Presidenti i ri, Malaj pro Nanos

Dec 15, 2011 | 10:45

Malaj e Nano

“Ka kontribute pozitive në këtë tranzicion të vështirë”.

“Kontributet pozitive të Nanos në këtë tranzicion të vështirë janë evidente”. Kështu shprehet deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, në një mesazh të lënë në rrjetin social “Facebook”, lidhur me debatin e ditëve të fundit që hapi intervista e ish-kryeministrit socialist, Fatos Nano, për zgjedhjen e Presidentit vitin e ardhshëm. Sipas deputetit socialist, është ende herët për të diskutuar një çështje që i përket vitit 2012, por Malaj nuk ka ngurruar të vlerësojë kontributin e Nanos në disa momente kyçe të vendit. “Mendoj se është akoma shpejt që politika shqiptare të devijojë fokusin për reformat ekonomike dhe integruese në debatin për kandidatët për Presidentin e ardhshëm të vendit. Është e qartë që ky moment ka një rëndësi të veçantë për të zbutur ambientin politik apo për ta rikthyer atë në qëndrime bllokuese apo radikale. Nga mënyra se si maxhoranca dhe opozita do ta zgjidhin këtë problem, do të përcaktohet maturia e klasës politike në tërësi duke ndikuar edhe në zgjedhjet e 2013-s”, u shpreh Malaj. Sipas tij, “intervista e Nanos nuk synonte të hapte apo nxiste një grindje të re në politikën shqiptare dhe aq me pak në PS. Në këtë këndvështrim, si dhe duke marrë parasysh kohën tejet të mjaftueshme në dispozicion, do të jetë joefektive politikisht që të përfshihemi në debate publike të motivuara nga parapëlqimet apo hatërmbetjet e së shkuarës për diçka që pret”.
Vlerësimi për Nanon
Në komunikimin me miqtë e tij në Facebook, Malaj ka vlerësuar ish-kryeministrin e tij për rolin që ka luajtur nga viti 1991 me ndryshimin e sistemit politik dhe ngjarjet e 1997-s. “Nano ka synuar gjithmonë çtensionimin e politikës shqiptare në momente kritike të tranzicionit. Ato kanë nisur me ndryshimin e sistemit tonë politik dhe ekonomik në vitin 1991. Së bashku me kolegët e tjerë në PS, me vizion dhe përkushtim krijuan partinë politike moderne në të majtën shqiptare. Kontributet pozitive janë edhe në zhvillimet politike gjatë vitit 1997 dhe 1998 për të ulur tensionet politike, për të ndarë pushtet me opozitën dhe për ta nxjerrë sa më parë vendin nga kriza politike dhe kriza e rëndë ekonomike”, u shpreh më tej Malaj. Në të njëjtën kohë, sipas tij, Nano ka nxitur bashkëjetesën politike duke ndaluar përkeqësimin e situatës politike në vend, siç është marrëveshja e San Egidios, krijimi i qeverisë me bazë të gjerë, ndarje reale të pushtetit me aleatët e koalicioneve, zgjedhja në poste të rëndësishme të institucioneve kushtetuese, të personaliteteve edhe nga partitë e tjera politike, siç ishte zgjedhja e presidentit Moisiu në vitin 2002, zgjedhja e kryetarëve të KLSH etj. “Në shkurt të vitit 2007 Nano mori kosto personale duke mos ngurruar të japë mesazhe publike për domosdoshmërinë e shmangies së krizës së zgjedhjeve vendore dhe shmangien e një krize politike për zgjedhjen e Presidentit, për të mos humbur mundësinë historike të anëtarësimit në NATO. Krijoi kulturën politike të dorëheqjes, të cilën e ka aplikuar disa herë në mandatet e tij politike si Kryeministër i vendit dhe si kryetar i PS-së”, theksoi më tej deputeti i PS-së.

Vlerësimi
“Bazuar edhe në eksperiencën personale si ministër i Financave dhe ministër i Ekonomisë, Nano me vizionin e tij si politikan, me qartësinë e tij si ekonomist dhe me përgjegjshmërinë si kryeministër, nëpërmjet reformave jetike në ekonomi, ndihmoi në daljen sa më shpejt të vendit nga kriza e rëndë e vitit 1997 dhe i ktheu vendit kredibilitetin në partneritetin me FMN, BB dhe institucionet financiare ndërkombëtare”, tha më tej Malaj.

Presidenti: Dokle: Nano? Do flas kur të ketë ai ditëlindjen
Deputeti socialist, Namik Dokle, i pyetur dje se si e shikon kandidaturën e Fatos Nanos si president i ardhshëm në 2012, nuk preferoi të bëjë asnjë koment. “Nano president, kur të ketë ditëlindjen ai, do të flas!”, u shpreh Dokle. Duke vlerësuar figurën e Servet Pëllumbit, Dokle tha se ai mbetet figura më iluminuese e PS, i cili ka treguar vlerat më të mira se si bëhet politika. “Edhe po të mos kishte titullin profesor, ne në PS do ta quanim profesor, sepse është një nga figurat më iluminuese që ka pasur dhe ka PS, kthjelltësia dhe qetësia, largpamësia e profesor Servetit i kanë dhënë vlera të veçanta veprimtarisë dhe jetës politike të PS, kështu që është një etalon i maturisë dhe i veprimit të fortë politik”, u shpreh Dokle dje, gjatë kokteilit të organizuar nga PS.

Agasi: Nano duhet të jetë president nga PS

Bardhyl Agasi

Një nga bashkëpunëtorët e Fatos Nanos, ish-sekretar i marrëdhënieve me publikun, Bardhyl Agasi, kërkon mbështetjen e tij për postin e presidentit nga ana e PS. I pyetur dhe gjatë kokteilit për 75-vjetorin e Servet Pëllumbit, Agasi tha se Nano duhet mbështetur nga PS. “Patjetër që Nano mund të jetë president i ardhshëm. Nano është një figurat më të njohura të politikës shqiptare, një njeri që ka demonstruar gjatë gjithë jetës së tij politike një kulturë demokratike, që u ka munguar të tjerëve. Unë mund të numëroj se ai ka dhënë katër herë dorëheqjen, dy herë si kryeministër dhe dy herë si kryetar partie, pra ka vendosur një kulturë që nuk njihet në politikën e sotme”, u shpreh Agasi. Sipas tij, PS duhet “të mbështesë një kryetar të sajin që e ka drejtuar për 15 vjet, e ka transformuar atë dhe e ka çuar deri në anëtarësimin në internacionale”. Duke komentuar opinionet se Nano mund të ketë votuar kundër partisë që vetë ka krijuar dhe drejtuar, Agasi tha se kjo nuk qëndron. “Unë nuk mund ta besoj një gjë të tillë, nuk mund të votojë kryetari i familjes kundër familjes së vet. Ajo mund të jetë dhe një shprehje pakënaqësie për situatën e brendshme në parti, por nuk mendoj se Nano t’i kundërvihet PS-së. Ndërsa heshtjen e tij për aq kohë unë e shoh akoma si një gjë tepër pozitive, sepse në fund të fundit ai tregon se nuk është më i njëanshëm politik, nuk është vetëm i PS-së. Nano me dimensionin e tij ka treguar se mund të jetë president”, u shpreh Agasi. Ish-sekretari socialist jo në pak raste është treguar kritik ndaj qëndrimeve të lidershipit aktual të PS.

Për Pëllumbin
“Ajo që do të kërkoja nga profesor Serveti, është që të na jepte sekretin se si e ka ruajtur këtë rini, nuk ta jep përshtypjen fare për 75. Ndaj, do t’i uroja me gjithë shpirt jetë të gjatë. Dhe uroj që filozofia dhe ndershmëria e tij të reflektojë jo vetëm në PS, jo vetëm në elektoratin e majtë, por për gjithë Shqipërinë”, u shpreh Agasi për profesorin e PS.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura