Presidenti i ri Nishani dhe konsensualiteti i stërkërkuar

Jun 15, 2012 | 12:24

NDRIÇIM KULLA

Roli i intelektualit gjithmonë duhet të mbetet ai i një stimuluesi të pasionuar të ideve dhe debateve përtej dogmatizmit, përtej ideologjizimit të thekur, përtej radhëve të parafabrikuara. Një qasje të tillë do të mundohemi të përdorim edhe në vlerësimin e zgjedhjes së Presidentit tonë më të ri, përmes një procesi të gjatë e të shoqëruar nga befasi të ndryshme, që nuk duhet të ishte kaq i tensionuar dhe kaq vëmendje-tërheqës nëse gjërat do të kishin rrjedhur ashtu siç duhet. Që në fillim duhet të sqarojmë se nuk bëhet fjalë të peshojmë a të ponderojmë votat që dëftuan jo vetëm zgjedhjen e Presidentit dhe qëndresën e maxhorancës aktuale apo për të parashikuar fatin e ardhshëm të qëndrimit të  opozitës ndaj këtij veprimi. Përkundrazi, qëllimi ynë është të synojmë të kapim sinjalet më të thella të reagimit të publikut dhe shoqërisë parësisht, e pastaj edhe të ndërkombëtarëve në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të ri.
A ka “jetë” në shtjellimin ose kapërthimin e këtyre misioneve, apo ato janë si “shtigjet e ndërprera” për të cilat flet Hajdegeri? Që në krye të radhës e kam kornizuar procesin nëpër të cilin duhet të kalonte zgjedhja e Presidentit, si një proces që nuk ka asnjë arsye të krijojë tensione dhe duhet të merret qetësisht dhe në kohën e duhur, përndryshe krijon ankth dhe pasiguri të panevojshme. Pas kësaj, dy ishin gjërat që duhet të mbeteshin të patjetërsuara gjatë gjithë procesit: kushtetutshmëria dhe integriteti i kandidatit për President. Mund të pyesë gjithkush: po konsesualiteti i kërkuar nga ndërkombëtarët dhe i rrokur nga opozita si një “shans” i madh për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare? Në thelb, për këdo që njeh vlerën socio-filozofike të termit “njeri me integritet”, është e qartë se ai ka një përmbajtje shumë të fortë cilësisht dhe karakteristikash, morale, publike, aktiviste, profesionale, e kështu me radhë. Besoj se këto janë cilësitë më të mira dhe më të spikatura që i duhen sot shoqërisë shqiptare dhe sistemit tonë demokratik, ndaj mëshimi i integritetit është shumë më i madh, më i vlertë dhe një kusht shumë më i fortë për të ardhmen tonë, sesa një konsensus që mund të mos prodhonte një produkt të këtyre niveleve. E gjitha kjo ruante brenda atë farën e dyshimit intelektual që shpesh konsensuset në Shqipëri, gjatë këtyre viteve nuk kanë përftuar kandidatë par exellence, që aq shumë do të na duhej në këtë qindvjetor.
Qëllimi më i madh në vlerësimin e integritetit më shumë se sa konsensusi, ishte që ky i fundit të mos kthehej si qëllim në vetvete, që ky i fundit të mos përdorej si “mjet për përfitime maksimaliste”, e pse jo, edhe për të shmangur një skenar të padobishëm për vendin, si ai i zgjedhjeve të parakohshme. Mirëpo si u zhvilluan ngjarjet, u kuptua dita-ditës se rënia në një konsensus qe e pamundur. U përshëndet si një qëllim publik i përmbushur me bekimin e shoqërisë paraqitja e të dyja kandidaturave nga shoqëria civile dhe ajo e Drejtësisë dhe Diplomacisë. Ndonëse në rastin e parë vetëm një qejf-mbetje a kushedi ç’kleçkë procedurale gjeti opozita në rrëzimin e një kandidature që për tri raunde u pëqark pa u ulur dot në miratimin e saj. Në rastin e dytë, atë të zotit Artan Hoxha, habia dhe dyshimi intelektual se i gjithë qëndrimi i opozitës nuk ka lidhje me konsensusin, por me shpërdorimin e tij, ose e thënë ndryshe, me përdorimin e tij si një “mjet maksimalist” për të përfituar sa më shumë që të mundet, u tejkalua pa asnjë shkak e pa asnjë shpjegim të besueshëm. Ishin më se të pranueshme, përkundrazi, një vlerë e shtuar e publikes dhe profesionales mbi postin e denjësisë dhe unitetit kombëtar, kandidatura e zotit Zaganjori, në krahasim me shumë shëmbëlltyra të  integritetit që u përqarkën në diskutimet për emrin e Presidentit. Përpjekjet mbi dyjavore dhe të pareshtura  që bëri maxhoranca për të sjellë para publikut kandidaturat e saj, të cilat mua personalisht m’u dukën të sinqerta, ishin një standard, një risi demokratike në politikë, që edhe pse u hodhën poshtë pa i dhënë publikut arsyet, duhet të ruhet në kujtesën e shoqërisë civile si një model që duhet rikthyer në të ardhmen, pasi i bën mjaft mirë hapjes së politikës ndaj integritetit dhe vlerave jashtë saj, e që aq shumë i nevojitet emancipimit dhe demokratizimit të sistemit-vend të Shqipërisë.
Atëherë dyshimi intelektual, i natyrshëm për çdo mendim që kërkon të zhvillojë arsyet e vërteta që shpunë në këtë situatë, filloi të formësohej në nocionin se opozita konsensusin e kishte kthyer në qëllim në vetvete, jo në shërbim të interesave të vendit dhe Shqipërisë. Pse, vallë, nuk e meritonte asnjë nga kandidaturat e shumta të hedhura në tavolinën e bisedimeve dhe ato jashtë saj përkrahjen e opozitës? Si mund të besojmë, vallë, kaq lehtë, kaq hapur dhe kaq prerë që opozitës nuk iu dha mundësia për të kontribuuar, ku u bënë 4 raunde që debatohet gjithë kohën për Presidentin dhe ajo duke u fshehur në lojën e pa fund skolastike të kornizës së parimeve dhe më vonë   gjarpëroi pafundësisht duke mos “dhuruar” asnjë emër? Si është e mundur që ajo nuk pranoi asnjë emër, kur të gjithë ata që iu propozuan nuk ishin aspak politikë, kur gjithçka iu drejtua normalitetit dhe negociatave, ashtu siç vendosi kusht vetë opozita? Apo mos vallë konsensusi për të është lënia e këtij procesi qëllimisht në dorë të maxhorancës, për ta përdorur më pas në çështjen e statusit? Është vërtet e dhimbshme të shohësh se me ç’lehtësi a shkujdesje u trajtua i gjithë ky negocim nga ana e saj, pikërisht pse mbrohej nga koraca e fortë e statusit. Mirëpo harrohet se në mosrënien në konsensus, problemi është i të dyja palëve, jo vetëm i maxhorancës. Që të bësh një zgjedhje konsensuale duhet të kontribuojnë të dyja palët, dhe kjo duhet të bëhet në mënyrë të sinqertë. Emrat e propozuar nga maxhoranca dhe dorëheqja e Zaganjorit   nën sulmin opozitar për mungesë konsensusi duhet të na bëjë ta shqyrtojmë thellë edhe vetë nocionin dhe procedurimin e një konsensusi në të ardhmen. A duhet nënshtruar ai ndaj integritetit të figurës që propozohet, apo integriteti është ai që duhet çmuar edhe në zgjidhjet pa konsensus? Konsensusi u takon marrëdhënieve partiake dhe politike, Shqipërisë dhe shqiptarëve u takon një burrë shteti me integritet në postin e Presidentit. Realisht Bujar Nishani është një prurje e politikës, por në të vërtetë plotëson më së miri nga ato cilësi për të cilat politika tentoi që t’ia gjente një njeriu për ta bërë President të Republikës jashtë veprimtarisë së saj. Ai është një figurë që ka afruar gjithnjë paqe dhe mirëkuptim, ndaj këto cilësi janë ato që duhet të mbrujnë qëndrimin opozitar, e pse jo, edhe ndërkombëtar në të ardhmen. Një Presidenti duhet t’i vlerësojmë punën dhe reformat që bën, qasjet që përdor e qëllimet që përkrah. Ndaj, le të mos ia paragjykojmë frytet ende pa u lidhur. Me shumë dashamirësi unë tash them se ky është një rast për të mos menduar gjithmonë me paragjykim për politikën dhe politikanët tanë. Ndoshta jo i vetmi rast që konsensusi të na mbetet si rruga e vetme për çdo zgjidhje dhe zgjedhje. Le të jetë profili i tij i lartë prej njeriu të matur e të sprovuar një pikënisje për realizimin e nevojës sonë të madhe për reformat në sistemin e drejtësisë. Le të jetë profili i tij i lartë intelektual dhe profesional një pikënisje për kthimin e Presidentit më të ri të Shqipërisë në Presidentin mbi palët dhe në shërbim të unitetit të popullit, që aq shumë e kemi dëshiruar. Të gjithë ata që e njohin zotin Nishani, besojnë se ai do të jetë një garantues i mirë dhe i drejtë i pjesëmarrjes dhe kontribuimit nga ana e opozitës në proceset tona të mëdha kah integrimit. Profili i lartë moral dhe atdhetar i zotit Nishani le të jetë së fundi edhe pikënisja kah ëndrrës sonë për integrimin, duke mos e konsideruar këtë zgjedhje një shans të humbur, por përkundrazi, një vlerë të shtuar të integritetit dhe dinjitetit personal ndaj detyrave dhe shanseve që s’duhet t’i mohohen Shqipërisë në këtë udhë që kemi nisur.

© Panorama.al

Te lidhura