Arrestohet “tmerri” i ashensorëve. Personi që kishte terrorizuar banorë të ndryshëm të qytetit të Durrësit duke shfrytëzuar pikërisht momentin kur këta të fundit përdornin ashensorin në pallatet e reja, ka rënë në prangat e policisë. 21-vjeçari Adriatik Ballmi, nga Durrësi, është ndaluar në flagrancë ndërsa po tentonte të grabiste viktimën e radhës. Efektivat e rendit ishin sinjalizuar kohë më parë për aktivitetin e të riut që përdorte këtë metodë të veçantë për të grabitur viktimat e tij. 21-vjeçari Ballmi shfrytëzonte momentin kur persona të ndryshëm futeshin në hyrjet e pallateve për të marrë ashensorin dhe aty, nën kërcënimin e armës së ftohtë, terrorizonte viktimën e radhës. Sipas informacioneve zyrtare të Policisë së Durrësit, viktimat e 21-vjeçarit ishin kryesisht femra, kjo ndoshta për faktin se ai i shihte ato si pre më të lehtë për t’u grabitur. Policia ka dokumentuar katër raste kur shtetasi në fjalë u ka grabitur në harkun kohor të 11 ditëve shtetaseve të ndryshme shuma parash, telefona celularë apo varëse floriri. Shënjestrat e tij ishin femra të moshave të ndryshme, ndërsa veprimtaria e tij ishte përqendruar në lagjet 1, 5 dhe 17. Mbi të ndaluarin rëndojnë akuzat e plagosjes së lehtë dhe vjedhjes. Siç bëjnë të ditur burime policore dhe siç del nga statistikat zyrtare të muajve të fundit, numri i vjedhjeve ka shënuar një tendencë në rritje në qytetin bregdetar. Megjithëse një numër i konsiderueshëm grabitësish janë ndaluar dhe janë vënë pas hekurave, fenomeni duket se nuk po ka të ndalur. Në ndryshim nga kohë më parë, kur synohej grabitja e banesave apo njësive tregtare, tashmë grabitja e personave në rrugë po kthehet në një fenomen të frikshëm në qytetin e Durrësit.











