Prishet pakti për ligjet me 84 vota

Jan 19, 2012 | 11:42

Komisioni i Ligjeve

PD dhe PS nuk arritën dje akordin në Komisionin e Ligjeve për të miratuar kalendarin që përfshin Kodin Civil

Xhafaj: Duam më shumë kohë. Rusmali: Relator do jetë Gjiknuri

Debati për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar zbret edhe në Komisionin e Ligjeve. Maxhoranca miratoi vetëm me votat e saj kalendarin trejavor të tij, ku në rendin e ditës për sot është parashikuar shqyrtimi i ndryshimeve në Kodin Civil.
Opozita e vlerësoi si provokim propozimin e kreut të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili caktoi Damian Gjiknurin si relator të këtij kodi. “Ky është një projekt i pakonsultuar dhe mendoj se ju duhet ta ndryshoni këtë metodë të punës suaj për këtë fillim sesioni, në mënyrë që kalendari të diskutohet paraprakisht. Ne kemi kërkuar më shumë kohë, për shkak se jemi brenda kësaj vendimmarrjeje për votimin konsensual brenda këtij tremujori, gjë që nuk është marrë në konsideratë në seancë. E quaj pak provokuese propozimin për të caktuar një relator nga opozita”, u shpreh Xhafa, pasi kreu i Komisionit të Ligjeve prezantoi kalendarin e punimeve për javët e ardhshme.
Reagimi i PD
Nga ana e tij, Ilir Rusmali tha se nuk është as në dorën e tij dhe të asnjë anëtari tjetër të Komisionit të përcaktojë kohën për shqyrtimin e projektligjeve. Ai tha se me propozimin që bëri për të caktuar Gjiknurin si relator për Kodin Civil nuk ka dashur të provokojë opozitën. “Koha për shqyrtimin e projektligjeve caktohet nga kalendari i punimeve të Kuvendit. Unë besova se propozimi im për të caktuar zotin Gjiknuri relator për këtë projektligj të rëndësishëm do të ishte një propozim që do të mbështetej nga të gjithë kolegët unanimisht. Nuk kam asnjë intension që të provokoj emocione këtu dhe të përpiqem t’i vendos kolegët socialistë kundër njëri-tjetrit. Kualitetet e Gjiknurit janë më se të mjaftueshme dhe të respektueshme për të marrë përsipër dhe për të shqyrtuar një çështje të tillë të rëndësishme dhe delikate siç janë ndryshimet në Kodin Civil”, theksoi Rusmali. Në përgjigje të fjalës së kreut të Komisionit, nënkryetari Xhafaj tha se opozita është shprehur pro diskutimit të këtij ligji me tre të pestat kur ka votuar pro programit, i cili përcakton periudhën kur duhen miratuar ligjet me shumicë të cilësuar.
Debati për miratimin e kodeve u bë një javë më parë në Konferencën e Kryetarëve dhe më pas në Parlament, ku opozita kërkoi më shumë kohë, ndërsa maxhoranca e lexoi këtë qëndrim si prishje të marrëveshjes së arritur në muajin nëntor.

Replika
Pas vlerësimit që Rusmali i bëri Gjiknurit si relator të Kodit Civil, Xhafa mori fjalën duke thënë: “Unë nuk dua t’i heq asnjë presje sinqeritetit dhe dashurisë tuaj për opozitën dhe për kolegët tanë të opozitës. Ju jeni njohur për sinqeritetin që keni, jeni njohur edhe për dashurinë e veçantë që keni për opozitën. Unë nuk mund t’jua heq këto spaleta që ju keni pasur fatin t’ia vini vetes”.

Takimi
Kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi dhe nënkryetari Ilir Gjoni zhvilluan dje një takim me dhjetë atashe ushtarakë të vendeve anëtare të NATO-s, si dhe të vendeve të tjera mike, rezidentë në vendin tonë, me kërkesën e këtyre të fundit. Sipas njoftimit zyrtar, Demi e Gjoni i njohën atashetë ushtarakë me paketën ligjore dhe reformat që mbështesin këtë veprimtari, me dokumentet e rinj strategjikë që po hartohen, me përpjekjet që bëjnë institucionet e sigurisë për të qenë efektivë në kryerjen e detyrave të tyre.

Komisioni i Integrimit miraton kalendarin e propozuar nga PS
Bushati: Të ndihmojmë Planin e Veprimit

Komisionet parlamentare të Kuvendit do të ndihmojnë Ministrinë e Integrimit të plotësojë Planin e Veprimit për 12 prioritetet e Komisionit Europian. Kryetari i Komisionit të Integrimit, Ditmir Bushati, ka propozuar dje një draft-kalendar, në të cilin parashikohet që Komisioni i Integrimit të paraqesë një raport për ecurinë e kritereve të vendosura nga KE. Ekspertët e Kuvendit do të ndihmohen për problematikat e caktuara edhe nga relacionet që do t’u adresohen komisioneve parlamentare. Ky kalendar është miratuar me konsensus nga maxhoranca dhe opozita në Komisionin e Integrimit dhe palët kanë vendosur t’u adresojnë problematikat e caktuara komisioneve parlamentare. “Ne na lind detyra për të mundësuar një proces sa më të strukturuar të Planit të Veprimit. Me këtë kalendar, ne propozojmë që për çështje të caktuara që stafi teknik i Kuvendit i ka të pamundura për t’i adresuar, ne si komision të investojmë strukturat përkatëse parlamentare. Pra, për shembull mund të jetë prioriteti i tretë që ka të bëjë me mënyrën se si duhet të emërohen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese apo të Lartë apo heqja e imunitetit në rrugë kushtetuese. Ne t’u kërkojmë komisioneve parlamentare të shprehen, në këtë rast të shprehet Komisioni i Ligjeve për të adresuar këtë problematikë. Me të njëjtën logjikë duhet të ecim dhe për komisionet e tjera, theksoi Bushati. Sipas Bushatit, Ministria e Integrimit do të përfundojë në datën 31 janar projektin përfundimtar të Planit për Veprim.

Kalendari Komisionit të Integrimit
• 24.01.2012 – Diskutim i Prioriteteve 1-4 me aktorë të shoqërisë civile të përfshirë në procesin e konsultimit.
• 31.01.2012 – Komisioni i Integrimit dërgon draftin e rishikuar për prioritet 5-12 për mendimin në Komisionin e Ligjeve, Komisioni i Sigurisë, Komisionit për Çështjen Sociale për fushat që mbulojnë respektivisht.
• 31.01.2012 – Strukturat parlamentare sjellin pranë Komisionit të Integrimit Europian, mendimet e tyre për prioritet 1-4.
• 14.02.2012- Komisionet e mësipërme dërgojnë mendimet mbi draft Planit të veprimit për 12 rekomandimet.
• 21.02.2012 – Komisioni integrimit Europian shqyrton draftin final të planit të veprimit dhe miraton kalendarin për monitorimin e tij.

© Panorama.al

Te lidhura