Priten pemët, këshilltarët e PS: Të nisin hetimet

Jun 15, 2012 | 18:02
Prerja e pemeve ne kodrat e liqenit

TIRANE- Shpyllëzimi i disa metrave katrorë në kodrat e liqenit me qëllim zgjerimin e rrugës së Elbasanit ka përfshirë në debat Bashkinë e Tiranës dhe këshilltarët e majtë të kësaj Bashkie.

Këshilltarët e majtë i kërkuan sot kreut të Bashkisë, Lulzim Basha të japë shpjegime lidhur me atë që ata e quajtën “masakrën që ka ndodhur në Parkun kombëtar të Liqenit në Tiranë”, duke kerkuar se mbi çfarë baze ligjore dhe mbi çfarë akti e ka marrë këtë vendim Bashkia.

Bashkia u përgjigj me anë të një deklaratë për shtyp, ku sqaroi se gjithçka është bërë në përputhje me ligjin dhe interesat e qytetarëve.

Kreu i këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi nënvizoi se edhe Prokuroria e Tiranës duhet të nisë menjëherë hetimet për këtë masakër mjedisore në kodrat e liqenit.

“Kemi një sensibilitet të madh të qytetarëve të Tiranës dhe një shqetësim të qytetarëve të Tiranës dhe organizatat ambientaliste në lidhje me masakrën që ka ndodhur në Parkun kombëtar të Liqenit në Tiranë, ku mijëra metra katrorë janë shkatërruar brenda një nate. Ne i kërkojmë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës të dalë menjëherë publikisht dhe të bëjë transparencë.”- tha ai.

Ndërkaq Bashkia duke shprehur keqardhjen për deklaratat e PS-së, theksoi se zgjerimi i rrugës së Elbasanit është një prioritet për qytetin tonë, i cili vazhdon të vuajë pasojat e zhvillimit të paplanifikuar.

“Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka nisur punën për zgjerimin e kësaj rruge, një arterie e rëndësishme kombëtare.  Kjo rrugë, nga Fakulteti Ekonomik deri tek rreth – rrotullimi i Saukut, me gjatësi 1.7km do të jetë me 6 korsi 2x8m, me trafikndarëse prej1.5m, ku është parashikuar dhe gjelbërim, si dhe me trotuarë në të dy anët e rrugës.”- thuhet në njoftimin e Bashkisë.

Bashkia i bën thirrje PS-së, të ndalë frymën e konfliktit politik dhe të orientohet drejt interesit të qytetarëve të Tiranës  dhe mbarë shqiptarëve që përdorin infrastrukturën e kryeqytetit.

Bashkia e Tiranës ka prerë rreth 100 pemë përballë Fakultetit Ekonomik te Rruga e Elbasanit me qëllim zgjerimin e Rrugës së Elbasanit. Një ditë më parë ishin ambientalistët të cilët e cilësuan si të paligjshëm prerjen e pemëve.

© Panorama.al

Te lidhura