TIRANE – Ankesat e disa institucioneve, dy masa të mëparshme “vërejtje me paralajmërim” dhe së fundi fyerjet e ofendimet publike ndaj drejtuesve të Këshillit të Ministrave e Ministrisë së Brendshme, sollën përjashtimin nga Policia e Shtetit të Shemsi Premçit. Nisur nga akuzat publike të kryera nga ish-oficeri i Policisë, Premçi, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë njoftoi dje zyrtarisht për përjashtimin e tij nga Policia. “Pas fillimit të ushtrimit të detyrës së Shemsi Premçit në Drejtorinë e Policisë Dibër, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë u adresuan në mënyrë të përsëritur një numër ankesash: nga drejtues dhe oficerë të Policisë së këtij qarku, disa ministri, Zyra e Përmbarimit, subjekte private të licencuara në shfrytëzimin e mineralit të kromit. Gjithashtu Policia u vu në dijeni nga ana e prokurorive të rretheve Mat dhe Dibër për konstatimin e veprimeve të kundërligjshme. Në këto rrethana, si dhe nga disa raporte informuese të SHKB-së për implikime të vazhdueshme të Shemsi Premçit në veprime të kundërligjshme, u vendos pezullimi i tij duke e vënë në dijeni të procesit disiplinor. Pas këtyre masave, më datë 25 prill 2012, Premçi adreson publikisht fyerje dhe ofendime të rënda përpara mediave në adresë të drejtuesve të Këshillit të Ministrave, të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit, në shkelje të rëndë të ligjit për Policinë e Shtetit dhe në dhunim të statusit të depolitizimit të Policisë”, shpjegoi Policia e Shtetit. Gjithashtu zyrtarisht Policia tha se në përfundim të hetimit administrativ, drejtori i Përgjithshëm i Policisë vendosi përjashtimin nga Policia të Drejtues i Parë Shemsi Premçit, për “kryerjen e veprimeve të pahijshme” si dhe “shkelje ose mosushtrim të kompetencave të Policisë”.











