“Presidenti i dashuron vajzat tona të reja!”- Zbulohet e vërteta për letrën e Epstein drejtuar Larry Nassar-it, Departamenti i Drejtësisë: Ishte e falsifikuar

Dec 24, 2025 | 8:12

Letra që pretendohet se Jeffrey Epstein i kishte dërguar në vitin 2019 Larry Nassar-it, ish-gjimnastit të dënuar për abuzim seksual, është e rreme, njoftoi Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

epstein

Në këtë letër, e cila ishte përfshirë në grupin më të fundit të dokumenteve që lidhen me Epstein-in, pretendohej se ai shkruante se Donald Trump “i pëlqen vajzat e reja dhe tërheqëse”.

Në një deklaratë, Departamenti i Drejtësisë thekson: “FBI ka konfirmuar se letra e supozuar e Jeffrey Epstein drejtuar Larry Nassar-it është E RREME. Kjo letër e falsifikuar është marrë nga sistemi i burgjeve dhe i është referuar FBI-së në atë kohë. FBI ka arritur në këtë përfundim bazuar në provat e mëposhtme:

Shkrimi i dorës nuk përputhet me atë të Jeffrey Epstein-it. Letra mban vulë postare tre ditë pas vdekjes së Epstein-it në Virxhinian Veriore, ndërkohë që ai ishte i burgosur në Nju Jork.

Adresa e dërguesit nuk përmendte burgun ku Epstein mbahej dhe nuk përfshinte numrin e të burgosurit, i cili është i detyrueshëm për dërgimin e korrespondencës.

Kjo letër e falsifikuar na kujton se fakti që një dokument publikohet nga Departamenti i Drejtësisë nuk do të thotë domosdoshmërisht që pretendimet ose akuzat e përfshira në të janë të vërteta. Megjithatë, Departamenti i Drejtësisë do të vazhdojë të publikojë të gjitha materialet që kërkohen me ligj.”

Nuk është e qartë nëse Epstein dhe Nassar, mjeku i ekipit olimpik amerikan të gjimnastikës, i dënuar për abuzim seksual, kishin ndonjë njohje mes tyre.

Në letrën e supozuar, pedofili i dënuar shkruante: “Siç e di tashmë, kam marrë ‘rrugën e shkurtër’ për në shtëpi. Paç fat! Ne ndanim një gjë të përbashkët… dashurinë dhe kujdesin për vajzat e reja dhe shpresën që ato të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e tyre.

Edhe presidenti ndan dashurinë tonë për vajzat e reja dhe tërheqëse. Kur kalonte një bukuri e re, atij i pëlqente të ‘kapte’, ndërsa ne përfundonim duke kapur ushqimin në mensat e sistemit. Jeta është e padrejtë. I yti, J. Epstein”, përfundonte letra.

nassar_letter

Sipas “The Guardian”, letra ishte shkruar gjatë presidencës së parë të Donald Trump. Ajo u raportua për herë të parë në vitin 2023 nga Associated Press, pasi u gjet mes më shumë se 4.000 faqeve dokumentesh të mbajtura nga Zyra Federale e Burgjeve.

Vëmendje të veçantë tërhoqi data e letrës, e cila rezultonte tre ditë pas vdekjes së Epstein-it. Letra mban vulë postare të datës 13 gusht 2019, pra tre ditë pas vdekjes së Epstein-it në burg, e cila është cilësuar si vetëvrasje.

Ajo u gjet në postën e burgut disa javë më vonë, pasi ishte kthyer nga një burg në Arizonë me shënimin “nuk ndodhet më në këtë adresë”.

Donald Trump ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo njohuri për aktivitetet kriminale të Epstein-it, si dhe çdo përfshirje në veprime të paligjshme.

Larry Nassar po vuan një dënim prej 60 vitesh në një burg federal për posedim të materialeve me abuzim seksual ndaj fëmijëve. Në vitin 2018, ai u dënua gjithashtu me 40 deri në 175 vjet burg në shtetin e Miçiganit, pasi pranoi fajësinë për shtatë akuza për abuzim seksual.

Gjatë procesit gjyqësor, më shumë se 150 gra, përfshirë kampionet olimpike Aly Raisman dhe McKayla Maroney, dëshmuan se ishin abuzuar seksualisht prej tij.

© Panorama.al

Te lidhura