
Prefektja e Gjirokastrës anulon zgjedhjen e kreut të Qarkut, Sulo Muçobega. Gjithçka është argumentuar nga ana e institucionit të prefektit me anë të dosjes së kthyer mbrapsht për në Këshillin e Qarkut. Prefektja Mimoza Çomo, për gazetën “Panorama” është shprehur se e gjithë procedura e ndjekur para 10 ditësh në mbledhjen konstituese të Këshillit të ri të Qarkut të Gjirokastrës, dalë nga zgjedhjet e 8 majit të këtij viti, rezulton ilegjitime. Kjo do të thotë se gjithçka që është realizuar, ka qenë “nul” ligjërisht. Burime nga Prefektura e Gjirokastrës shprehen se zgjedhja e Sulo Muçobegës, kandidat i PS dhe PBDNJ, ka qenë jo e mbështetur në ligjin për pushtetin vendor, pasi janë shkelur rëndë parimet e pavarësisë së këtij organi dhe konflikti me funksionet publike me atë të të zgjedhurit. Ky veprim i Prefekturës së Gjirokastrës ka shtuar ndjeshëm tensionin, pasi ende pa u dhënë certifikimi zyrtar dhe aprovimi i ligjshëm i zgjedhjes së kryetarit të Këshillit të Qarkut nga institucioni i prefektit, çka lejonte hyrjen në zyrë të Sulo Muçobegës, ky i fundit një ditë pas zgjedhjes është ulur në poltronin e kryetarit të Këshillit të Qarkut, duke shkelur hapat proceduralë. Madje, mësohet se është bërë dhe emërimi i kryefinancieres së Qarkut, pas largimit të paraardhëses së saj në një tjetër detyrë. Etapat e shkeljes së procedurave ligjore sipas argumentit të Zyrës Juridike në Institucionin e Prefektit të Gjirokastrës në zgjedhjen e Muçobegës në krye të Qarkut të Gjirokastrës, janë qysh në themel. Kryetari i votuar nga shumica e majtë në Këshillin e ri të Qarkut të Gjirokastrës, Sulo Muçobega, kryetar i PS të Tepelenës, mendohet se ka qenë i punësuar në Këshillin e Qarkut dhe merrte rrogën nga ky institucion edhe në momentin kur kërkoi të zgjidhej në krye të tij. Kjo sipas argumenteve të servirura nga Institucioni i Prefektit, është në kundërshtim të hapur me ligjin “Për pushtetin vendor”, pasi në organet legjislative nuk mund të zgjidhen persona që punojnë në këtë administratë. Ky argument ligjor është edhe më i debatueshmi, çka pritet të hasë në një polemikë të ashpër mes dy institucioneve të shtetit. Prefektja e Qarkut të Gjirokastrës e ka kthyer vendimin për ta shqyrtuar edhe një herë Këshilli i Qarkut, çka në mbledhjen më të afërt do ta marrë në diskutim duke u rikonstituar, përfshirë këtu edhe verifikimin e mandateve.
Çështja mund të shkojë në gjykatë
Në mbledhjen e afërt të Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës, mendohet se këshilltarët e majtë nuk do t’i binden prefektes, duke i njohur atij dhe mandatin e këshilltarit. Nëse ndodh kjo, prefekti nuk e njeh mandatin dhe ia lë çështjen për shqyrtim ligjor gjykatës.
Zgjedhja e Muçobegës me 23 vota
Sulo Muçobega, si kryetar i PS së Tepelenës, u zgjodh me 23 vota pro dhe 21 kundër nga këshilltarët e PS dhe PBDNJ në Këshillin e Qarkut të Gjirokastrës para dhjetë ditëve. Zgjedhja e tij u shoqërua me pakënaqësi nga radhët e socialistëve gjirokastritë, të cilët pretendonin ta kishin të tyrin këtë post si qendër qarku.
GJIROKASTER/ PIRO NASE
© Panorama.al











