Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekoroi dje me dekoratën më të lartë “Nderi i Kombit” profesor Ali Progri, pas vdekjes, ish-drejtorin historik për rreth 27 vjet i Politeknikumit të Tiranës, sot Harry Fultz. Në një ceremoni ku merrnin pjesë familjarët e profesor Progrit, kreu i shtetit vlerësoi kontributin e tij në arsimin shqiptar.
“Sot, kam kënaqësinë e veçantë si President i Republikës, por edhe personale si qytetar i këtij vendi, të vlerësoj Profesor Ali Progrin me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit’, për cilësitë e rralla dhe në veçanti, për punën e shquar dhe kontributin e vyer që ka dhënë në fushën e arsimit, shkencës, kulturës dhe ekonomisë së vendit tonë”, u shpreh në fjalën e tij presidenti Nishani. Prë presidentin e Republikës, profesor Progri mbetet një nga themeluesit e Universitetit të parë shqiptar.
“Profesor Aliu ishte dhe mbetet në mendjet e zemrat e shumë e shumë prej ish-nxënësve të tij modeli tipik i një pioneri të përkushtuar të arsimit modern shqiptar, duke qenë njëkohësisht edhe njëri nga themeluesit e universitetit të parë shqiptar, atij të Tiranës”, u shpreh kreu i shtetit.
“Në mënyrë të veçantë u dallua për veprimtarinë e tij të gjerë si një mendimtar i vyer dhe veprimtar i shquar, gjithmonë i kudogjendur dhe i gatshëm për të ofruar zgjidhje për problemet më kritike të arsimit, duke hartuar kurikula shkollore dhe duke botuar tekste për studentët e panumërt dhe brezat që u arsimuan nën kujdesin e tij akademik, por mbi të gjitha prindëror.
Për më tepër, Profesor Aliu shquhej për formimin e tij të përsosur profesional dhe shkencor. Falë disiplinës dhe përkushtimit të pashembullt ndaj punës shumë shpejt arriti majat e karrierës së tij”, tha ndër të tjera presidenti Nishani.
© Panorama.al











