Tiranë – Një numër i konsiderueshëm prej 1.7 milionë turistësh e kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajve qershor dhe korrik. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit ditën e djeshme. “Në pikat e kalimit kufitar, gjatë periudhës 1 qershor- 31 korrik 2012 kanë hyrë 1 775 808 shtetas, nga të cilët 715 808 shtetas shqiptarë dhe 1 060 000 shtetas të huaj. Krahasuar me vitin 2011, rezulton se gjatë këtij sezoni kanë hyrë 138 888 shtetas më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2011”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Sipas deklaratës, vetëm gjatë ditëve të para të muajit gusht 2012 kanë hyrë në territorin e Shqipërisë 333 579 shtetas. “Gjatë këtij sezoni turistik vihet re një rritje e shtetasve të huaj që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë. Përpos shtetasve kosovarë, numri i të cilëve është mjaft i madh, deri tani kanë hyrë gjithashtu 114 270 shtetas maqedonas, 47 910 shtetas grekë, 34 878 shtetas italianë, 31 230 shtetas gjermanë, 28 035 shtetas anglezë, 22 049 shtetas zviceranë, si dhe mjaft shtetas suedezë, polakë, francezë, belgë etj”, theksoi Policia. Sipas të dhënave zyrtare, pjesa më e madhe e këtyre vizitorëve të huaj kanë preferuar turizmin malor në Shqipëri dhe nga ana e strukturave të Policisë janë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë së tyre. Në lidhje me menaxhimin e situatës, policia tha se një rëndësi e veçantë i është kushtuar dhe bashkëpunimit dhe intensifikimit të kontakteve me strukturat homologe policore të vendeve fqinje për zbatimin e marrëveshjeve të përbashkëta për probleme të rendit e të sigurisë, si dhe për krijimin e të gjitha lehtësirave për shtetasit e vendeve respektive gjatë lëvizjes së tyre në pikat e kontroll kalimit kufitar. Si rezultat i shtimit të madh të fluksit të lëvizjes së automjeteve në akset rrugore gjatë këtij sezoni, është bërë përforcimi me forca shtesë i shërbimeve të policisë në segmentet rrugore më problematike, me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve. Sipas Policisë, vetëm gjatë fundjavës së kaluar, në territorin e Shqipërisë kanë hyrë mbi 21 000 automjete.











