
PRAGE- Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e funeralit shtetëror në nderim të ish Presidentit çek Vaclav Havel, që u zhvillua në katedralen St. Vitus, në Kështjellën e Pragës.
Kryeministri ka vlerësua maksimalisht figurën e Havel duke e quajtur humbjen e tij, vërtetë të madhe.
“Sot, Vaclav Havel, u përcoll për në banesën e fundit në mënyrën më dinjitoze, me një ceremoni ndër më përfaqësueset që është zhvilluar ndonjëherë. Kjo, sepse Vaclav Havel , ishte një nga çekët më të shquar të të gjitha kohërave, por ishte dhe një nga europianët më të shquar të të gjitha kohërave dhe një personalitet i vërtetë botëror. Presidenti Havel , përfaqëson intelektualin simbol, disidentë, i cili pasi çliroi veten e vet dhe e vendosi për disidencë, udhëhoqi disidencën Çekosllovake të asaj kohe dhe u bë një nxitës, inkurajues i madh për inteligjencën e vendeve ish-komuniste, për të dalë nga konformizmi.
Kryeministri vlerësoi lart veprën e Havelit, e cila sipas tij, është fund e krye kundër sistemit totalitar.
“Shqiptarët kanë humbur një nga miqtë me të mëdhenj të kohërave. Presidenti Vaclav Havel është autor i shumë veprave , i shumë shkrimeve, por në memorien time dhe të të gjithë shqiptarëve shkrimi i tij se, “Unë jam shqiptar”, në një kohë kur barbaritë serbe, po spastronin Kosovën nga banorët shqiptarë mijëra vjeçare të atij vendi, presidenti Havel u ndie shqiptar dhe mbështeti fuqishëm çlirimin e Kosovës. Humbja është vërtet e madhe, por shumë herë më madhe është trashëgimia që ai lë, për kombin e tij dhe për të gjithë njerëzit që duan dhe besojnë në lirinë dhe vlerat e saj.”- vazhdon më tej Berisha.
Sipas kreut të qeverisë, bota gjithnjë ka nevojë të inspirohet nga personalitete si Vaclav Havel.
© Panorama.al











