Policia: Padi Ruçit e Braçes, bënë thirrje publike për dhunë

May 19, 2011 | 10:34
Deputetet e PS Tom Doshi dhe Taulant Balla, duke u konfrontuar me forcat e policise

TIRANE – Policia e Tiranës dërgon për ndjekje penale në Prokurori deputetët e Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi dhe Erion Braçe, me akuzën “thirrje publike për veprime të dhunshme”. Materialet janë referuar në organin e akuzës, në bazë të nenit 223 të Kodit Penal, pas thirrjeve që dy deputetët u bënë qytetarëve për revoltë popullore. Sipas burimeve nga Policia, thirrjet e dy deputetëve socialistë shkaktuan dhunë dhe konfrontimin e militantëve me forcat e rendit, të vendosura për të mbrojtur institucionet shtetërore. Komisioni Qendror i Zgjedhje u blindua mëngjesin e djeshëm nga mbi 1500 mijë forca policie të komisariateve të Tiranës e Kavajës, forca të FNSH të Fierit, Tiranës e Shkodrës, si dhe nga forcat speciale RENEA, pas paralajmërimeve për një tubim nga Partia Socialiste. Pas mesditës mbërritën në mbështetje të Policisë së Tiranës edhe rreth 100 oficerë të “Delta Forca” të Vlorës. Mbi 300 simpatizantë të Partisë Socialiste u grumbulluan përballë kordonit të policisë që kishte rrethuar portën kryesore të KQZ-së, një pjesë e të cilëve u identifikuan si punonjës dhe policë bashkiakë. Rreth orës 11:00 situata u tensionua, pasi një grup deputetësh socialistë nisën të çanin rrethimin e policisë, që dy ditë më parë kishte marrë urdhër nga KQZ për të mos lejuar futjen në ambientet e brendshme të asnjë personi të paautorizuar, në këtë rast as të deputetëve. Disa deputetë socialistë, fillimisht Fatmir Toçi, Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj, Paulin Sterkaj e më pas edhe të tjerë, nisën të kapërcejnë kordonin e policisë, duke u hedhur sipër tyre e më pas duke kapërcyer brenda rrethimit në oborrin e KQZ-së. Zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Dorian Muça, pati një konfrontim fizik me disa prej militantëve socialistë dhe njëri prej tyre e godet me grushte në fytyrë, duke e rrëzuar në tokë.         e.d

© Panorama.al

Te lidhura