Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian bën apel për zgjedhjen e kreut të shtetit
Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nicolaos Chountis
“Një ngërç i ri do përkeqësonte situatën politike”
Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nicolaos Chountis, i kërkon politikës shqiptare që me zgjedhjen e Presidentit të ri të mos krijojë ngërç të ri politik. Sipas tij, zgjedhja e kreut të shtetit nuk duhet të krijojë një problematikë të re politike në vend, por duhet zgjidhur nga forcat politike shqiptare. “Shqipëria ka mjaft probleme, dhe një tjetër i kësaj natyre do të ishte i panevojshëm”, deklaroi ai dje për “AS”, duke iu referuar rasteve të mëparshme dhe sidomos situatës së paqëndrueshme në vend. Ai bëri të qartë se zgjedhja e Presidentit është një çështje që i takon popullit shqiptar dhe nuk duhet të ndërhyjnë faktorë të jashtëm. “Përcaktimi se cili do të jetë Presidenti i ardhshëm i vendit dhe si do të zgjidhet ai është një çështje që i përket popullit shqiptar, forcave politike shqiptare dhe do të ishte më mirë që për këtë çështje të mos ndërhynin faktorë të jashtëm. Me pak fjalë, është një procedurë që duhet të ndërmerret në mënyrë transparente e demokratike, duke u bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë. Uroj të zgjidhet në mënyrën më të mirë, që të evitohet krijimi i një problemi tjetër politik, i cili mund ta përkeqësonte situatën politike në vend”, u shpreh Chountis. Raporteri i Parlamentit Europian shprehu dje vlerësim për rolin e kreut të shtetit, Bamir Topi dhe qëndrimin e moderuar të tij dhe uroi që edhe pasardhësi i tij të përmbushë rolin e tij sipas asaj që përcaktohet në Kushtetutë. “Nga vizita ime e fundit në Tiranë, unë dhe grupi im patëm rastin të takojmë Presidentin Topi dhe e vlerësojmë qëndrimin e moderuar të mbajtur prej tij. Uroj që dhe Presidenti i ardhshëm të mund të përmbushë rolin e tij në bazë të asaj që parashikon Kushtetuta dhe të ndihmojë në përmirësimin e situatës politike në vend, të garantojë të drejtat e qytetarëve dhe të kontribuojë për forcimin e bashkëpunimit, miqësisë dhe paqes me vendet fqinje”, u shpreh raporteri i Parlamentit Europian. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sequi, ka shprehur pak ditë më parë nevojën e një procesi për të arritur një konsensus për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. “Duke lexuar Kushtetutën, e cila është shkruar nga vetë shqiptarët, kam parë se në nenin 86 të saj, Presidenti i vendit thuhet se është bashkim i shqiptarëve. Për sa i përket mekanizmit si të arrihet ky synim, këtë ua lë juve”, u shpreh ambasadori i BE-së në Tiranë. Duke theksuar mënyrën si u zgjodh Totozani në krye të Avokatit të Popullit, Sequi ofroi mbështetjen e tij personale, por edhe të BE-së për këtë institucion. Procesi i zgjedhjes së kreut të ri të shtetit nis në muajin korrik, por debatet se si duhet të jetë pasardhësi i Bamir Topit kanë filluar që tani. Opozita është shprehur për një President konsensual, ndërsa drejtuesit e maxhorancës kanë deklaruar se emri i Presidentit të ri do të vijë nga radhët e demokratëve.
Kreu i OSBE Prezenca e OSBE-së në Tiranë inkurajon zgjedhjen me konsensus të kreut të ri të shtetit. Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, deklaroi se 127 votat e dhëna për Avokatin e Popullit janë një tregues i qartë që konsensusi politik në Shqipëri mund të arrihet dhe të aplikohet edhe për Presidentin e Republikës. “Ajo që është shumë e rëndësishme për të shtruar rrugën drejt integrimit europian, është konsensusi, të folurit me njëri-tjetrin, dhe ja tek jemi te institucioni i Avokatit të Popullit. Kjo tregon se konsensusi është jo vetëm i mundur, por edhe se me konsensus Shqipëria ecën përpara”, deklaroi ambasadori i OSBE-së.
Ambasadorja gjermane: Konsensus për Presidentin Ambasadorja gjermane në Tiranë, Karola Mueller-Holtkemper, u shpreh pak ditë më parë se vendi i saj mbështet një proces konsensual dhe një President të ri që të jetë në lartësinë që kërkon kjo detyrë. Gjatë një vizite në qytetin e Burrelit, Holtkemper, e pyetur nga gazetarët, tha se “Presidenti duhet të zgjidhet sipas rregullave dhe Kushtetutës vendëse”, por nënvizoi se “për pozicionin në fjalë mirëpritet një kompromis mes palëve dhe se kandidati duhet të ketë disa cilësi të veçanta për të qenë në krye të shtetit”. “Presidenti duhet të zgjidhet sipas rregullave. Shqipëria e ka një Kushtetutë ku përcaktohet qartë se si zgjidhet Presidenti, por ne mbështesim një konsensus mes palëve për të gjetur një emër që ka cilësitë e veçanta për të qenë President”, tha ambasadorja Holtkemper.
Sali Berisha
Kryeministri Berisha
Kryeministri Sali Berisha ka përsëritur disa herë qëndrimin e maxhorancës se do të jetë ajo që do të zgjedhë kreun e ri të shtetit. “Ky është viti i zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ju garantoj se do të zgjidhet kryekëput dhe tërësisht në përputhje me Kushtetutën e vendit, por çdo përpjekje për t’i imponuar Shqipërisë, për t’i kushtëzuar asaj dëshira suplementare në raport me Kushtetutën, do të pësojë dështimet që kanë pësuar të tjerat. Uroj që të bëjmë përpjekje të mëdha për t’i dhënë vendit një President në lartësinë e detyrave, në lartësinë e Kushtetutës dhe të ligjeve të vendit, me integritet të plotë”, u shpreh kreu i qeverisë.