, Lindja e Mesme, Azia dhe Amerika. Në hapjen zyrtare më 4 tetor, ish-sekretarja amerikane e shtetit, Medlin Ollbrajt, do të mbajë një fjalë për rëndësinë e gruas si faktor kyç në zhvillimin e një shteti.











