Policia në Bavari ka sekuestruar një sasi të madhe veprash arti të falsifikuara, që mbanin nënshkrimet e disa prej artistëve më të mëdhenj në botë, si Pablo Picasso, Rembrandt dhe Frida Kahlo, në kuadër të një operacioni të përbashkët të zhvilluar në Gjermani, Zvicër dhe Lihtenshtajn.
Sipas autoriteteve bavareze, kryesori i dyshuar është një 77-vjeçar gjerman, i cili së bashku me 10 bashkëpunëtorë akuzohet për konspiracion dhe mashtrim në tregun e artit.
Një tjetër i përfshirë, një 74-vjeçar gjerman, përgatiste raporte ekspertize të rreme për të “vërtetuar” autenticitetin e pikturave, raportoi BBC. Të dy të dyshuarit janë liruar me kusht.
Hetimi nisi pasi 77-vjeçari tentoi të shiste dy piktura të supozuara origjinale të Pikasos, duke ngritur dyshime te autoritetet.
Më pas, ai u përpoq të shiste një kopje të falsifikuar të “De Staalmeesters” (“Mjeshtrit e Shoqatës së Endësve”), një nga veprat më të famshme të Rembrandtit, për 120 milionë franga zvicerane (rreth 130 milionë euro), megjithëse origjinali ndodhet në Muzeun Rijksmuseum të Amsterdamit.
Piktura e falsifikuar rezultoi të ishte në pronësi të një 84-vjeçareje zvicerane, që besohet të ketë qenë e përfshirë në rrjetin e mashtrimit.
© Panorama.al












