Polonia, Ukraina (si vende pritëse), Gjermania, Rusia, Italia, Franca, Holanda, Greqia, Anglia, Danimarka, Spanja, Suedia, por edhe Kroacia, Çekia, Irlanda dhe Portugalia janë 16 skuadrat pjesëmarrëse në Kampionatin Europian të 2012-s. Katër skuadrat e fundit u kualifikuan vetëm pas ndeshjeve “play off” të zhvilluara më 11 dhe 15 nëntor. Kështu Kroacia barazoi pa gola mbrëmë në fushën e vet me Turqinë, teksa kishte fituar ndeshjen e parë 3-0 në Stamboll. Irlanda barazoi 1-1 me Estoninë, por ndeshjen e parë në Talin e pat fituar 4-0. Çekia fitoi minimalisht 0-1 në Podgoricë, teksa kishte fituar edhe në ndeshjen e parë 2-0. Ndërsa Portugalia mundi 6-2 Bosnjë-Hercegovinën në ndeshjen e mbrëmshme falë golave të Kristiano Ronaldos (8′, 53′), Nanit (24′), Helder Postigës (72′, 82′) dhe Veloso (80′). Për boshnjakët shënoi Misimoviç (41′) dhe Spahiç (65′), por duhet thënë se nga minuta e 54-t Bosnja luajti me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Luliç. Takimi i parë mes këtyre dy skuadrave përfundoi në barazim 0-0. Sakaq më datë 2 dhjetor është programuar nga UEFA në Kiev të Ukrainës, hedhja e shortit për 16 skuadrat (në katër grupe) pjesëmarrëse.











