Duke rrëfyer detaje mbi vdekjen dhe organizimin e ceremonisë mortore të princeshës Diana, ish-kryeministri Tony Blair theu protokollin diplomatik. Si reagoi Mbretëresha dhe Princi Çarls Gjendja e përgjithshme emocionale ishte pikërisht siç e mendoja unë: një lumë hidhërimi. Por edhe një zemërim që ajo u largua. Në fillim zemërimi ra mbi paparacët që kishin ndjekur atë. Është e vështirë mbase të transmetosh se çdo të thotë të jesh një figurë publike dhe ta ndjesh se të janë qepur
Aso kohe atij i ra barra të fliste përpara njerëzve të pikëlluar. Nuk qe e thjeshtë. E kishte njohur personalisht dhe i dukej e pamundur që ajo kishte vdekur. Por në atë situatë kishte shumë gjëra më të rëndësishme për të menduar: që nga organizimi i ardhjes së trupit, tek ceremonitë dhe rakordimi i veprimeve me familjen mbretërore, që nuk ishte edhe aq i thjeshtë. Në autobiografinë “Një rrugëtim”, ish-kryeministri Tony Blair veç të tjerash tregon edhe mbi vdekjen e Lady Dianës, ish-bashkëshorten e princit Çarls, e kthyer në një figurë e adhurueshme, jo vetëm për britanikët, por për gjithë botën. Vdekja e saj ishte shokuese. Ish-kryeministri rrëfen se si u veprua në ato rrethana, si reagoi familja mbretërore, vetë mbretëresha, fjalimi që mbajti, ceremonia mortore, tej. Duke treguar këto detaje, Blair ka thyer protokollin mbretëror, ndaj dhe librit i është vënë embargo në Britaninë e Madhe. Më poshtë kemi shkëputur disa pjesë nga rrëfimi i Blair për këtë ngjarje tragjike.

Shkova për të fjetur rreth orës 11:30. Rreth orës dy pas mesnatës ndodhi diçka shumë e çuditshme. Sheri nuk zgjohet dot kur e zë gjumi, por unë u zgjova dhe gjeta përballë pranë krevatit një polic, që siç e merrni me mend ishte një çudi e madhe. Ndërsa luftoja me veten time, ai më tha se i kishte rënë ziles, por nuk e kishim dëgjuar, se princesha Diana ishte plagosur rëndë në një aksident automobilistik, se unë duhet t’i telefonoja menjëherë ambasadorit britanik në Paris, Sër Majkëll Xhej (Michael Jay).
Isha zgjuar plotësisht. Sheri u zgjua gjithashtu. I shpjegova asaj si ishte puna pastaj vrapova poshtë dhe nga Doëning Street më lidhën me Maikëllin. Ishte e qartë që në fillim se ishte zor që Diana të shpëtonte. Maikëlli fliste për dëmtimet, më informoi që edhe i dashuri i saj, Dodi Fajed, dhe shoferi kishin vdekur në vend menjëherë dhe roja personale ishte gjallë, por i pandërgjegjshëm.
I telefonova Alastairit. Ai e kishte marrë vesh nga media në të gjitha burimet. Ne ishim të dy të tronditur thellësisht. Unë nuk munda ta besoja. Ajo ishte një forcë e tillë në jetën e njerëzve, si edhe në një pjesë të madhe të jetës sonë kombëtare, aq e kthjellët pa dyshim dhe vazhdimisht aq e gjallë vetë, saqë ishte e pamundur ta mendoje të vdekur.
Në orën 4 të mëngjesit telefonova përsëri dhe më treguan për gjendjen e saj. Majkëlli ishte shumë i kënaqur si e kishin trajtuar çështjen francezët: ministri i brendshëm, Jean-Pierre Chevenement, ministri i Shëndetësisë, Bernard Kushner, dhe Presidenti Shirak kishin qenë shumë të ndjeshëm, bashkëpunues dhe të respektueshëm. Që nga ajo kohë kishte vazhdimisht telefonata dhe ne po punonim si ta trajtonim problemin.
**
Ndërsa mendoja për vdekjen e saj dhe çfarë do të thosha, kisha një ndjenjë detyrimi sa edhe hidhërimi. E ndieja që i detyrohesha asaj të gjeja diçka si ta shprehja kush ishte ajo. Ne ishim që të dy, në mënyrën tonë, njerëz manipulues, që kapnim shpejt emocionet e të tjerëve dhe ishim të aftë instinktivisht të luanim me ta, por unë e dija se kur ajo takonte njerëzit me të meta apo të sëmurë, në një mënyrë që askush tjetër e sidomos në pozitën e saj nuk do ta bënte, e bënte me sinqeritet. Ajo e dinte sigurisht efektin e kësaj, por efekti nuk mund të ishte asnjëherë aq i fuqishëm, në rast se ndjenja nuk do të ishte e vërtetë. Unë u ula në studion time në Trimdom dhe, ndërsa dielli i agimit lëshonte rrezet e tij përmes dritareve, mendoja se çfarë do të donte ajo të thosha për të.

Sigurisht Pallati kishte bërë një deklaratë, por Mbretëresha nuk kishte ndërmend të fliste. Para se të nisesha për në kishë, pata telefonatën e parë me të, ku i shpreha ngushëllimet e mia. Ajo kishte një qëndrim filozofik, ishte e shqetësuar për djemtë, por njëkohësisht edhe profesional dhe praktik. Ajo i merrte me mend përmasat e ngjarjes, por në mënyrën e saj. Ajo nuk do të trembej nga ngjarja. Në këtë kuptim ajo mund të vepronte si i takon një mbretëreshe.
Gjendja e përgjithshme emocionale ishte pikërisht siç e mendoja unë: një lumë hidhërimi. Por edhe një zemërim që ajo u largua. Në fillim zemërimi ra mbi paparacët që kishin ndjekur atë. Është e vështirë mbase të transmetosh se çdo të thotë të jesh një figurë publike dhe ta ndjesh se të janë qepur. Për arsye krejt të kuptueshme, shumë njerëzve nuk u vjen keq për njerëz të dëgjuar, shumica e të cilëve ndjekin me qejf rrugën e tyre. Shpesh ata bëjnë një jetë të pasur. Ata marrin përpjetë në këtë rrugë dhe ideja është që ata të bëjnë qejf atje lart, duke u rrëzuar poshtë. Sidoqoftë, kjo nuk është gjë e madhe, apo jo?
Atë të diel në mëngjes, familja mbretërore frekuentonte si zakonisht një shërbim në kishën Crathie në Balmoral. Nuk bëhej fjalë për Dianën. Unë e dija që Mbretëresha do të mendonte se detyra ia kërkonte që të vazhdonte rutina normale. Nuk do të kishte aty rrotull Alastair, që të sugjeronin se ndoshta do të ishte e arsyeshme të përmendej tragjedia. Çështja është: Mbretëresha është një njeri i vërtetë, jo artificial dhe me këtë dua të them se nuk ka asgjë artificiale në qëndrimet e saj. Ndërsa preokupimi i saj absolut ishte mbrojtja e fëmijëve dhe kjo donte të thoshte t’i mbronte ata para së gjithash si princër. Nuk do të ishte problem që ata të mos shkonin në kishë atë ditë, disa orë pas vdekjes së nënës. Ishte detyra e tyre si princër. Natyrisht për disa njerëz të publikut kjo dukej e pabesueshme, gati hapur, pa ndjenjë.
Refuzimi për të ulur flamurët në kështjellën Windsor dhe në Kullën e Londrës u bë sepse Diana teknikisht nuk ishte më pjesëtare e familjes mbretërore, meqenëse i ishte hequr titulli Lartësia e Saj Mbretërore. Flamuri në pallatin Bukingam nuk valëvitej asnjëherë, sepse, sipas traditës, ai vendoset vetëm për nivelin personal të mbretëreshës dhe vetëm kur ajo është në rezidencë. Ajo qëndronte në Balmoral, sepse në shtator nuk vinte në Londër. Përsëri sipas traditës. E gjithë kjo ishte sipas librit, por nuk mbahej parasysh fakti se njerëzit nuk e çanin fare kokën për ‘librin’, aktualisht nuk u pëlqente ‘libri’ dhe në fakt mendonin se ‘libri’ ishte pjesërisht shkaku i krijimit të një zinxhiri ngjarjesh që çuan në vdekjen e Dianës. Në simbiozën e çuditshme midis sunduesit dhe të sunduarve njerëzit insistonin që Mbretëresha të pranonte se ajo sundonte me pëlqimin e tyre dhe duhej t’i bindej kërkesës së tyre.
Zemërimi i publikut po drejtohej kundër familjes mbretërore. Në të njëjtën kohë nuk u zbut as kundër shtypit, i cili duke e ndjerë këtë, e kuptoi se ata do ta trajtonin atë në një shënjestër tjetër dhe, të thuash të vërtetën, ata po e jepnin ndjenjën e popullit duke u përpjekur të merrnin vesh ku do të drejtohej ajo.
Më vinte keq për vetë Mbretëreshën, e cila ishte në një gjendje jashtëzakonisht të vështirë. Nga njëra anë ajo ishte e shqetësuar për ndikimin e Dianës në monarkinë si institucion dhe nga ana tjetër asaj i vinte keq për nënën e dy nipërve të saj që ajo i donte shumë. Por ajo nuk donte të shtirej për Dianën, që ishte në konflikt më të madh se sa mund ta pranonte publiku, prandaj ngurrimi i saj për të bërë një hap përpara vinte më pak nga respektimi i traditës dhe i ‘librit’ – megjithëse, padyshim kjo ishte pjesë e saj dhe më tepër nga dëshira e sinqertë të shfaqej e vërtetë, sikundër ndihej.
Ishte e habitshme të qëndroje në Northolt duke parë avionin të mbërrinte, duke pritur arkivolin me grumbullin e shtypit në qindra vetë të mbyllur pas gardhit, duke biseduar kot me të tjerët. Në raste të tilla, duhet të jesh shumë i kujdesshëm. Princi Çarlz kishte një çehre të tmerrshme. Ai dhe Kamila ishin në qendër të interesimit dhe spekulimit. Ç’të bënte ai? Të shtirej i prekur nga hidhërimi dhe ta quanin mashtrues. Apo të rrinte i qetë dhe ta quanin të pashpirt. Ishte një situatë pa rrugëdalje. Çdo gjest i tij do të interpretohej dhe keqinterpretohej dhe njerëzit ishin gati t’i turreshin në çdo rrëshqitje.
Në këtë situatë të jashtëzakonshme, në këtë kohë me plot sfida, marrëdhënia e tij me djemtë e shpëtonte. Në atë moment unë nuk i pashë ata së bashku, por, kur i pashë më vonë, kuptova se ishin në marrëdhënie të mira, me dashuri nga të dyja palët. Mund të thuash se nuk ishte për t’u habitur, përderisa ishte babai i djemve të tij. Por në atë kohë kishte shumë njerëz që mendonin se grindja midis burrit dhe gruas kishte kaluar midis babait dhe djemve.
Megjithatë, nuk ishte kështu dhe ndërsa ditët kalonin kjo u bë më e qartë, duke ulur presionin ndaj princit Çarlz.
Funerali që do të mbahej të shtunën e ardhshme ishte çështja kryesore e debatit. Pati diskutime të pafundme, lidhur me numrin e saktë të njerëzve që do të ftoheshin për secilën kategori për organizimin e shërbimit dhe rolin e familjes së Dianës. Vëllai i saj, Çarlz Spenser, i cili kishte një natyrë shumë të fortë dhe kategorike, ishte shumë i zemëruar për mënyrën si ishte trajtuar ajo, sigurisht nga media dhe mbase edhe nga familja mbretërore. Çdo vendim ishte shumë i ndjeshëm, me shumë pro dhe kundra, i përpunuar dhe ripunuar. Pati një debat të madh nëse djemtë duhet të ecnin pas kortezhit me Princin Çarlz si dhe një shqetësim për reagimet e ndryshme të publikut ndaj tij dhe ndaj tyre.
Funerali ishte gjithçka që ne prisnim të kalonte. Ai ishte i jashtëzakonshëm – me Elton Xhonin që këndoi, ‘Një Qiri në Erë’ dhe në mënyrë të shkëlqyer – por edhe në miqësi me Westminster Abbey. Çarlz Spenseri i bëri një goditje shtypit. Kishte edhe një farë qortimi për familjen mbretërore, por fjala e tij ishte e fuqishme dhe do të kishte jehonë. Unë dhashë drekë për një përzgjedhje të madhe mbretërish, mbretëreshash, kryetarë shtetesh dhe autoritete të tjera. Hillari Klinton erdhi si përfaqësuese e SHBA dhe për mua ishte kënaqësi si kurdoherë ta takoja. E gjitha kaloi në mënyrë të shkëlqyer.
Ishte një fund surreal i një jave surreale. Tragjik, magjepsës, i paharrueshëm.











