Policia, manual turistëve: Si t’i shmangni aksidentet

Jul 18, 2012 | 14:33

TIRANE – Policia shqiptare ka shpërndarë një manual për turistët në pikat kufitare të vendit, duke renditur disa nga masat që duhet të marrin drejtuesit e mjeteve me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore. Policia Rrugore nuk do i ndëshkojë turistët që në shkeljen e parë të Kodit Rrugor që ata do kryejnë në territorin e Shqipërisë. Policia do t’i këshillojë ata në ndalesën e parë, duke u vënë në dukje shkeljen që kanë kryer dhe, përveç kësaj, atyre do u “dhurohet” një manual që ka për qëllim parandalimin e aksidenteve automobilistike, të cilat vit pas viti kanë qenë problemi kryesor i Policisë, kryesisht në sezonin veror. Në manual, veç këshillave për pushime dhe udhëtim të sigurt, cilësohen edhe sanksionet ligjore që parashikon Kodi Rrugor i Shqipërisë, për ato shkelje që janë kryesisht burim aksidentesh. Sipas këtij manuali, faktorët kryesorë që bëhen shkaktarë për aksidente rrugore, janë shpejtësia tej normave të lejuara, parakalimi i gabuar, duke përfshirë këtu edhe mbajtjen e distancës së sigurisë mes mjeteve dhe kryesisht konsumimi i pijeve alkoolike. Duke qenë se pjesa më e madhe e turistëve që vizitojnë Shqipërinë në sezonin veror vijnë nga Kosova dhe përshkojnë rrugën Rrëshen-Kalimash, Policia Rrugore jep disa këshilla edhe për udhëtimin përgjatë tunelit që ekziston në këtë aks rrugor. “Në hyrje të një tuneli zvogëloni shpejtësinë dhe aktivizoni ajrin riqarkullues. Nëse konstatoni rrezik, ndaloni para hyrjes në tunel. Në brendësi të tunelit mbani gjithmonë krahun e djathtë dhe aktivizoni sinjalin bllokues. Ndërsa në dalje bëni kujdes nga ndryshimi i sipërfaqes së rrugës dhe ndriçimi”, thuhet në manualin e këshillave të Policisë për turistët. Në manualin që Policia Rrugore ka përgatitur, janë theksuar ato shkelje që bëhen burim aksidentesh. Bashkë me to, edhe masat administrative, nga gjobë deri në bllokim patente e automjeti, siç i parashikon Kodi Rrugor. “Policia e Shtetit duke u rekomanduar drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdesin maksimal gjatë udhëtimit të tyre, i fton ata të respektojnë me rigorozitet disa rregulla thelbësore për qarkullimin rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë. Evitoni përdorimin e pijeve alkoolike para dhe gjatë udhëtimit. Alkooli dhe droga përbëjnë arratisje nga realiteti dhe jeta”, është një nga këshillat e Policisë. Bashkëngjitur kësaj këshille, paralajmërohen drejtuesit e mjeteve se neni 184 i Kodit Rrugor, “Drejtim i mjetit nën ndikimin e alkoolit”, parashikon gjobë nga 2.500-10.000 lekë të rinj. Sanksion plotësues është edhe pezullimi i lejes së drejtimit deri në një vit, ose në dy vjet në rast përsëritës.

Autobusët
Në manualin e këshillave të Policisë Rrugore u është kushtuar një hapësirë e veçantë edhe drejtuesve të autobusëve, urbanë apo edhe interurbanë. Policia këshillon drejtuesit që të kenë parasysh që zbritja e pasagjerëve duhet të kryhet vetëm nga pjesa e pasme e mjetit. “Zbritja e këmbësorëve nga autobusët shpesh bëhet burim aksidentesh. Këmbësorët duhet të kenë parasysh që pas zbritjes duhet të kalojnë gjithmonë nga pjesa e pasme e autobusit.

© Panorama.al

Te lidhura