Prioriteti historik mbi ndërtimin e rrugëve

Dec 7, 2011 | 11:42

NDRIÇIM KULLA

Leksioni më i rëndësishëm i krizës së fundit eko-nomike ishte “cektësia e të menduarit afatgjatë”. Ky leksion, i përthyer në filozofinë moderne politike, u përcaktua si “boshllëk i krijuar nga koha e shkurtër e të menduarit”, duke parashtruar prerazi dhe qartë që në këtë boshllëk nuk duhet të vërtitet kurrë vorbulla e politikës, ekonomisë dhe vizionit të saj.
Nisur nga një këndvështrim i tillë, teksa ndoqa me shumë interes debatet mbi buxhetin, vendosa të jap disa refleksione që e shohin atë jo nga pikëpamja ekonomike, por sociale dhe qytetare. Më kryesorja, në gjithë atë qerthull diskutimesh është të dallojmë domenin e vlerave nga ai i përkohshmërisë dhe dështueshmërisë së “ndërtesave” tona, edhe mendore, të cilave u bindemi për t’i realizuar në praktikë. Është tjetër domeni i një vlere të mirëfilltë nga ai i një vlere të “ndërtuar” nga politika apo media, për qëllime të caktuara populiste.
E pasi ta kemi bërë një gjë të tillë larg ideologjisë dhe ndikimeve partiake, duhet të biem dakord në mënyrë konsensuale mbi promovimin dhe respektimin e këtyre vlerave në parim. Natyrshëm që mund të ketë debate, qoftë dhe të forta mbi format dhe modelet e qeverisjes. Tek e fundit, çdo forcë politike çon përpara idenë e vet të shtetit dhe ekonomisë, por jo deri aty sa këto debate të prekin dy skajet ose domenin e vlerave dhe populizmit. E kjo për faktin se përbri të ashtuquajturave ide apo parime ekonomike të panegociueshme, që i përkasin “idealisht” çdo pozicioni politik, ekziston edhe një kategori vlerash që kanë nevojë të qeverisen për të qenë të konsensueshme, e për të cilat është e patolerueshme asnjë shkujdesje që mund të shpërthejë në  krizë besimi, që është më e keqja nga të gjitha llojet e krizave, ashtu siç po tregon sot edhe realiteti europian. E konsensueshme, ose përafërsisht e tillë, në debatet më të forta për buxhetin ose për të gjithë kursin që ka ndjekur qeveria shqiptare, gjatë këtyre dy legjislaturave që është në fuqi, besoj se duhet të jetë p.sh. vlera e ndërtimit të infrastrukturës rrugore shqiptare.

Ashtu si individi për të njohur vetveten e për ta qeverisur atë ka nevojë për një udhëtim të gjatë përgatitjeje, ushtrimi, studimi, formimi dhe veprimi, po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për një shtet. E për sa i përket ndërtimit të rrugëve dhe arterieve të mëdha mbarëkombëtare, është e pakonsensueshme të themi se kjo ka qenë përherë, që në ditët e para të formimit të shtetit tonë, brenga jonë më e madhe e të gjithë rilindësve, albanologëve, udhëtarëve të huaj nëpër Shqiperi e më vonë e të gjithë atyre burrave të shtetit që menduan për ringjalljen e ekonomisë.
A ishte ky prioriteti i duhur gjatë këtyre viteve? Nëse ndiqet vetëm një linjë ideologjike partiake, e ndarë nga ai ligj që ravijëzon ciklet historike të zhvillimit, ajo përfundon të ngelet “jashtë kohe”. Në këtë këndvështrim, 8 vjet më parë, në skenën e filozofisë politike ekzistonte një domosdoshmëri historike e lidhur me një fazë të caktuar të evolucionit të këtij zhvillimi. Përveç kësaj, duhet para së gjithash të njohim edhe se cili është niveli i evoluimit të kombit në planin e perspektivës së tij historike, cila është e Mira e tij parësore dhe në ç’mënyrë kjo e Mirë mund të futet në planin e evoluimit të tij ekonomik. Në bazë të kësaj sinteze duhet të përcaktojmë se ç’projekt është më i dobishmi në “gjendjen aktuale historike”.
Nga pikëpamja qoftë ekonomike, qoftë e domosdoshmërisë historike, e gjithë ekonomia shqiptare e përqendruar në ndërtimin e rrugëve dhe veprave të tyre të mëdha ka qenë gjëja më e mirë, më produktive dhe më pak populiste që mund të ndërmerrte politika shqiptare. Është tjetër gjë debati mbi kostot e këtyre rrugëve. Është tjetër gjë ideja mbi masat që duhen marrë për të përballuar krizën.
Mirëpo asnjë fjalë të mirë, asnjë inkurajim qoftë edhe të largët, indirekt, nuk pashë të bëhej nga opozita, tani që edhe vetë qeveria e treguar e matur, pas dy-tri rrugëve të tjera të mëdha që pritet të përfundojnë (si rruga e Elbasanit, e Arbrit apo e bushtit të Jugut), mendon ta ketë kryer detyrën apo ciklin ekonomik të saj të ndërtimit të infrastrukturës rrugore të Shqipërisë.
Përkundrazi, orvatja e saj politike është zhvendosur fortësisht kah lufta për përfaqësimin e interesave sociale – siç duhet të ishte në një pozicion real apo ideal në përkatësi të pozicionit ideologjik – në një përllogaritje cinike për të “zënë në kurth” konsensusin e qytetarëve nëpërmjet fuqisë së propagandës mbi ndryshimin e gjendjes se tyre të mjerueshme sociale.
Po pse vallë mund të shërbente i gjithë ky miratim i këtij cikli? Parësisht për të mos ngjallur frikë tek njerëzit. Ndjenja mbizotëruese e kohës sonë është frika dhe pasiguria që i pengon njerëzit të kenë besim tek ndryshimi dhe i gozhdon paksa të gjithë në një lloj fatalizmi, pafuqie dhe dorëzimi pasiv. Bëhet kështu gjithnjë e më e qartë se frika nuk është vetëm një kategori psikologjike, por një kategori e vërtetë politike, siç e kishte kuptuar fare mirë Hobsi, Karl Shmiti, e në një kohë më të afërt, neokonservatorët amerikanë.
Pikërisht për këtë gjë është e rëndësishme të mos i besojmë vetëm kodit të arsyes e të post-ideologjive, por të mbështetemi edhe tek kodi i sensit të jetës dhe emocioneve, sepse siç thotë biologu i famshëm Humberto Maturana, nuk është arsyeja ajo që na bën të veprojmë, por emocioni. Atëherë do të qe mirë t’i mbështesnim e kultivonim këto emocione, në rastet kur ia vlejnë. E një nismë e tillë e inkurajuar nga vizioni dhe entuziazmi i  qeverisë dhe kryeministrit është shembulli më i mirë i këtij  raporti që opozita s’duhet të ketë vetëm me pozitën, por parësisht me popullin e vet dhe domosdoshmërinë e tij historike.
Le të mos harrojmë se është ngacmimi i dëshirave dhe emocioneve, e jo vetëm ai racional dhe konjitiv, shtysa sekrete që mund t’i shtyjë njerëzit dhe biznesin të angazhohen brenda një projekti të përbashkët me qeverinë. Sot situata ka ndryshuar plotësisht, ndaj evolucioni i mëtejshëm po kërkon transformime dhe përmirësime më të thella të zhvillimit shqiptar, që kanë të bëjnë me ambiente të tjera sociale (mbi të gjitha ekonomike, si p.sh. krijimi dhe ruajtja e vendeve të punës, transformimi dhe modernizimi i shtetit në epokën globale, tregu i lirë dhe gjithë organizimi i raporteve në të gjitha nivelet, qoftë edhe atë botëror). Pra, një forcë progresiste nuk është e licencuar njëherë e përgjithmonë, falë të qenët një herë progresiste. Një forcë bëhet e tillë kur me politikën e saj arrin të përballet me domosdoshmërinë historike.
Të kërkosh dhe zbatosh atë që është e mundshme, dhe jo të bërtasësh me zemrën në flakë për atë që është e pamundur, ka qenë gjithmonë diçka e vështirë, dhe u ka takuar gjithmonë si cilësi të virtytshmëve. Zëri i arsyes nuk është kurrë aq i fortë sa britma e irracionales. Britma që kërkon gjëra të mëdha e të pamundura për realitetin afatshkurtër, zotëron në vetvete vibrimet e moralizuesit (që në nivele të veçanta të kujton tingullin e një hipokrizie të pafundme). Të limitohesh tek e mundshmja, në një gjendje të tillë, duket kësisoj njëlloj sikur të heqësh dorë nga pasioni moral, në një kohë që e gjitha kjo i ngjan pragmatizmit të meskinëve. E vërteta është se morali politik konsiston përpikmërisht në qëndresën ndaj joshjes që ushtrojnë fjalët e mëdha e me të cilën luhet me fuqinë dhe fatet e një brezi të tërë. Ja, të tillë joshje duhet të “durojë” politika aktuale ndaj fjalëve të tilla të mëdha si lehtësim apo përmirësim të jetës dhe taksave për 95% të shqiptarëve. Është shumë e tejskajshme për të qenë e vërtetë.
Duhet të kemi kthjelltësinë ta orientojmë angazhimin tonë drejt lidhjeve sociale, qytetarisë në përgjegjshmërinë e vet dhe pjesëmarrjes civile. Duhet të mos mbjellim frikë, për të transformuar kështu shpresën nga një qëndrim psikologjik në një virtyt politik, e pastaj, nga virtyt në një parim rrënjëndryshues të realitetit, që sjell vetëm kuturisje dhe turbullime të panevojshme.

© Panorama.al

Te lidhura