TIRANE- Policia e Shtetit ka festuar sot 99-vjetorin e krijimit të saj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri i Shqipërisë vlerësoi punën e madhe të policisë në përmbushjen me dinjitet të misionit të saj të madh, ndërsa shtoi, se efektivat e policisë janë kthyer në punonjësit më të dashur e më të nderuar të qytetarëve shqiptarë.
“Shqiptarët kanë nderim të madh për ju, sepse ata ndjehen sot më të sigurt se kurrë për jetën, për pronën dhe veprimtarinë e tyre. Shqiptarët kanë vlerësim dhe mirënjohje të madhe për ju, sepse ju ia keni dalë që në një kohë relativisht të shkurtër të shndërroheni në një institucion demokratik të vërtetë të një vendi të lirë. Shqiptarët kanë respekt të madh për ju dhe kontributin tuaj, sepse ata lëvizin sot të lirë në mbarë Evropën. Dhe në këtë kontekst, pa diskutim, ndihmesa juaj është e një rëndësie parësore. Shqiptarët kanë respekt të madh për ju, sepse juve keni vendosur një partneritet të shkëlqyer me policitë e vendeve mike, jeni shndërruar në një partner shumë të besueshëm për ta. Keni dhënë dhe jepni çdo ditë një ndihmesë të shkëlqyer në luftën e krimit të organizuar, në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar.”- tha Kryeministri Berisha
Reformat e ndërmarra për përqasjen e legjislacionit me standardet evropiane, trajnimin dhe menaxhimin e personelit,implementimi i modelit të ri të policimit, rritja e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, janë disa nga arritjet e Policisë Shqiptare, tha në fjalën e tij përshëndetësi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
Gjatë ceremonisë, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani akordoi 6 medalje për punonjësit e policisë, ndërsa u dhanë edhe 13 certifikata lavdërimi.
Medalje Nderi iu akorduan; Drejtuesit të Parë Edmond Rizaj, Kryekomisarit Fatmir Amuli dhe Nënkomisarit Enea Kaci, Medalje për Trimëri: Komisarit Vladimir Doko, Kryeinspektorit Fatmir Deda, dhe Inspektorit Ervin Gjana, si dhe një Medalje për Shpëtim Jete: Kryeinspektorit Ardian Dibra.
Në këtë takim festiv morën pjesë edhe, Zv/ministrat e Brendshëm, Iva Zajmi dhe Avenir Peka, Ambasadori Amerikan, Aleksandër Arvizu, si dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare PAMECA dhe ICITAP, si dhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit.
© Panorama.al











