Censusi, Pollo: Minoriteti s’bojkotoi.
“Gjysma e refuzimeve, për shkak të neglizhencës”
Ministri i Teknolo-gjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo, hodhi dje poshtë pretendimet e minoritetit grek për bojkotin e procesit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Genc Pollo, gjatë një prononcimi për televizionin “AS”, thekson se të gjitha minoritetet në Shqipëri, përfshirë dhe atë grek, janë bërë pjesë e censusit, përkundër deklaratave të ardhura nga partitë e ndryshme apo organizata si OMONIA për ta bojkotuar këtë proces. “Zhurma, shpeshherë me fjalë boshe që e shoqëroi, ishte e motivuar nga arsye krejt të tjera dhe nuk lidhej me censusin dhe numërimin e popullsisë. Ajo që e dallon këtë census nga ata të mëparshmit ka qenë përfshirja e të gjitha minoriteteve”, deklaroi Pollo.
Vetëregjistrimi
Ministri përgjegjës i procesit të censusit ka komentuar dhe nismën më të fundit të propozuar nga OMONIA dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut për një vetëregjistrim të minoritarëve grekë në Shqipëri. Sipas ministrit Pollo, propozime të tilla mund të realizohen në çdo kohë, por ai shtoi se statistikat e vetme që do të merren për bazë do të jenë ato që do të ofrohen nga censusi zyrtar që është kryer nga INSTAT. “Mund të ketë nisma të ndryshme, të cilat janë çështjet e komuniteteve që veprojnë në një shoqëri të lirë dhe në një shtet demokratik, po përsa i përket censusit zyrtar, që si në të gjithë Europën dhe botën, mbahet një herë në 10 vjet, vetëm rezultatet e tij janë të vlefshme”, deklaroi ai.
Rezultatet
Rezultatet përfundimtare të procesit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave, sipas ministrit Pollo, do të dalin në mesin e vitit 2012. Censusi, sipas Pollos, ka rezultuar i suksesshëm pasi shkalla e refuzimit ka qenë më e ulët në krahasim me vendet e rajonit dhe në ato të Bashkimit Europian. “Shkalla e refuzimit të popullsisë për regjistrim është 1.04 për qind. Pra, jashtëzakonisht e ulët, më e ulët sesa në vendet e Europës Perëndimore. Refuzimi aktiv ka qenë 0.68 për qind, pjesa tjetër është refuzim pasiv, që mund të jetë dhe nga neglizhenca”, deklaroi Genc Pollo. Rezultatet paraprake të regjistrimit të popullsisë dhe banesave u bënë publike të mërkurën nga INSTAT. Ndërkaq, shteti grek ka paraqitur rezerva në lidhje me rezultatet, pasi sipas tij, gjobat dekurajuan minoritarët. Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet kërkoi ditë më parë nga INSTAT-i të pezullojë përpunimin e të dhënave që i referohen kombësisë.
1.04 per qind
është shkalla e refuzimit të procesit të regjistrimit të popullsisë dhe banesave në të gjithë Shqipërinë. Refuzimi aktiv ka qenë 0.68 për qind, pjesa tjetër është refuzim pasiv, që mund të jetë dhe nga neglizhenca. Të dhënat përfundimtare të censusit do të dalin në mesin e vitit 2012
Dule dhe Bollano: Do vetëregjistrohemi
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule dhe kreu i OMONIA-s, Vasil Bollano, nga qyteti i Korçës shpallën nismën e tyre për vetëregjistrimin e minoritarëve grekë në trojet shqiptare. “2012-a është viti në të cilin ne do të bëjmë regjistrimin e gjithë minoritetit dhe do të insistojmë që të gjitha problemet tona të zgjidhen”, theksoi Bollano. Vangjel Dule lëshoi akuza se procesi i censusit kishte si qëllim tkurrjen e numrit të minoritarëve grekë në Shqipëri.
FATON BINJAKU
© Panorama.al











