
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt ka njoftuar më shumë riatdhesime si pjesë të një politike më të rreptë të migrimit, pa përjashtuar Afganistanin dhe Sirinë.
Çfarë është planifikuar?
Qeveria gjermane ra dakord në paktin e koalicionit qeveritar që do të kryhen dëbime në Siri duke filluar me kriminelët.
Megjithatë, kjo kërkon arritjen e një marrëveshjeje me qeverinë e re të udhëhequr nga islamistët në Damask. Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane, bisedimet po vazhdojnë.
Por Alexander Dobrindt (CSU) planifikon të dëbojë në Siri jo vetëm kriminelët, por edhe të rinj sirianë të tjerë pa leje qëndrimi. Për këtë qëllim, ai e ka udhëzuar Zyrën Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF) që të rihapë kërkesat për azil të sirianëve që i përkasin grupit të meshkujve të rinj, të aftë për punë, që udhëtojnë vetëm.
Jo udhëtim informues për refugjatët sirianë
Nëse refugjatët sirianë udhëtojnë në ish-atdheun e tyre, kjo në parim, do të rezultojë në humbjen e së drejtës së tyre për mbrojtje në Gjermani. “Pas një shqyrtimi të plotë, Ministria Federale e Brendshme ka vendosur të mos lejojë sirianët të bëjnë udhëtime të shkurtra në vendin e tyre të origjinës pa ndikuar në statusin e tyre të mbrojtjes”, deklaroi një zëdhënës kur u pyet për këtë çështje.
Qeveria e koalicionit qeveritar kishte konsideruar lejimin e udhëtimeve informuese për t’u përgatitur për një kthim të mundshëm. Turqia, për shembull, ka miratuar rregullore të ngjashme për sirianët. Megjithatë, Ministri i Brendshëm gjermane e atëhershme, Nancy Faeser (SPD), nuk e zbatoi idenë.
Negociatat me talebanët drejt përfundimit
Sipas Ministrit të Brendshëm Dobrindt, negociatat midis Gjermanisë dhe talebanëve islamistë në lidhje me riatdhesimet në Afganistan janë drejt përfundimit. Kontaktet me talebanët janë të diskutueshme. Zyrtarisht, qeveria federale nuk mban marrëdhënie diplomatike me islamistët, të cilët u rikthyen në pushtet në Afganistan në gusht 2021. Për shkak të mospërfilljes prej tyre të të drejtave të njeriut, dhe veçanërisht për të drejtat e grave, ata janë të izoluar ndërkombëtarisht. Që kur talebanët morën pushtetin, disa deportime të afganëve nga Gjermania kanë ndodhur me ndihmën e Katarit.











