Një numër i konsiderueshëm incidentesh kanë shoqëruar fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të ditës së sotme.Zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, tha dje se tri incidente me lidhje indirekte me fushatën, ndodhën para fillimit të saj. Gjatë muajit të fushatës, Policia ka regjistruar 60 incidente të ndryshme, çka do të thotë se mesatarisht në çdo ditë të fushatës kanë ndodhur dy incidente. Gjatë fushatës, Policia e Shtetit tha se ka angazhuar shërbimet e saj në ruajtjen dhe garantimin e mbarëvajtjes së 1.623 aktiviteteve elektorale. Në këto shërbime janë angazhuar 9.810 punonjës policie që kanë përdorur rreth 1.993 automjete policie. Sipas zv.drejtorit të Policisë së Shtetit, nga 63 incidentet e ndodhura, për 44 prej tyre është arritur të zbulohen autorët, ndërkohë që 19 ngjarje të tjera kriminale që lidhen me fushatën, ende nuk janë zbuluar. “Janë evidentuar gjatë fushatës zgjedhore 60 incidente, të cilat pas hetimeve të para i janë referuar prokurorive përkatëse. Nga këto, janë zbardhur 44, ndërkohë vazhdon puna për zbardhjen e 19 rasteve të tjera”, tha zv.drejtori i policisë, Muhamet Rrumbullaku. Ai theksoi se në rastet e pazbardhura hyjnë: 3 vendosje të lëndëve plasëse, një plagosje, 1 djegie mjeti, ndërsa rastet e tjera kanë të bëjnë me dëmtime të flamujve të subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje, posterave të kandidatëve dhe banderolave. Po kështu, në lidhje me incidentet e ndodhura, policia shpjegoi edhe punën e bërë në drejtim të ndëshkimit të autorëve. “Për këto incidente janë arrestuar apo ndaluar 11 persona, 28 ndiqen në gjendje të lirë dhe në 5 raste janë shpallur në kërkim policor”, ka pohuar zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Një ndër incidentet e rënda para fillimit të fushatës ka qenë konflikti me armë i dy kandidatëve për kryetar komune në Kalanë e Dodës në Dibër. Incidentet e ndodhura gjatë fushatës elektorale kanë qenë nga më të ndryshmet, nga konfliktet me armë ndaj kandidatit të PD në Dajt, deri tek atentati ndaj kandidatit të PDK në Lezhë. Po kështu, një tjetër mekanizëm i incidenteve ka qenë përdorimi i lëndëve plasëse. Kështu ditët e fundit të fushatës, një kandidati të Partisë Socialiste iu vendos lëndë eksplozive në automjet, ndërkohë që e njëjta gjë ndodhi edhe në mesin e fushatës, ku kandidatit socialist në Njësinë Bashkiake Nr.7 në Tiranë iu vendos lëndë eksplozive pranë banesës. Pikërisht incidentet me armë zjarri e lëndë plasëse kanë qenë më të vështirat për t’u zbuluar. tr.so
5160 efektiva
policie janë angazhuar që prej ditës së djeshme në marrjen në dorëzim të qendrave të votimit dhe zyrave të Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Këta efektiva do të bëjnë edhe shoqërimin e transportimit të materialeve zgjedhore
Farkë, qëllohet me breshëri arme në lokalin e militantit të PD-së
TIRANE – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës të së premtes, duke u gdhirë dita e shtunë në lokalin e një simpatizanti të Partisë Demokratike në Farkë, periferi e Tiranës. Policia e kryeqytetit ka njoftuar dje se rreth orës 02:30 pas mesnate, është qëlluar me armë zjarri në ambientet e lokalit të “Gjolës”, ku është tentuar vrasja e tre personave. Ngjarja, sipas policisë, ka ndodhur në komunën Farkë e Vogël, Tiranë, ku ka pasur të shtëna me armë zjarri në lokalin në pronësi të shtetasit Xhemal Plaku. Sipas policisë, nga të shtënat me armë është tentuar të vriten tre persona që ndodheshin në lokal në atë kohë. Leonard Plaku, 34 vjeç, me banim në Farkë të Vogël Tiranë, së bashku me shtetasit Ledion Bali, 26 vjeç, me banim në Farkë të Vogël Tiranë, si dhe Festim Plaku, 31 vjeç, me banim në Farkë të Vogël Tiranë, sipas Policisë kanë qenë në shënjestër të atentatit. Policia informoi se tre personat në momentet e ngjarjes kanë qenë në ambientet e jashtme të lokal “Gjolës”. Në këtë kohë, ndërsa ora shënonte 02:30 pas mesnate, një person është afruar tek lokali dhe ka tentuar t’i vrasë ata me armë zjarri. Policia tha se autori i krimit u largua menjëherë nga vendngjarja, pasi qëlloi plot 20 herë me armë zjarri, por pa arritur të shkaktojë pasoja në njerëz. Burimet nga Drejtoria e Policisë së Tiranës tha se në vendin e ngjarjes kanë shkuar Shërbimet e Hetimit dhe të Parandalimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë, që sekuestruan 20 copë gëzhoja. Në lidhje me ngjarjen, në polici janë shoqëruar dhe marrë në pyetje shtatë persona, me iniciale K.A, F.B, S,C, A.C, S.C, A.F, dhe B.Ll. Deri mbrëmë vonë policia megjithatë deklaroi se autori i ngjarjes është ende i paidentifikuar.
© Panorama.al











