
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka tërhequr vëmendjen e opinionit sportiv me anë të një letre drejtuar FSHF-së, si dhe administratorëve të 28 stadiumeve, të konsideruar si jashtë standardeve për sigurinë. Sipas z.Burgaj, Policia e Shtetit nuk do të mbajë përgjegjësi për dhunën që do të ushtrohet, nëse do të ndodhë në një pjesë të konsiderueshme të stadiumeve në vendin tonë të cilat nuk janë të sigurta për lojtarët dhe zyrtarët e klubeve. Sipas Policisë, kjo vjen më së shumti nga neglizhenca totale e administratorëve të këtyre stadiumeve, ku më së shumti theksi vihet te bashkitë e komunat që i kanë në administrim. Duke marrë shkas edhe nga ngjarja e shëmtuar që ndodhi pas ndeshjes Laçi-Kastrioti, Policia e Shtetit ka bërë një hap konkret, duke mbyllur në këtë mënyrë plot 28 impiante në të gjithë Shqipërinë, teksa 4 prej tyre u përkasin klubeve të Superiores. “Edhe më parë kemi pasur komunikim shkresor me institucionin tuaj lidhur me problematikën e kushteve teknike të stadiumeve, por masat e marra janë minimale dhe situata vijon të jetë e njëjtë. Duke iu referuar informacioneve të ardhura nga drejtoritë e policisë në qarqe, rezulton se në shumë terrene sportive nuk janë zbatuar detyrimet përkatëse,”- citohej në letrën e Drejtorit të Policisë së Shtetit, drejtuar FSHF-së, por jo vetëm. Policia e Shtetit pranon se është vënë në një vështirësi të madhe gjatë kësaj periudhe dhe tashmë e ka të pamundur të garantojë sigurinë në stadiumet, ku deri një javë më parë ka qenë e pranishme për të bërë detyrën gjatë ndeshjeve. “Nisur nga fakti se dhuna vazhdon të jetë e pranishme herë pas here gjatë zhvillimit të ndeshjeve në Korçë, Lushnjë, Himarë, Peqin, Gramsh dhe së fundmi në Laç, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nëpërmjet strukturave të saj, përsërit që kjo gjendje e vendos në vështirësi shumë të madhe për kryerjen e detyrës, për shkak se garantimi i sigurisë për pjesëmarrje në këto akvititete kërkon personel dhe automjete të shumta në numër nga ana jonë, lëvizje të tyre nga një rreth në tjetrin dhe kosto të lartë financiare, duke kaluar limitet buxhetore. Duke parë dhe vlerësuar gjendjen e situatën aktuale, ju bëjmë me dije se strukturat e Policisë së Shtetit nuk do të marrin përsipër garantimin e sigurisë publike gjatë zhvillimit të aktiviteteve futbollistike që do të luhen në ato terrene sportive ku nuk përmbushen kushtet teknike të sigurisë, duke mos marrë asnjë masë për këto aktivitete”, thuhej në letër.
Gjykata
Burg pa afat për zëvendëstrajnerin e Laçit, Ardian Laskën dhe vëllain e presidentit Dodë Laska. Është kjo masa e arrestit e edhe nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit të Kurbinit. Dy të ndaluarit para tri ditësh janë paraqitur në gjykatë rreth orës 10:00 të paradites së djeshme, e janë njohur me akuzën, ku sipas Prokurorisë, dy të ndaluarit janë gjendur fajtorë për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës.
Lista e stadiumeve
Stadiumet që nuk përmbushin kushtet e sigurisë dhe në të cilat nuk mund të zhvillohen aktivitete sportive, pasi strukturat e Policisë së Shtetit e kanë shumë të vështirë garantimin e sigurisë publike, janë:
Në qarkun Tiranë: stadiumi “Selman Stërmasi”, stadiumi “Besa” në Kavajë”, fusha sportive e Kamzës, fusha sportive “Skënder Halili”, si dhe fusha sportive e Luzit.
Në qarkun Durrës: fusha sportive “Tofik Jashari” Shijak, si dhe ajo në Fushë-Krujë e Sukth.
Në qarkun Korçë: stadiumi i Ersekës dhe Bilishtit.
Në qarkun Elbasan: fushat sportive të Peqinit, Gramshit, Librazhdit dhe Prrenjasit.
Në qarkun Vlorë: stadiumi i Delvinës dhe Himarës.
Në qarkun Gjirokastër: stadiumi i Këlcyrës.
Në qarkun Lezhë: fushat sportive në Laç, Mamurras, Rrëshen dhe Rubik.
Në qarkun Fier: stadiumi i Ballshit, fushat sportive të Çlirimit dhe Plugut.
Në qarkun Berat: stadiumi i Beratit (në rikonstruksion), Kuçovës, Çorovodës dhe Poliçanit.











