Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i shqyrtojnë të gjitha mundësitë në lidhje me reagimin ndaj Iranit dhe se do të bashkëpunojnë me aleatët e tyre, përfshirë edhe Izraelin, për të parandaluar Iranin nga marrja e një arme bërthamore. Reagimi i Obamës erdhi pasi në televizionin iranian u transmetuan pamje të avionit amerikan pa pilot të rrëzuar nga Irani. Presidenti amerikan i mohoi akuzat e politikanëve opozitarë të Partisë Republikane se administrata e tij nuk ka bërë mjaftueshëm për ta ngadalësuar programin bërthamor të Iranit. Ai tha se administrata e tij në mënyrë sistematike i ka imponuar sanksionet më të ashpra që kanë qenë ndonjëherë kundër Iranit.











