Policia e Tiranës prej tri ditësh po zhvillon një aksion të gjerë për bllokimin e makinave që qarkullojnë me xhama të zinj. Qëllimi i aksionit është kontrolli i kriminalitetit dhe kapja e sendeve të paligjshme. Sipas Policisë, të gjithë drejtuesit e mjeteve që nuk e kanë të shënuar në lejen e qarkullimit të drejtën e mbajtjes së xhamave të zinj, do të ndëshkohen sipas sanksioneve që parashikon Kodi Rrugor, duke nisur nga gjobat, bllokimi i lejes së qarkullimit e deri te sekuestrimi i automjetit. Pjesë e planit operacional të ndërmarrë së fundmi nga Policia Rrugore, e rendit, si dhe forcat e operacioneve speciale, janë edhe automjetet që qarkullojnë duke përdorur sinjale dhe simbole të Policisë së Shtetit apo Kuvendit në mënyrë fiktive. Burime nga Policia e Tiranës thanë dje se gjatë aksionit 3-ditor janë evidentuar, bllokuar dhe ndëshkuar me gjobë 33 makina me xhama të errët, për të cilat ka rezultuar që nuk janë prodhuar me xhama të tillë, por janë rivendosur. Në rastet kur xhamat rezultojnë të jenë të veshur me letër, janë vetë efektivat e Policisë që bëjnë “zhveshjen” e xhamit, që shoqërohet gjithashtu me gjobë, apo edhe bllokim të lejes së qarkullimit. Por burimet konfirmojnë se një veprim i tillë i Policisë në disa raste nuk është pritur mirë nga drejtuesit e mjeteve, të cilët edhe kanë kundërshtuar e fyer punonjësit e pikës së kontrollit, për këtë arsye ndaj tyre ka nisur procedim penal. Aksioni ka vazhduar edhe gjatë mbrëmjes së djeshme duke gdhirë dita e hënë, kryesisht në rrugët hyrëse dhe dalëse të Tiranës, ku janë ngritur pika kontrolli.
ARMET PA LEJE
Pjesë e planit të masave në aksionin e 3 ditëve të fundit ka qenë edhe sekuestrimi i armëve pa leje. Ky fenomen bëhet shqetësues kryesisht gjatë festave të fundvitit, ku veç fishekzjarrëve dhe kapsollave konstatohen edhe qitje me armë zjarri. Javën që kaloi, ka pasur të paktën 3 raste që janë denoncuar në sallën operative të Policisë së Tiranës, kur janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Por sipas burimeve, aksioni për sekuestrimin e armëve pa leje konsiston më tepër në parandalimin e ngjarjeve kriminale, kryesisht grabitjeve që kanë ndodhur ditët e fundit. Gjithashtu edhe për parandalimin e krimeve kundër jetës dhe shëndetit. Të njëjtat burime thanë dje se gjatë aksionit të fundjavës janë sekuestruar 5 armë zjarri, shoqëruar me arrestimin e personave që i posedonin pa lejen përkatëse. Nga armët e sekuestruara, 3 janë pistoleta dhe dy të tjera janë armë automatike. Policia tha se aksioni do të vazhdojë edhe fundjavën që vjen.
ETLEVA DELIA











