Pranga dhe dy shoferëve, një në kërkim

Mar 13, 2011 | 11:34

Njësia Task Force në Prokurorinë e Tiranës dhe Policia e Shtetit vazhduan dje ekze-kutimin e urdhrave të arrestit për personat e akuzuar për kontrabandën e naftës “virgin”.Dy persona kanë rënë në pranga dje gjatë aksionit në Tiranë, ndërsa personi i tretë është shpallur në kërkim, pasi nuk është arritur të gjendet në adresat e tij të punës dhe as në banesë. Burime nga policia thanë se me urdhër të Prokurorisë dhe me vendim gjykate, janë arrestuar dje shtetasit Fadil Abdurrahmani dhe Gazmend Serjani, persona që akuzohen se kanë qenë në dijeni dhe kanë marrë pjesë në skemën abuzive të kontrabandës së naftës së papërpunuar. Me arrestimin e këtyre dy personave, ka shkuar në 13 numri i shtetasve të vënë në pranga me urdhër të Njësisë Task Force pranë Prokurorisë së Tiranës. Personi i 14-të, i fundit i akuzuar në këtë çështje, është shpallur në kërkim, për shkak se nuk është gjetur në adresat për të cilat ka marrë dijeni policia. Dy personat e arrestuar ditën e djeshme mësohet se kanë pasur detyrat e shoferëve të autoboteve, që kanë qarkulluar naftën “virgin”, e cila është shpërndarë në pika të ndryshme karburanti në gjendje të papërpunuar.
Arrestimet
Mbrëmjen e të premtes, pas më se pesë muajsh hetime, Prokuroria e Tiranës i ka përcjellë policisë urdhrat e arrestit të lëshuar nga gjykata ndaj 14 personave. Dy prej tyre ishin Hajri Elezaj, biznesmen, pronar i Euroil dhe Iliaz Fisheku, biznesmen, pronar i Fisheku SH.A. Këto dy kompani, sipas Prokurorisë, me “tolerimin” e punonjësve të caktuar në dogana dhe tatime, ranë në pranga ndërsa policia dhe Prokuroria arrestuan edhe disa punonjës të kompanive që kishin qarkulluar naftën “virgin”. Disa prej punonjësve të kompanive të biznesmenëve të arrestuar ishin thirrur më parë në Prokurori për të dhënë shpjegime në lidhje me kontrabandën e dyshuar, por kishin mohuar që nafta “virgin” të kishte kryer tjetër itinerar, përveçse nga Fieri në portin e Vlorës. Prokuroria gjeti prova për të kundërtën dhe për pasojë, i kërkoi gjykatës miratimin e arrestimit për 14 persona. Gjykata e Tiranës, sipas një deklarate të Prokurorisë së Përgjithshme lëshuar të premten, ka vendosur masat e sigurisë për të gjithë shtetasit e dyshuar nga Prokuroria. Të arrestuarit pritet të njihen me masat e dhëna ndaj tyre nga gjykata gjatë ditës së hënë e tutje.
Hetimi
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ndaj personave të arrestuar janë ngritur disa akuza, që kanë të bëjnë me falsifikimin e dokumenteve dhe me mashtrimin. Njësia Task Force pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar me iniciativën e saj procedimin penal nr. 4155, datë 13.10.2010, për veprat penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, ka deklaruar Prokuroria e Përgjithshme të premten. Sipas saj, kontrabanda e naftës ka ndodhur gjatë viteve 2007 – 2009. Sasi të konsiderueshme të nënproduktit të naftës bruto të përpunuar dhe të njohur si “virgin”, janë tregtuar në territorin e Republikës së Shqipërisë në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të konsumatorëve, duke e paraqitur atë si benzinë të pastër për konsum. Sipas Prokurorisë, ky aktivitet është realizuar nga ana e subjektit privat “Euroil” sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Hajri Elezaj, si dhe në bashkëpunim me subjektin tjetër privat “Fisheku” sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Ilias Fisheku.

Përzierja e naftës me benzinë

Sipas hetimeve të Prokurorisë, sasia e naftës së papërpunuar, e cila është qarkulluar nga kompanitë Fisheku dhe Euroil, është rifutur në tregun shqiptar në mënyrë të dëmshme dhe abuzive. Mësohet se nafta “virgin”, lëndë e papastër, është përzier një kilogram “virgin” me dy kilogram benzinë të pastër. Sipas Prokurorisë, pasojat e këtij krimi kanë ndodhur në amortizimin e automjeteve dhe çlirimin e sasive të mëdha të lëndës ndotëse në ambientin e vendit.

Përfitimi në koston financiare

Përfitimi financiar nga kontrabanda e naftës, sipas Prokurorisë, ka qenë në shifra të larta. Ndërkohë që duhej të paguanin për transportin dhe përpunimin e naftës “virgin” në vendet e huaja si Greqi apo Turqi, dy tregtarët e arrestuar duhej edhe të mbulonin kostot financiare të përpunimit të lëndës, për ta sjellë atë më pas në Shqipëri dhe për ta rihedhur në treg. Organi i akuzës ka pohuar se pa i bërë fare këto shpenzime transporti dhe përpunimi të naftës, dy kompanitë, Fisheku dhe Euroil, e kanë hedhur në tregun shqiptar naftën e papastër.

Mashtrimi, biznesmeni u rimbursua nga shteti për eksportin fals të naftës

TIRANE – Hajri Elezaj, biznesmeni i naftës, i arrestuar dy ditë më parë për aferat e paligjshme në lidhje me naftën “virgin”, ka përfituar rimbursim e TVSH-së nga shteti për rreth 17 mijë ton naftë të deklaruar si e eksportuar, një eksport që sipas Prokurorisë nuk ka ndodhur asnjëherë. Sipas organit të akuzës, kjo rëndon akoma më tepër pozitat e Elezajt referuar dëmit ekonomik, që i ka ardhur shtetit nga veprat penale për të cilat ai akuzohet. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës bënë të ditur se biznesmeni Elezaj, përfaqësuesi ligjor i shoqërisë “Euroil” sh.a., ka përfituar rimbursimin e TVSH-së për dy raste të eksportit të një sasie të konsiderueshme nafte “virgin” nëpërmjet Portit të Vlorës. Bëhet fjalë për ngarkesat që pretendohet se kanë kaluar në datat 10 dhe 28 shkurt 2009. Por sipas organit të akuzës, eksporti i kësaj sasie nafte nuk është realizuar, por thjesht është pasqyruar në dokumentacion sikur kjo të kishte ndodhur vërtet. Të dhëna që u referohen hetimeve, tregojnë që dokumentacioni që u përket praktikave doganore të këtyre dy datave është i falsifikuar. Kjo pasi, ato pasqyrojnë eksportimin e një sasie prej afro 17 mijë ton naftë, ndërkohë që nuk provohet që kjo ngarkesë të ketë kaluar në Portin e Vlorës. Sipas Prokurorisë, krijimi i dy praktikave doganore ka shërbyer si mjet me të cilin shoqëria “Euroil” sh.a. dhe përfaqësuesi i saj ligjor, Hajri Elezi, kanë përfituar rimbursim të paligjshëm të TVSH-së. Përfitimi është bërë në kuadër të skemës së rimbursimit për eksportet, që ishte në fuqi në vitin 2009, kohë kur janë plotësuar fiktivisht dokumentet doganore.                              ar.ba

Gjykata ka vendosur burg për 14 persona

TIRANE – Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata e kryeqytetit ka vendosur në mungesë masën e sigurisë arrest me burg për 14 personat e akuzuar në çështjen e kontrabandës së naftës “virgin”. Para se ata të arrestoheshin, Prokuroria ka paraqitur provat në gjykatë dhe u ka kërkuar togave të zeza autorizim për të vendosur në pranga 14 personat e dyshuar. Gjykata e Tiranës, duke iu referuar akuzave të ngritura, dëmit ekonomik të madh dhe pasojave të veprës penale të kryer, sipas Prokurorisë ka vendosur masat e arrestit me burg. Sipas organit të akuzës, duke nisur nga disa e hënë, shtetasve të arrestuar vetëm do t’u njoftohen masat e vendosura nga gjykata, por nuk pritet të bëhet rivlerësim i këtyre masave.

AKSIONI i TASK FORCE

Arrestuar dje

Fadil Abdurrahmani,     shofer i boteve
Gazmend Serjani,         shofer i boteve
Një në kërkim

Arrestuar të premten

Hajri Hajredin Elezaj,     biznesmen
Ilias Isa Fisheku,        biznesmen
Martin Ilias Fisheku,     biznesmen
Bajram Isa Fisheku,     biznesmen
Dashamir Veiz Kasaj,     inspektor tatimesh, Fier
Edmond Kaso Ferraj,     doganier, Vlorë
Flamur Rexhep Merkaj,     punonjës
Vladimir Kilo Koteci,     punonjës
Gani Llazar Prençe,         punonjës
Reshat Hamza Aleksi,     punonjës
Kadri Rakip Hajredini,     punonjës

 

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura