Princi saudit i kurorës dhe udhëheqësi de facto i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, i premtoi sot presidentit amerikan Donald Trump një paketë investimesh që arrin deri në 1 trilion dollarë në Shtetet e Bashkuara.
“Ne besojmë në të ardhmen e Amerikës. Zoti President, besoj se sot dhe nesër do të mund të njoftojmë rritjen e këtyre 600 miliardë dollarëve në pothuajse 1 trilion dollarë investime”, deklaroi ai nga Zyra Ovale, duke marrë miratimin e Trump-it.
Gatishmëri për njohjen e Izraelit nëse krijohen kushtet e duhura
Gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë, princi saudit u shpreh se dëshiron të punojë për njohjen e Izraelit “sa më shpejt të jetë e mundur”, me kusht që të krijohen rrethanat e nevojshme. Ai i referohej një zgjidhjeje me dy shtete si bazë për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.
“Duam të bëhemi pjesë e Marrëveshjeve të Abrahamit, por duam gjithashtu të sigurohemi se rruga drejt një zgjidhjeje me dy shtete është përcaktuar qartë”, tha bin Salman nga Zyra Ovale, përkrah presidentit Trump.
Ai shtoi se ka zhvilluar një “diskutim konstruktiv” me Trump-in për këtë çështje dhe se “do të punojmë për të krijuar kushtet e duhura sa më shpejt të jetë e mundur” për arritjen e këtij objektivi.
© Panorama.al












