Prirja: Normaliteti apo Konflikti?

Jan 16, 2012 | 10:42

ARTAN HOXHA

1. Ndërsa politika po zhvillohet gjithnjë e më normalisht, palët ende vazhdojnë të ruajnë disa nga sjelljet, cilësimet dhe pozicionet e vjetra të konfliktit dyvjeçar. Në këtë fillim viti, Edi Rama e rikujton 21 janarin si protesta kundër regjimit fashist që vrau protestuesit paqësorë, ndërsa i kërkon Prokurorisë të ndëshkojë vrasësit dhe urdhëruesit e tyre në krye të regjimit. Sali Berisha e rikujton 21 janarin si tentativa për përmbysje me dhunë të rendit demokratik dhe mban në aktivizim, për çdo rast, komisionin hetimor parlamentar.
2. Gjatë historisë së shkurtër të demokracisë shqiptare postkomuniste, veç 21 vite, të dominuar nga dy forcat politike PD dhe PS, ka pasur konflikte mes të cilave, më të rëndat pas 1997 janë ato të shtatorit 1998 dhe janarit 2011; ka pasur periudha pa konflikte por me tension të përditshëm, siç edhe ka pasur periudha dhe akte mirëkuptimi e normaliteti konstruktiv e produktiv. Larmia e zhvillimeve u jep material opinioneve alternative mbi thelbin e identitetit, sjelljes së palëve politike dhe mënyrës se si ato perceptojnë palën tjetër, variabëla këto që ndikojnë fuqishëm rezultatet e ndërveprimit politik.
3. Në tabelën 1 dhe 2 modelohen, në mënyrë të thjeshtëzuar, sjelljet e pritshme të PD e PS, sjellje këto që dalin si rezultat i bashkëveprimit të tre variabëlve: i) variabëli i parë ka të bëjë me thelbin e identitetit të PD(PS), pra “a është PD(PS) një parti ekstremiste apo normale?”; ii) variabëli i dytë ka të bëjë me mënyrën se si sillet PD(PS) – “ose siç është ose ndryshe nga ç’është” – kur dihet që edhe nëse PD(PS) është normale, në ndonjë rast, në varësi të rrethanave, ia do puna të sillet me ekstremizëm ose, kur është ekstremiste, ndonjëherë ia do puna të sillet si normale. Variabëli i tretë ka të bëjë me mënyrën se si PD(PS) percepton thelbin e identitetit dhe/ose sjelljes së tjetrës, pra PS(PD), “herë si ekstremiste dhe herë si normale”. Secili nga këto tre variabëla merr vlerën “0” dhe “1”.
4. Sjellja e pritshme e PD apo PS do të ishte rezultat i shumëzimit të dy vlerave të tre variabëlve sipas të gjitha kombinacioneve të mundshme. Në tabelën 1 dhe 2, në kolonat A-H jepen tetë kombinimet e mundshme. Sjellja e pritshme e PD apo e PS merret si rezultat i veprimit të njëkohshëm të të tre variablave, pra duke shumëzuar vertikalisht vlerat në tabelë, përjashtuar rastin e kolonës “F”. Lexuesi i zellshëm mund ta zhvillojë vetë ushtrimin logjik, jo thjesht matematik, të kombinimit shumëzues të variabëlve në secilën kolonë e të dalë në të njëjtat përfundime. Në rreshtin e fundit të tabelës 1 dhe 2 vetëm sa zëvendësohen vlerat “0” dhe “1” me germat “K=konfliktual” dhe “P=paqësor”.
5. Tabelat 3 dhe 4 janë njësoj me ato 1 dhe 2, por kanë një kolonë më pak. Kjo për shkakun se është eliminuar kolona “F” e tabelave 1 dhe 2, pasi nuk bën kuptim që kur PD(PS) të jetë normale, ta perceptojë PS-në (PD-në) si normale dhe, në këto rrethana, s’ka se pse PD(PS) të sillet ndryshe nga ç’është në të vërtetë, pra të sillet si ekstremiste. Ndaj, në tabelën 1 dhe 2, produkti vertikal i kolonës “F” nuk është “0” por “1”, gjë që i bën rezultatet e kolonave F dhe H të njëjta. Për rrjedhojë, njëra kolonë eliminohet duke na prodhuar tabelat 3 dhe 4, të cilat kanë nga shtatë kolona.
6. Në tabelën 5, si në një fushë shahu, jepen të gjitha kombinimet e vlerave të variabëlit të sjelljes së pritshme të PD dhe PS sipas tabelave 1 dhe 2. Vlerat “0” dhe “1”, respektivisht të sjelljes së pritshme “K=konfiktuale” dhe “P=paqësore”, brenda tabelës 6 merren si një shumëzim i numrave “0” dhe “1” në krye të kolonave A-H dhe në fillim të rreshtave I-VIII. Rregulli bazë është që, nëse të paktën një nga dy faktorët e shumëzimit është “0(K)” atëherë shumëzimi del “0(K)” dhe vetëm kur të dy faktorët janë “1(P)”, shumëzimi del “1(P)”. Tabela 6 është e njëjtë me atë 5 por vetëm se ka shtatë shtylla dhe shtatë rreshta, pasi është rezultat i kombinimit të tabelave 3 dhe 4. Ndonëse veprimi formal i shumëzimit do të na jepte vlerën “0”, pra “K”, në disa kutiza të tabelës 5 dhe 6 është vendosur shenja “?” për arsye që do t’i shpjegoj më poshtë.
7. Si në tabelën 5 edhe atë 6 dallohen disa zona homogjene të rezultatit ndërveprues e, meqë tabela 6 është më kompakte, po shqyrtojmë disa përfundime që rrjedhin prej saj. Pjesa e tabelës me koordinata A-H dhe I-IV është zona me pritshmëri të lartë konflikti jo vetëm sepse sjellja e pritshme e PD dhe PS është njëkohësisht konfliktuale, por veçanërisht pasi, nëse u kthehemi tabelave 3 dhe 4, kolonat A-D, rreshti i parë, rezulton se PD dhe PS janë njëkohësisht ekstremiste. Pjesa e tabelës 6 me koordinata E-G dhe I-IV është një zonë me mundësi të lartë konflikti, pasi këtu është PS që, sipas tabelës 4, kolonat A-D, rreshti i parë, është ekstremiste ndaj prirja për konflikt është e lartë edhe pse PD, sipas tabelës 3 Kolonat E-G, rreshti i parë, është normale. Ky rezultat është logjik, pasi kur njëra palë është në thelb ekstremiste, sido që të jetë pala tjetër, konflikti është prirja e natyrshme e bashkëveprimit mes tyre. Në pjesën e tabelës 6 me koordinata A-D dhe V-VII, PD e PS ndërrojnë rolet, por rezultati është i njëjtë e për të njëjtat arsye prirja për konflikt është e lartë.
8. Kutiza e tabelës 6 me koordinata (G, VII) është e vetmja me vlerën “P”, pasi PD dhe PS kanë prirje paqësore sipas tabelave 3 dhe 4, kolona G. Pjesa e tabelës 6 me koordinata E-G dhe V-VII, është më interesante e paradoksale, ndaj dhe është përdorur shenja “?” në vend të shenjës “K”, siç në fakt do të dilte shumëzimi i vlerave të variablave. Kjo për faktin se, po t’iu referohemi tabelave 3 dhe 4, kolona E-G rreshti i parë, edhe PD edhe PS janë normale dhe sjellja e tyre konfliktuale vjen si rezultat i perceptimit gabimisht të tjetrës si ekstremiste. Ndaj këto kutiza janë shënuar me “?” për të tërhequr vëmendjen mbi tragjedinë e keqkuptimeve.
9. Sipas rezultateve të modelit, prirja për konflikt zë numrin më të madh të rasteve të mundshme, 40 nga 49. Prirja për paqe zë veçse një kutizë, ndërsa ajo e prirjes për konflikt për shkak të keqkuptimit zë 8 nga 49 kutiza gjithsej. Nëse vlerave “0” dhe “1” të secilit prej variablave në tabelën 3 dhe 4 u japim probabilitet të barabartë 50%, raportet 1/49, 8/49 dhe 40/49 japin përkatësisht probabilitetin e sjelljes paqësore, konfliktit mes dy forcave paqësore për shkak të perceptimit të gabuar të tjetrës dhe atë të konfliktit kur njëra apo të dyja janë në thelb parti ekstremiste. Probabiliteti për konflikt është shumë i lartë, ndërsa ai për paqe shumë i ulët.
10. Theksoj se modeli është i thjeshtëzuar. Ai analizon vetëm prirjen e sjelljes dhe jo ç’vendim mund të marrë secila nga forcat politike në lojë, vendim ky për konflikt a paqe që varet jo vetëm nga prirja, por edhe nga llogaritë e kostove dhe përfitimeve. Ndaj, ndonëse konflikti ka probabilitet të lartë, si në rastin e Luftës së ftohtë, ai nuk ndodh nëse nuk dalin llogaritë. Modeli merr në konsideratë vetëm dy forca politike si dy qenie kompakte e të vetme mes tyre, pa të tretë në mes. Në realitet, partitë politike nuk janë kompakte. Ato përbëhen nga mijëra individë me interesa të ndryshëm dhe fuqi të diferencuar në përcaktimin e sjelljes së partisë. Brenda secilës parti vërehen segmente me ndikim drejt sjelljes normale dhe segmente që nxisin sjelljen ekstremiste. Edhe ndërveprimi politik PD-PS s’është i izoluar, por zhvillohet në praninë përshkuese dhe rrethuese të lloj-lloj interesave, faktorëve dhe aktorëve të tjerë.
11. Unë besoj se si PD dhe PS janë, në thelb e në origjinë, më së shumti, forca politike normale, konstruktive dhe zhvilluese. Në disa momente, dy partitë, veç e tok, kanë bërë akte të mëdha demokracie. Shpesh, fërkimet mes tyre kanë qenë produkt i keqkuptimeve, keqinformimit, intrigave për interesave të vogla e turlilloj faktorësh të tjerë të ngjashëm. Por, kemi pasur disa momente kur veprimi i segmenteve ekstremiste apo i ambicieve të mëdha për pushtet me çdo çmim, kanë shkaktuar tronditje të vetë thelbit normal të secilës parti, me pasojë kryerjen e akteve të rënda konfliktuale.
12. Ndryshe nga tabela 6, në jetën reale, normaliteti ka qenë më i shpeshtë se konflikti prej ekstremizmit. Shpjegimi i vetëm është se normaliteti është thelbi dominues i të dy partive, ndërsa ekstremizmi një devijancë në rrethana të veçanta. Ndaj, besoj se paqja, demokracia, zhvillimi dhe modernizimi është destinacioni ynë edhe i afërt e jo vetëm i largët. Por, ky destinacion nuk është plotësisht i sigurt. Ka plot rreziqe. Paqja kërkon kontributin e kujtdo që dëshiron paqe dhe ndan mendimin se thelbi i partive dhe sistemit të sotëm është realisht demokratik e normal por me defekte që duhen ndrequr, keqkuptime që duhen sqaruar dhe ekstremistë që duhen mposhtur.

© Panorama.al

Te lidhura