Korçë: Arrestohen dy inspektorët e kolaudimit të makinave

Jan 14, 2012 | 12:25

Komisariati i Korçës

Kalonin me para makina me defekt që ngeleshin në sistem.

Një tjetër rast i korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike është zbuluar nga Policia e Korçës.
Sipas Policisë, dy inspektorë të Kontrollit të Automjeteve pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Korçë u arrestuan në kushtet e flagrancës, ndërsa një person i tretë ndiqet në gjendje të lirë me akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se tre personat shpërdoronin detyrën dhe kundrejt ryshfeteve që merrnin nga drejtuesit e automjeteve, mundësonin manipulimin e sistemit dhe realizonin kalimin e automjeteve që rezultonin me defekte teknike, ndonëse ato duhet të riktheheshin për kolaudimin pasi t’i kishin riparuar. Favorizimi i kryer prej tyre është zbuluar pas një denoncimi të marrë në lidhje me shkeljen ligjore. “Rreth orës 14:00, në pikën e kolaudimit të automjeteve, nga ana e Sektorit Kundër Krimit Financiar në Policinë e Korçës, në bashkëpunim me Njësinë e përbashkët Taks-Force në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Kolaudimi”. Shtetasit e arrestuar janë Anesti Themeli, 62 vjeç, Jorgo Demika, 42 vjeç, nga qyteti i Korçës. Ndërsa 38-vjeçari Taulant Eshi nga Pogradeci po hetohet në gjendje të lirë”, bëri të ditur Policia. Inspektorët e kontrollit të automjeteve pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Rrugor në Korçë ishin punësuar nga kompania private “SGS”, dhe duke abuzuar me detyrën bënin kalimin e automjeteve që ngeleshin në sistem. Arrestimi në flagrancë, sipas Policisë, erdhi pas aplikimit të metodave speciale të hetimit, duke dokumentuar së paku 5 raste ku këta shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, duke abuzuar me detyrën. Ata u kapën në flagrancë duke i marrë një sasi prej 200 mijë lekësh të vjetër një shtetasi në formë ryshfeti, për të kaluar automjetin e tij i cili kishte ngelur dy ditë më parë në sistem, për shkak të një defekti teknik.  Blutë sekuestruan para, printime nga sistemi i kontrollit, që  dokumentojnë se mjeti ishte me defekt teknik, por edhe printime nga sistemi i kontrollit që paraqesin të njëjtin mjet pa defekt. Sipas Policisë, sinjalizimi fillestar është marrë pas denoncimit të një 35-vjeçari nga fshati Shamoll i Korçës. Ai kishte tentuar të kolaudonte për të tretën herë radhazi mjetin e tij, ndërsa nuk mund ta kalonte për shkak të një defekti teknik që dilte në sistem. Inspektorët i kanë kërkuar ryshfet me qëllim favorizimi. Nga hetimi ka rezultuar se ryshfetet që ata kërkonin ishin të ndryshme, në varësi të mjeteve dhe defektit të tyre, por varijonin nga 5-20 mijë lekë.

Operacioni
Të arrestuar

Anesti Themeli,
62 vjeç,
nga Korça

Jorgo Demika,
42 vjeç,
nga Korçës

Në gjendje të lirë

Taulant Eshi,
38 vjeç,
nga Pogradeci

S’faturonte gjobat, në hetim kreu i Higjienës në Korçë
KORÇE – Shefi i Shërbimit të Higjienës në Korçë, Luan Bejko, është në ndjekje penale për korrupsion pasiv. Ndaj tij ka bërë padi një subjekt privat i gjobitur, i cili pasi ka paguar shumën e lekëve, nuk është pajisur me faturën përkatëse. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se Bejko shpërdoronte detyrën duke vendosur gjoba ndaj subjekteve të ndryshme në qytet, por nuk regjistronte faturat, duke mos depozituar paratë në arkën e shtetit. Mësohet se urdhër-arresti i lëshuar ndaj tij është ekzekutuar nga Policia e Korçës më 30 dhjetor të vitit 2011. Por, në seancën e zhvilluar një ditë më vonë për dhënien e masës së sigurisë është vendosur që shefi i Higjienës të ndiqet në gjendje të lirë. Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar, pas sigurimit të provave ndaj Bejkos, ka nisur prej ditësh edhe marrjen e dokumentacionit të arkivuar në zyrën e tij pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik me qëllimin e verifikimit, nëse rasti i denoncuar prej subjektit ka edhe precedentë të tjerë. Mësohet se pas arrestimit, Bejko është zëvendësuar në detyrën e tij me një tjetër punonjës. Sipas burimeve nga Prokuroria, përveç rastit, i cili përmes denoncimit të ngritur ka mundësuar edhe zbulimin e veprimtarisë së jashtëligjshme të kryer nga shefi i Shërbimit të Higjienës, dyshohet se ka një sërë rastesh të tjera shkeljesh nga ana e tij. Subjekti privat, lokal, është gjobitur nga shefi i Higjienës për mungesë të kushteve higjieno-sanitare. Sipas të dhënave, gjoba ka pasur vlerën 50 mijë lekë, por pas interesimit të subjektit, ka rezultuar se shuma nuk ishte faturuar.         dh.d

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura