Trajneri i Kombëtares italiane, Çezare Prandeli, në prag të miqësores me Ukrainën ka komentuar “bëmën” e fundit të Mario Balotelit, lidhur me episodin e shigjetave me të cilat ka goditur të rinjtë e Sitit. “Do të jetë fusha që do të më tregojë në 2 muajt e fundit, nëse Mario është gati për këtë aventurë me ne. Duhet të tregojë vazhdimësi në rendiment te Siti dhe duhet të jetë në qendër të vëmendjes për ato çka bën në fushë, e jo jashtë saj. Ai duhet ta kuptojë që po i bën keq vetëm vetes, mesazhet e tij më duken si një kërkesë për ndihmë, që vijnë nga një djalë në vështirësi dhe që ka një mënyrë të keqe për të komunikuar. Por duhet të bëjë kujdes, se futbolli të nxjerr jashtë loje shumë shpejt dhe kështu siç po bën ai s’ka gjë në vijë. Unë s’e grumbullova, sepse nuk doja t’i prishja ekuilibrin grupit”, – ka thënë Prandeli.











