Jo se ndihen të tillë, por sepse të jesh grek ushqehesh më mirë se sa shqiptar.
Nga ligji “Për ndryshimin e kombësisë” janë të mbrojtur vetëm fëmijët. “De jure”, sepse “de facto” me ata po manipulohet më shumë se sa me të rriturit. Prindër me emra myslimanësh, por të vetëdeklaruar si ortodoksë para priftërinjve helenë, po dërgojnë fëmijët në shkolla, ku mësimi zhvillohet në greqisht. Jo vetëm që gjithçka është falas, por si mirënjohje ata marrin ndihmë financiare. Vetëm se sa herë ka aktivitete fetare, fëmijët duhet të marrin pjesë rregullisht, qoftë edhe duke u hequr nga mësimi. Nuk duket edhe aq keq për ta, duke pasur parasysh që pas meshave vijnë dhuratat. Ashtu siç ndodhi me vizitën e priftit të Patrës në Sarandë, at Sotirit, ku fëmijët ishin më të vëmendshëm te qeset e plastmasit ku dukeshin karamelet, sesa te greqishtja e tij meshtare, krejt e pakuptuar për ta si nxënës filloreje. Megjithatë, prania e tyre nis e merr kuptim dhe shpjegim, kur të njëjtët nxënës i sheh më vonë edhe në kishën Evangjeliste, në xhaminë e qytetit, në teqenë e ringritur, apo edhe në kishën e Dëshmitarëve të Jehovait, ku po predikohej fundi i botës. Me sytë e fiksuar në boshllëk dhe me mendjen nuk i dihet se ku, vogëlushët ndjekin predikimin e një dëshmitari të ardhur nga jashtë, i cili me një shqipe të mësuar muajt e fundit tregon se si do të vdesë njerëzimi. Disa janë të shoqëruar nga nëna të papuna, por ka dhe nga ato me aftësi të kufizuar, siç është rasti i një vajze në karrocë. Të pyetur, drejtuesit e asamblesë speciale njëditore thonë se kanë marrë lejen e prindërve, ndërsa harrojnë se fëmijët nuk janë madhorë për zotësi juridike dhe të rriturit duhet t’i mbrojnë. Por, në jugun e ngrohtë të Shqipërisë “hesapet” bëhen krejt gjakftohta. Duket se patriotizmi dhe prindërimi me përgjegjësi merr fund për ndihmat financiare, interesat e punësimit, apo edhe për disa karamele më tepër që vijnë nga Patra. Bëhet krejt e dhimbshme të mendosh nëse ato do të ishin çokollata.
***
Nëse me fëmijët është e lehtë të aludosh, me të rriturit bëhet pak e vështirë. Sidomos kur djali i Vezires ka lindur si Sulejman dhe në moshën 62-vjeçare ndihet si Aristidh. Vogëlush ai duket se është ndjerë mirë si Sulejman, po ashtu edhe kur është rritur, kur është martuar e deri kur është bërë baba. Por tani që është bërë gjysh, diçka nuk shkon dhe i është drejtuar gjykatës për të ndryshuar emrin, por edhe kombësinë. Ka zbuluar “papritur” se babai i nënës së tij ka qenë grek dhe quhej Aristidh, pikërisht si emri që do të marrë tani në pleqëri. “Dua t’i ndryshoj në nderim të gjyshit tim, jo për interesa ekonomike”, thotë Sulejmani duke iu shmangur fotografimit, por duket se i biri, Ilirjani, nuk është dakord. “I ka rënë mendja tani, ec e merre vesh këtë”, ndërhyn Ilirjani, i cili qesh vazhdimisht teksa flet. I pyetur nëse edhe ai do ta ndryshonte kombësinë pas babait, Ilirjani përgjigjet ironikisht: “Unë kam ardhur që ta marr në shtëpi babain e ta lërë këtë muhabet. Edhe pak do të duan të bëhen grekët shqiptarë, ç’duam ne të bëhemi grekë?!”
***
Të lindësh shqiptar dhe të pleqërosh grek është bërë shumë e lehtë. Madje, mund të gdhihesh shqiptar dhe të ngrysesh grek. Kemi një ligj për këtë, të cilin e shpjegon Alltun Çela, kryetar i Gjykatës së Rrethit të Sarandës, i cili është edhe iniciator për dërgimin e “kombësisë” në Gjykatën Kushtetuese. “Ligji i Parlamentit shqiptar, nr. 10129 të vitit 2009 “Për gjendjen civile”, ka përfshirë edhe rubrikën e kombësisë, e cila nuk ka ekzistuar më parë. Sipas këtij ligji, ndryshimi i kombësisë kërkohet dhe pranohet për ata fëmijë, që vijnë nga prindër me kombësi të ndryshme dhe ai ka të drejtën të zgjedhë kombësinë e njërit prej tyre, kur arrin në moshë madhore. Deri sa të arrihet mosha e pjekurisë, këtë të drejtë e kanë prindërit me marrëveshje të përbashkët. Në rastet ku prindërit nuk janë marrë vesh për kombësinë e fëmijës së tyre, ligji i njeh atij të drejtën e ndryshimit dhe të marrjes së kombësisë që dëshiron të njërit prej prindërve, me të arritur moshën madhore”, thotë ai, ndërsa pranon se sistemi i mëparshëm ka bërë edhe tjetërsime të qëllimshme të kombësisë së disa njerëzve.
Dhe në rast se nuk e ka bërë sistemi, e kanë bërë punonjës pranë zyrave të gjendjeve civile. Këtë mund t’ua vërtetojmë me dy certifikata martesore të qytetares me iniciale DH.S., e cila në fund të vitit të kaluar ishte me kombësi shqiptare, ndërsa për 2011-n është greke. Sipas verifikimeve pranë Gjykatës së Sarandës, na rezulton se personi në fjalë nuk ka hapur proces gjyqësor për ndërrimin e kombësisë, por është plotësuar kundër ligjit nga punonjës të zyrës së gjendjes civile (shihni faksimilen). Si kjo qytetare janë me qindra, të cilët zvogëlojnë harkun kohor të shndërrimit të kombësisë nga “shqiptarë” në “grekë”, vetëm për pak minuta.
ELISABETA ILNICA











