POLIÇAN – Veç incidenteve gjatë fushatës, në Poliçan shënohen edhe ngjarje postzgjedhore. Sipas burimeve të policisë, dje rreth orës 10:00, simpatizantë e Partisë Socialiste kanë dalë në shesh për të festuar fitoren e kandidatit të tyre, Adriatik Zotka. Por, gjatë momenteve të festimit, në një nga lokalet e këtij qyteti ka ndodhur konflikti ndërmjet simpatizantëve të kandidatit humbës të Partisë Republikane. “Shtetasit F. Laze dhe M. Laze, simpatizantë të PR-së, janë konfliktuar me M. Haxhillarin dhe E. Ismailin, të PS-së”, bëri të ditur policia. Mësohet se të katër këta shtetas janë konfliktuar fillimisht me fjalë, por më pas situata ka degjeneruar në përplasje fizike, deri në hedhje të karrigeve të lokalit njëri-tjetrit. Me gjithë ndërhyrjen e të pranishmëve, situata është rënduar derisa në vend mbërriti policia, duke i shoqëruar të katër personat në rajon. Qyteti i Poliçanit në fushatat zgjedhore është kthyer në mollë sherri ndërmjet mbështetësve të kandidatëve. Kjo zonë ka qenë e majtë, por me ndarjen e LSI-së, banorët janë ndarë në dy grupime, çka bëri që në këto zgjedhje kandidati i PS-së të fitonte me një diferencë mjaft të vogël votash. d.xh
Bashkia Poliçan
. Adriatik Zotka, PS, 1270 vota
. Çaush Qato, PR, 1117 vota











