GJIROKASTER – Sirianët e kapur të dielën do të paguanin 1500 euro për të kaluar deri në Podgoricë të Malit të Zi. Policia Rajonale ka arrestuar mëngjesin e së hënës shoferin e furgonit tip “Ford”, kapur në Ujin e Ftohtë, brenda të cilit udhëtonin tre shtetas sirianë dhe tre shtetas shqiptarë nga Tepelena, Tropoja dhe Tirana. Grigor Sulaj, 45 vjeç nga Fieri, u arrestua për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Mendohet se Sulaj ishte personi që organizoi pritjen e klandestinëve sirianë të ardhur nga Greqia. Ata ishin orientuar nga Sulaj të hynin për në Shqipëri, përmes kufirit të gjelbër, duke iu shmangur kapjes nga Policia Kufitare. Sipas burimeve zyrtare policore, sirianët kishin paguar nga 1500 euro secili për të kaluar në Shqipëri e mandej për në Mal të Zi. “E gjithë kjo vlerë monetare shërbente si garanci për rrugën dhe ushqimin nga Athina deri në Podgoricë”, janë shprehur në dëshmitë e tyre sirianët në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës. Sipas tyre, ata do t’i shmangeshin postblloqeve policore në Jorgucat dhe Ujin e Ftohtë, duke ecur me këmbë. Sirianët janë ndihmuar në kryeqytetin grek nga një banor tepelenas, i cili u bë garant për kalimin e tyre për në territorin shqiptar ku do të qarkullonin deri në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit në Shkodër, përmes furgonit që u kap të dielën në Ujin e Ftohtë nga ana e Policisë. Kjo e fundit po vijon hetimet për të zbardhur gjurmët e mundshme nëse i arrestuari i djeshëm, Grigor Sulaj, është pjesë e grupit që merret me trafikun e klandestinëve arabë që vijnë nga Lindja e Mesme me destinacion Shqipërinë e më pas në Mal të Zi. Ndërkaq, lidhur me këtë ngjarje, Policia e Gjirokastrës ka shpallur në kërkim dy banorë të Tepelenës dhe një nga kryeqyteti, pasi dyshohen se janë organizatorë të trafikut klandestin, kryesisht marokenë, sirianë, algjerianë, e palestinezë nga Athina në Shqipëri, e më pas në Malin e Zi kundrejt 1500 eurove për person, ndërkohë që po heton në gjendje të lirë personat e tjerë që udhëtonin së bashku me sirianët, në furgonin e kapur dje në Ujin e Ftohtë. p.n











