Polici i plagosur, mjekim në Janinë

Dec 28, 2011 | 13:13

Oficeri i Rrugores, Naim Hyska, në gjendje të rëndë prej 3 ditësh.

Oficeri i plagosur i Policisë Rrugore të Tiranës, Naim Hyska, u transportua dje në spitalin e Janinës në Greqi, pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua gjatë 24 orëve të fundit. Hyska ka qëndruar tri ditë në koma, në reanimacionin e Spitalit Ushtarak, në terapi intensive dhe në një kohë që dha shenjat e para të përmirësimit, skaneri i kokës tregoi të kundërtën. Sipas mjekëve, ndërhyrja kirurgjikale në tru ka qenë mjaft delikate dhe për këtë arsye, mëngjesin e djeshëm mjekët kanë kryer edhe një skaner të dytë, ku është konstatuar gjakderdhje e brendshme.
Naim Hyska u plagos mbrëmjen e 24 dhjetorit në sy të djalit 12-vjeçar, afër “21 Dhjetorit”, në Tiranë, kur po kthehej në shtëpi dhe menjëherë pas mbërritjes në Spitalin Ushtarak iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Por, që nga ai moment Hyska vazhdon të jetë në gjendje kome dhe në rrezik për jetën. Efektivi i Rrugores së kryeqytetit u qëllua me armë zjarri në kokë dhe plumbi shkaktoi një plagë tejshpuese shumë të rëndë, duke bërë që 45-vjeçari të mbahej në observim dhe terapi intensive për tri ditë rresht, derisa dje u vendos transportimi drejt Janinës për një mjekim më të specializuar. Ai u nis mesditën e djeshme me një avion “Charter” drejt Greqisë për një shërbim më të specializuar, pasi sipas mjekëve, Hyska ka dëmtime në tru, prandaj edhe gjendja e tij ka ardhur duke u përkeqësuar dita-ditës. Nga stafi mjekësor që është kujdesur gjatë këtyre ditëve për shëndetin e babait të tre fëmijëve u konfirmua dje se gjendja e tij shëndetësore është shumë e rëndë, por ka shpresa për të jetuar. Efektivi i Policisë Rrugore, Naim Hyska, u qëllua mbrëmjen e së shtunës me plumb në kokë, në afërsi të banesës së tij, tek kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, në Tiranë, kur po kthehej në shtëpi bashkë me djalin e tij 12-vjeçar. Sipas burimeve nga Policia, autori i ngjarjes i kishte zënë pritë pranë banesës, në rrugicën që të çon te Njësia Bashkiake Nr.7 dhe ka pasur si qëllim vrasjen e tij. Goditja ka qenë tejshpuese, plumbi i vetëm me të cilin është qëlluar i ka hyrë dhe ka dalë nga koka duke i shkaktuar koma 45-vjeçarit, baba i tre fëmijëve. Ndërsa edhe pse kanë kaluar katër ditë nga ngjarja, policia ende nuk ka arritur të ndalojë autorin, apo të saktësojë motivet e krimit.

Mjeku Olldashi: Ka gjakderdhje në kokë
Mjeku i Spitalit Ushtarak, Fatos Olldashi, që ka ndjekur prej tri ditësh gjendjen shëndetësore të policit të plagosur Naim Hyska, tregoi dje në një prononcim për gazetarët se gjendja shëndetësore e 45-vjeçarit është përkeqësuar së fundi. Për këtë arsye është vendosur që të mjekohet nga një shërbim më i specializuar në spitalin e Janinës në Greqi. “Pacienti ka mbërritur në spital me një plagë të rëndë të shkaktuar nga një armë zjarri e kalibrit të madh. Plaga ishte tejshpuese dhe i ka shkaktuar dëmtime në kokë. Gjendja e Hyskës momentalisht paraqitet e rënduar, pavarësisht faktit që jemi detyruar të bëjmë dhe ndërhyrje kirurgjikale”, u shpreh dje mjeku Fatos Olldashi. Gjithashtu, Olldashi tregon edhe arsyet se përse u vendos që Hyska të transportohet drejt spitalit të Janinës, duke dhënë edhe një farë shpresë për jetën e tij. “Gjendja shëndetësore e pacientit është mbajtur nën kontroll të vazhdueshme në reanimacion. Nga skaneri që i është bërë së fundi rezulton se ka përkeqësim dhe gjakderdhje të brendshme. Gjendja është e rëndë, por ka shpresa për të jetuar. Si rrjedhim i interesimit të strukturave shtetërore dhe duke vlerësuar gjendje e rënduar shëndetësore të punonjësit të policisë, kemi vendosur që ta dërgojmë për një mjekim më të specializuar jashtë vendit dhe më konkretisht në Greqi”, deklaroi mjeku Olldashi.

Fundviti, policët marrin vetëm 9 mijë lekë shpërblim
Shuma u kalon në bankë
TIRANE – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, nëpërmjet një urdhri, i ka deleguar kompetencat drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgajt, për miratimin e përdorimit të fondit të veçantë për shpërblimet për rezultate të mira në punë të punonjësve të Policisë. Urdhri është botuar në Fletoren Zyrtare, ku thuhet se hyn në fuqi menjëherë, por në realitet, Policia e Shtetit nuk ka më fonde të mjaftueshme për të dhënë këto shpërblime. Përveç një numri të kufizuar efektivësh të Forcave Speciale, policë të tjetër janë të detyruar të presin vitin e ardhshëm për të marrë paratë e premtuara. Botimi i fundit në Fletoren Zyrtare ishte: “Delegimin drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të autoritetit për miratimin e përdorimit të fondit të veçantë për shpërblimin për rezultate të mira në punë të punonjësve të Policisë së Shtetit. Ngarkohet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me zbatimin e këtij urdhri. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare”. Sipas përllogaritjeve të kryera nga Sindikata e Policisë së Shtetit, shuma e parave që Policia e Shtetit u detyrohet punonjësve është e konsiderueshme, afro 140 milionë lekë. Por fondi i Policisë nuk ka mjaftueshëm para për të shlyer të gjitha detyrimet. Për këtë arsye, efektivët e policisë kanë marrë vetëm shpërblimin e fundvitit, një shumë prej 9 mijë lekësh.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura