
SHKODER – Një çift të moshuarish nga Malësia e Madhe u arrestuan dje nga oficerët e Sektorit Kundër Pastrimit të Parave, pasi ishin persona të shpallur në kërkim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bashkëshortët akuzohen për vjedhjen me anë të mashtrimit të 170 milionë dollarëve. Paratë janë marrë në formë kredie nga një institucion financiar në Cleveland, Ohio të SHBA-ve, duke pretenduar se do i investonin në një fondacion fantazmë, që në realitet nuk ekzistonte. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thanë dje se gjatë operacionit të koduar “Kujtesa” u arrestuan, me qëllim ekstradimi drejt Amerikës, bashkëshortët Zoge dhe Qerim Ahmetaj, përkatësisht 69 dhe 77 vjeç, banues në Komplik të Malësisë së Madhe. Arrestimi i tyre u krye nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës, në bashkëpunim me Sektorin Kundër Pastrimit të Parave në Policinë e Shtetit. “Këta dy shtetas janë arrestuar me qëllim ekstradimi drejt SHBA-ve, pasi autoritetet e Drejtësisë atje, me vendim të datës 26 dhjetor 2011, kanë caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprat penale të “mashtrimit” dhe “pastrimit të parave”. Nga Interpol Washington ishte bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar i tyre për mashtrim të institucioneve financiare dhe pastrimit të parave”, thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë së Shtetit. Nga hetimet e kryera nga juria federale e Cleveland, SHBA, rezulton që në skemën e mashtrimit me shuma të mëdha kundër një institucioni financiar janë përfshirë gjashtë persona. Përveç bashkëshortëve Zoge e Qerim Ahmetaj, Prokuroria e Ohajos në Amerikë ka marrë në hetim edhe katër shqiptarë të tjerë, të cilët kanë bashkëpunuar me çiftin nga Shkodra. Të akuzuarit e tjerë janë Arben Alia, Ilir Marku, Vaso Shani dhe Alban Sulkaj, të cilët po ashtu janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjatë hetimeve është zbuluar se gjashtë të akuzuarit, që prej vitit 2006, kanë marrë në formë kredie 170 milionë dollarë, duke pretenduar se do t’i investonin në fondacionin e tyre me qendër në Cleveland dhe do e kthenin shumën e marrë pas pesë vitesh. Por, shumë shpejt autoritetet financiare të kompanisë që kishte dhënë huan, kanë zbuluar se fondacioni që pretendonin personat që kishin marrë kredinë nuk ekzistonte dhe menjëherë kanë denoncuar ngjarjen pranë autoriteteve. Gjatë hetimeve të nisura në fillim të vitit 2011, Prokuroria ka zbuluar skemën e mashtrimit, madje ka bllokuar edhe dy lokale, të cilat dyshohet të jenë biznese të krijuara me paratë e vjedhura.











