
Në dhjetëvjetorin e vdekjes, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nderoi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, shkrimtarin dhe publicistin Teodor Keko (pas vdekjes). Dje, në ambientet e Presidencës, Presidenti Nishani i dorëzoi bashkëshortes së shkrimtarit, Urdhrin me motivacionin: “Për kontribut të shquar në fushën e letërsisë dhe publicistikës, duke promovuar në kulturën kombëtare risi dhe vlera autentike shpirtërore dhe intelektuale”. “Janë dhjetë vjet pa praninë e Teodorit, por që në këtë periudhë shumë gjëra na kanë lidhur ne dhe të gjithë qytetarët me emrin e Teodor Kekos. Sot është një rrugë në Tiranë me emrin e Teodor Kekos. Në libraritë e Tiranës botohen dhe ribotohen veprat e tij. Ka një çmim gazetarie, që jepet sot (dje) me emrin e Teodor Kekos. Vetë Teodori ua ka bërë shumë të lehtë të gjithë atyre që e njihnin, por edhe të gjithë publikut shqiptar kujtesën për të në formën, kohën dhe mënyrën e duhur përmes veprës që ai la trashëgim. Një njeri mund të jetojë dhe njëqind vjet dhe mund të mos lerë asgjë si shenjë e ekzistencës së tij. Teodor Keko jetoi pak, por la shumë”, tha Presidenti Nishani, duke renditur trashëgiminë që ai la pas në fushën e letërsisë në poezi, prozë, por edhe si orator në kontributin që ai ka dhënë në Parlamentin e Shqipërisë. Në ceremoni merrnin pjesë familjarët e Teodor Kekos, të cilët shprehën mirënjohjen e tyre për këtë nderim që i bëhet njeriut të tyre të dashur, pa vdekjes. Ndërsa, po dje, në orën 19:00 në ambientet e Teatrit Kombëtar u zhvillua një mbrëmje-homazh e titulluar “Mall për Dorin”, e cila mblodhi si çdo vit miq e të afërm të Teodor Kekos. Nga njëra anë ishte vepra e tij që foli dje dhe nga ana tjetër miqtë e tij, njerëzit më të afërt, të cilët ndanë mes tyre kujtimet me Dorin. Këtë e bënë përmes një dokumentari të realizuar nga gazetarja Beti Njuma, por edhe një libri kujtimesh. Një arsye më shumë për t’u mbledhur dje, ishte edhe ndarja e Çmimit Kombëtar të Gazetarisë Kulturore, e cila mban emrin e Teodor Kekos. Këtë vit ky çmim iu dha kryeredaktorit të revistës “Mapo”, Alfred Lela dhe Luljeta Lleshanakut për emisionin “Orkidea” në televizionin “Albanian Screen”.











