Policia: Klandestinët në Itali, jo nga Shqipëria

Dec 11, 2011 | 12:13

TIRANË- “Klandestinët në brigjet e Salentos në Itali nuk janë nisur nga Shqipëria”. Me këtë deklaratë zyrtare ka dalë sot Policia e Shtetit, duke hedhur poshtë pretendimet e medieve fqinje, sipas të cilave, “57 klandestinë afganë dhe iranianë mbërritën nga Shqipëria në brigjet e Salentos në Itali”.

Policia e Shtetit, përmes një deklarate për media ka sqaruar sot se nga të gjitha komunikimet zyrtare të Policisë së Shtetit me autoritetet italiane të zbatimit të ligjit, rezulton që klandestinët e kapur nuk kanë mbërritur në territorin e shtetit italian nga Shqipëria.

“Nga informacionet e marra nga homologët italianë rezulton se në datën 9 dhjetor, në orën 23.55, nga avioni “Frontex” në perëndim të Korfuzit është vënë re një mjet lundrues, i dyshuar gomone e përmasave të mëdha, i cili ishte drejtuar në drejtim të S.M. në Leuca, ku në vijim ka zbarkuar dhe klandestinët. Mjeti lundrues, pasi ka zbarkuar klandestinët është larguar menjëherë në drejtimin nga ishte nisur dhe është humbur kontakti radar me të në afërsi të ishullit të Korfuzit, për shkak të detit shumë të trazuar”, thuhet në deklaratë.

Sipas njoftimit, brigjet shqiptare monitorohen në mënyrë të vazhdueshme nga aparatura të teknologjisë më të fundit bashkëkohore, si dhe nga mjete lundruese të fuqishme, të cilat bëjnë të mundur kontrollin e hapësirës ujore dhe ndërhyrjen në mënyrë të menjëhershme në rast tentative trafikimi.

© Panorama.al

Te lidhura