“Populli do e ndjejë peshën e 11 majit”, Rama në Patos: Do zgjedhë mes së mirës së përbashkët dhe interesit të një 80 e kusur vjeçari që do të bëjë vendin çorap

Apr 29, 2025 | 19:47

Kryeministri Edi Rama pasditen e sotme mbajti takimin e radhës elektoral me banorët e Patosit në Fier.

edi rama patos

Rama në fjalën e tij përpara mbështetësve u shpreh se populli më 11 maj do zgjedhë mes së mirës së përbashkët dhe interesit personal të Berishës, që sipas tij do të bëjë vendin çorap.

Kryeministri më tej u ndal edhe tek integrimi i Shqipërisë në BE, që sipas tij është një profeci e Skënderbeut të cilën rilindasit e lanë të shkruar.

Ai shtoi se pasaporta europiane nuk do jetë thjesht një mjet udhëtimi, por një status i ri që i bën shqiptarët të barabartë me të gjithë qytetarët e BE-së.

Rama: Kijeni mirë parasysh se këtë kohë e kemi sjellë me shumë përpjekje, por e ka sjellë dhe fati evropian i shqiptarëve. nuk jemi vetëm ne që duam të hyjmë në BE, por është dhe BE që do që Shqipëria të hyjë në shtëpinë e tij. 11 maji nuk është dita e zgjedhjes së radhës. Ndonjëherë ndodh që zgjedhjet nuk janë thjeshtë ballafaqim mes forcave politike, por janë si këto, takim me historinë.

Sepse më 11 maj, Shqipëria nuk do zgjedhë mes forcash politike, por mes vendit të saj në BE dhe alternativës tjetër të kthimit prapa. Do zgjedhë mes të mirës së përbashkët të një populli dhe interesi të një 80 e kusur vjeçari, që do të bëjë çorap Shqipërinë. Kam besim se shqiptarët këto ditë, do ta ndjejnë peshën e përgjegjësisë së 11 majit. Nuk do e harrojnë se kur Gjergj Kastrioti vuri barrikadën për të mbajtur anën e Europës nuk kishte BE, por si profet vuri fatin e kombit tonë me Europën dhe jo me Azinë. Rilindasit e lanë të shkruar këtë profeci si amanet. Pastaj në gjithë këto vite shqiptarët u munduan ti bashkohen Europës duke shkuar në Europë.

Shumë shqiptarë janë integruar atje. është koha që Shqipëria e tëra të bëjë këtë gjë. Koha që çdo shqiptar të marrë përsipër fatin europian të Shqipërisë, duke bërë zgjedhjen e duhur të vendosë se cili dhe cila të kenë pasaportën europiane. Pasaporta që është statusi i ri i shqiptarëve si qytetarë të barabartë me bashkëqytetarët europianë. Status që i jep fund atij korridorit të veçantë. Ku na mbajnë me radhë dhe na kontrollojnë me policë pasaportën. Me pasaportë do hymë në Europë njësoj si ju nga Patosi hyni në Tiranë. Hyrja përveçse status është një fuqi e re për Shqipërinë. Fuqi morale, politike dhe ekonomike. Me hyrjen Shqipëria do përfitojë një buxhet të ri.

© Panorama.al

Te lidhura