Portali shpif për vdekjen e Adelina Ismajlit

May 21, 2011 | 12:25

Fiks një ditë pasi publikuam lajmin për turin e koncerteve të Adelina Ismajlit në Amerikë, doli një lajm për vdekjen e këngëtares gjë që nuk na bëri shumë përshtypje, për shkak se “Panorama plus” ishte gjithmonë në kontakt me menaxherin e këngëtares për të rejat më të fundit, të cilat i mësuam prej tyre. Lajmi, mes të tjerave, thoshte kështu: “Këngëtarja është aksidentuar me veturë nga një biznesmen dhe pastaj është dërguar në spitalin e Prishtinës, ku ka ndërruar jetë”. Kjo gjë nuk ishte aspak e vërtetë, për vetë faktin se Adelina momentalisht gjendet në Francë për realizimin e projekteve muzikore. Menjëherë pas publikimit të këtij lajmi, i njëjti portal me mungesë profesionalizmi dhe për të tërhequr vëmendjen, kishte përgënjeshtruar lajmin. E  njëjta agjenci thotë se Adelina është shëndoshë e mirë dhe se stafi nuk mban përgjegjësi për lajmin e publikuar, pasi në adresë të tyre lajmi kishte ardhur në formë anonimati, gjë që nuk i lejohet asnjë mediaje apo portali të publikojë gjëra të tilla, të cilat nuk janë aspak të këndshme. Të shqetësuar jashtë mase, fansat e këngëtares nuk kanë mundur të presin reagimin e menaxherit të këngëtares, të cilët përmes zëdhënëses Rudina Idrizaj kanë bërë të ditur se do ngrenë padi ndaj portalit që shpifi aksidentin dhe se shuma që do kërkojnë si dëmshpërblim do të jetë 500 mijë euro. “Çfarë meriton kjo gazetë? Menduam “dajakun”, por s’kemi kohë. Menduam reagimin, nuk ia vlen. Menduam gjyqin, pasi është mirë të pasurohesh nga gënjeshtarët. Dënimi që i pret është të paktën 500 mijë euro”, ka thënë Idrizaj, sipas së cilës “kjo është gazeta e tretë që do “paguajë” për shpifje ndaj këngëtares.
E duke u ndalur tek koncertet në Amerikë, ne kemi mësuar se këngëtarja ka lidhur kontratë me “Expert Events”, të cilët do të organizojnë të gjithë turin e saj atje. Kjo kompani shumë e njohur bën organizimin e koncerteve edhe të yjeve botërore, si: 50 Cent, Dj Luciano, Dj Magnum etj.

 

BLERAND REXHEPI

© Panorama.al

Te lidhura