Policia Rrugore, 1021 gjoba brenda dy ditëve

Mar 28, 2011 | 11:32

TIRANË – Konsumimi i tepërt i pijeve alkoolike, rripi i sigurimit dhe parkimi i gabuar gjatë fundjavës, ka ndëshkuar me gjoba, 1021 drejtues mjetesh në territorin e Tiranës. Në kuadër të masave të policisë së kryeqytetit, nisur nga aksidentet dhe trafiku i rënduar, gjatë fundjavës, patrulla të shumta policie ishin pozicionuar në zonat më problematike, por edhe në akset rrugore rurale, për të ndëshkuar kundravajtësit. Sipas burimeve zyrtare nga policia, janë ushtruar kontrolle intensive të përbashkët të punonjësve të Policisë Rrugore me specialistët e parandalimit dhe të hetimit të krimit në komisariate. Në zbatim të planit të masave, për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor, janë ndëshkuar me masa administrative 1021 drejtues mjetesh, në Tiranë dhe në zonat periferike. Nga të dhënat zyrtare, rezulton se u është hequr leja e drejtimit 24 drejtuesve, për shkelje të rënda të Kodit Rrugor dhe drejtim të automjetit në gjendje të dehur. Për ecje me shpejtësi tej normave të lejuara, janë ndëshkuar me masa administrative, 56 kundravajtës, ndërsa për parkim të gabuar 75, si dhe për qëndrim të gabuar, 713. Gjithashtu, 451 drejtues mjetesh janë ndëshkuar me gjobë, pasi nuk kishin vendosur rripin e sigurimit. Burime nga policia e Tiranës thanë se Njësia Rajonale e Policisë Rrugore, tashmë në varësi të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, me qëllim disiplinimin e qarkullimit rrugor, ka përforcuar shërbimet në kryqëzime, drejtimet dhe hyrje-daljet kryesore të lëvizjes në kryeqytet. Në mbështetje të Policisë Rrugore, do të jetë në vazhdimësi edhe Patrulla e Përgjithshme dhe gjatë fundjavës edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Për shkak të vënies në zbatim të këtij plani masash, gjatë fundjavës nuk është shënuar asnjë aksident rrugor me pasoja të rënda, si brenda ashtu edhe në periferi të Tiranës. Nga ana tjetër, policia njofton të gjithë drejtuesit e mjeteve që të likuidojnë gjobat e prapambetura, pranë zyrave të Postës Shqiptare, apo tek sportelet e Komisariatit të Policisë Rrugore në Kinostudio.

© Panorama.al

Te lidhura