TIRANË- Presidenti, Bamir Topi ka dekoruar sot personalitete të mjekësisë shqiptare, duke i nderuara ata për kontributin human ndër vite në shërbim të sistemit shëndetësor në vendin tonë.
Ceremonia u mbajt në mjediset e Presidencës, në prani të mjaft mjekëve specialistë, kirurgëve, profesorëve, miqve dhe familjarëve të të dekoruarve.
Topi në fjalën e tij, bashkë me vlerësimin e madh për personalitetet e pranishëm deklaroi se ceremonitë e kësaj natyre nuk do të mbyllen me kaq. dhe për mjekët, për profesorët e mjekësisë shqiptare, sigurisht nuk përfundojnë këtu.
“Sot më shumë se kurrë, vëmendja përqendrohet ndoshta në mënyrë të pamerituar tek konsumet e ‘scoop-eve’ mediatike, politike. Ajo që po e mbush më shumë jetën tonë, duke lënë shpesh herë pa vlerësuar, ai që është kontributi konkret në profesionet praktike, qoftë në fushën e mjekësisë, në fushën e ekonomisë, në fushat e inxhinierisë, por edhe në fusha të tjera”- tha Topi.
Dekorimet
Topi vlerësoi me Urdhrin “Nderi i Kombit”, Prof. Dr. Shefqet Ndroqin (Pas vdekjes), me motivacionin: “Personalitetit të shquar të mjekësisë shqiptare, njeriut human, mjekut të nderuar të popullit, shkencëtarit dhe pedagogut që me veprimtarinë e tij të gjerë e të shumanshme u bë një ndër themeluesit dhe organizatorët e mjekësisë moderne shqiptare, veçanërisht të asaj për kurimin e sëmundjeve të mushkërive”.
Presidenti Topi nderoi gjithashtu me Urdhrin e lartë “Mjeshtër i Madh”: Janko Theodhosin (Pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontribut të shquar në mjekësinë shqiptare, si një nga themeluesit e shërbimit spitalor dhe pjesëmarrës aktiv e drejtues në luftën kundër sëmundjeve ngjitëse e atyre të rralla, si dhe për veprimtarinë e tij humane e shoqërore”;
Dhimitër Vavakon (Pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontribut të çmuar si një nga themeluesit e shërbimit epidemiologjik në fushën e shëndetit publik e veterinar dhe në përgatitjen e shumë brezave të studentëve dhe specialistëve të rinj në këtë fushë”;
Jolanda Koçin (Osmanlliun) (Pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në mjekësinë shqiptare, veçanërisht në sektorin e higjienë-epidemiologjisë dhe profilaksisë, si dhe për veprimtarinë e çmuar shumëvjeçare shkencore në fushën e prodhimit të vaksinave”;
Kel Naraçin (Pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontribut të shquar në zhvillimin e mjekësisë shqiptare, veçanërisht në mbrojtje të shëndetit të nënës e fëmijës, si dhe për veprimtarinë e tij në shërbimin sanitaro-epidemiologjik”;
Anesti Kondilin, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në mjekësinë shqiptare, si një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shërbimit të Reanimacionit të Kardiologjisë dhe për veprimtari të çmuar si pedagog e autor i një sërë tekstesh dhe botimesh në këtë fushë”;
Agron Belishovën, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në mjekësinë shqiptare, veçanërisht në krijimin dhe zhvillimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore në vend”; Flamur Tartarin, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në mjekësinë shqiptare, veçanërisht në shërbimin e urologjisë, duke aplikuar arritjet bashkëkohore në këtë fushë; për veprimtari të çmuar në punën shkencore si dhe në përgatitjen e studentëve e të mjekëve të specializuar”;
Bedri Bylykun, me motivacionin: “Për kontribut të shquar, shumëvjeçar, në diagnostikimin dhe kurimin e sëmundjes së turbekulozit në vendin tonë, si dhe në përgatitjen e studentëve dhe mjekëve të specializuar”;
Sulejman Zhuglin, me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në shërbimin e okulistikës në vendin tonë, si një nga themeluesit e saj dhe nismëtar i mikrokirurgjisë së syrit, duke futur përdorimin e aparaturës ekzaminuese dhe intervenuese në këtë shërbim; për aktivitetin e gjatë shkencor dhe pedagogjik në përgatitjen e specialistëve të rinj”;
Hysen Hetën, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në themelimin e klinikës së parë të kirurgjisë pediatrike në vendin tonë dhe në edukimin universitar dhe pasuniversitar të brezave të rinj në fushën e mjekësisë”.
© Panorama.al











