Predhat e luftës në mes të Durrësit, izolohet zona

Dec 7, 2011 | 13:32

Dy predha të Luftës së Dytë Botërore janë gjetur në mes të qytetit të Durrësit. Siç bëjnë të ditur burime zyrtare të policisë lokale të qytetit bregdetar, predhat janë gjetur nga punëtorët e një kantieri ndërtimi. Sipas Policisë, predhat janë rreth 50 kilogramë secila, ndërsa dyshohet se janë hedhur mbi qytetin bregdetar nga ndonjë avion ushtarak gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithnjë duke iu referuar burimeve policore, mësohet se predhat u gjetën pranë njëra-tjetrës, gjatë punimeve që po kryhen për ndërtimin e një objekti në sheshin “Pranvera”. Menjëherë pasi sinjali për gjetjen e predhave ka shkuar në polici, mësohet se është nisur nga kryeqyteti një grup i specializuar për të punuar në raste të tilla. Aktualisht, aktiviteti i kantierit u pezullua për t’u mundësuar trupave të xhenios të punojnë për nxjerrjen e predhave nga vendi ku janë gjetur. Ato janë konstatuar rreth 3 metra thellë, pranë një peme disavjeçare. Ende nuk bëhet e ditur nëse predhat janë aktive ose jo, por fakti që ato kanë qëndruar për vite nën gërmadha dyshohet se kanë qenë të pashpërthyera. Ndërkohë policia, për shkak të sigurisë, ka rrethuar të gjithë zonën, duke mbajtur larg çdo kalimtar, deri në përfundim të çmontimit dhe largimit të predhave nga ekspertët e xhenios. Po në këtë kantier, janë pezulluar punimet edhe më parë. Asokohe ato ishin pezulluar për disa muaj me radhë për shkak të zbulimeve dhe rrënojave arkeologjike që u zbuluan aty sapo nisën gërmimet për hapjen e themeleve. Gjatë gërmimeve doli në dritë një qytetërim i hershëm, i cili ka dëshmuar për ekzistencën e një zone urbane me punishte, banja termike, rrugica dhe banesa tipike të periudhës romake. Konflikti mes investitorit dhe IMK-së ka zgjatur për një periudhë njëvjeçare, ngaqë bëhet fjalë për vlerësimin e kësaj pasurie arkeologjike. Disa kohë më parë, teksa merrte pjesë në një ekspeditë në amfiteatrin e Durrësit, Apollon Baçe është shprehur se “Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ka gabuar me dhënien e lejes së ndërtimit për pallatin që po ndërtohet tek ish-lulishtja 1 Maji në Durrës”. Reagimi i Baçes erdhi pasi në pallatin në fjalë kishin nisur me intensitet të lartë punimet, ndërkohë që ato ishin pezulluar për disa muaj me radhë, për shkak të zbulimeve dhe rrënojave arkeologjike që u zbuluan aty sapo nisën gërmimet për hapjen e themeleve. Kjo zonë është evidentuar prej shumë kohësh si pjesë e zonës urbane që i përket periudhës romake. Pronarit të ndërtimit i është kërkuar ngritja me xham e pjesës së poshtme të pallatit për të ekspozuar për qytetarët rrënojat arkeologjike.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura