
TIRANE- Shqipëria të paktën për një ditë do të jetë e pastër.
Kjo falë nismës së prezantuar në Tiranë, nga organizata jo- fitimprurëse, Green Line Albania e cila do të sjellë në Shqipëri projektin ndërkombëtar “Let’s Clean world in one day 2012”.
Në lançimin e projektit, ku merrte pjesë edhe eurodeputetja Tanja Fajon, dhe ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, Green line Albania ftoi qytetarët që në mënyrë vullnetare t’i bashkohen kësaj nisme nga Tropoja në Sarandë, më 9 maj 2012.
Sipas organizatorëve, do të ndërtohet një hartë dixhitale e cila do të tregojë vendgrumbullimet e plehrave në të gjithë Shqipërinë. Projekti përfshin pastrimin e të gjitha këtyre vendgrumbullimeve, duke parë me prioritet, zonat rrëzë maleve, lumenjve, liqeneve dhe pikave turistike.
Ajo çfarë nisma synon të arrijë është jo vetëm pastrimi i Shqipërisë në një ditë, por ndërgjegjësimi i popullsisë që pastrimi të mos mbetet vetëm në një ditë.
Pjesëmarrëse në prezantimin e nismës nga Green Line Albania, eurodeputetja Tanja Fajon solli për të pranishmit eksperiencën sllovene, duke theksuar se kjo nismë u prit shumë mirë nga bashkëkombasit e saj.
“Jo vetëm e pastruam vendin në një ditë por u bashkuam si një komb i vetëm duke bërë diçka të mirë për të gjithë.”- tha Fajon.
Ajo kërkoi nga shqiptarët që të marrin pjesë në këtë nismë për t’i treguar vetes dhe gjithë Evropës së Shqipëria mund të bëhet një vend i pastër.
© Panorama.al











